Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 8119

Fjalime

Fjala e Presidentit Begaj në festën e 15-vjetorit të krijimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF)

Të dashur miq dhe të ftuar,

Mirëmbrëma,

Pak kohë më parë, Armanda, e ftuar nga zoti Granoff, vizitoi një nga projektet tuaja në edukim, “Elementi IT”, në shkollën 9-vjeçare “Lasgush Poradeci” në Tiranë.

Unë e humba atë mundësi, por përshtypjet dhe entuziazmi nga nxënësit e klasë së dytë dhe mësuesja e tyre, të dashuruar më këtë platformë, ishin frymëzuese.

Kjo tregon se forma që keni përzgjedhur për të investuar në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në 350 shkolla është modeli i duhur që ka impakt të menjëhershëm dhe të shëndetshëm.

Zonja dhe zotërinj,

I dashur Majkëll,

Është kënaqësi të festoj bashkë me ju 15-vjetorin e krijimit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF. Janë më shumë se 15 vjet pune, këmbëngulje, pasion dhe natyrisht dashuri edhe për Shqipërinë. Gjatë këtyre viteve, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim dhe pararendësja e tij, Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve, AAEF-ja, kanë kontribuar për zhvillimin e Shqipërisë, për qytetarët e saj dhe të ardhmen e këtij vendi.

Suksesi juaj i ka rrënjët në marrëdhëniet e ngushta që Shqipëria ka me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni meritën që këto marrëdhënie i keni zhvilluar, pasuruar dhe forcuar edhe më tej.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim jo vetëm ka sjellë investime dhe projekte, por ka patur kurajën të besojë në potencialin e një vendi të vogël, që dikur shihej me shumë skepticizëm.

Ju besuat te Shqipëria.

Në një kohë kur investimet e huaja ishin sporadike, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim e pa Shqipërinë jo si një rrezik, por si një mundësi. Ju arritët të shikonit përtej sfidave, duke vënë re potencialin e jashtëzakonshëm që ky vend ofronte. Ishte ky besim që e ka ndihmuar Shqipërinë të fillojë një epokë të re zhvillimi, dhe për këtë ju jemi shumë mirënjohës.

Ju u angazhuat me një përkushtim të madh për të investuar jo vetëm financiarisht, por edhe përmes njohurive dhe ekspertizës së thellë që sollët me vete. Na dhatë leksione se si bëhej biznesi në një ekonomi tregu, duke ndihmuar jo vetëm në krijimin e projekteve të suksesshme, por edhe në edukimin e një brezi të ri sipërmarrësish.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka shërbyer si katalizator i ndryshimeve ekonomike duke investuar në sektorë të ndryshëm, edhe aty ku më parë nuk kishte investime. Investimet në arsim mundësuan zhvillimin e shkollave dhe iniciativave edukative që kanë ndryshuar jetën e shumë të rinjve. Kultura shqiptare ka përfituar, gjithashtu, nga mbështetja juaj, duke ndihmuar në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë të pasur kulturore, gur themeli i identitetit tonë kombëtar.

Këtu dëshiroj të përmend edhe disa prej tyre, si transformimet në qendrat historike të qyteteve: në Tiranë, (Pazari i Ri); Krujë, (Pazari i Vjetër); Shkodër, (Qendra Historike dhe Muzeu Marubi), Berat, Korçë, Gjirokastër, si dhe në Vlorë, (Qendra Historike dhe Muzeu Hebraik), TUMO-n dhe Piramidën e Tiranës. Ato janë shndërruar tashmë në atraksione turistike për shqiptarë e të huaj.

Edhe sektorë të tjerë, si bankat dhe sigurimet, turizmi dhe infrastruktura, njohën përmirësime falë projekteve tuaja të suksesshme.

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim ka krijuar projekte që nuk janë thjesht investime, por motorë zhvillimi afatgjatë. Ata kanë tërhequr më shumë investime dhe kanë përmirësuar klimën e biznesit në vendin tonë. Ju keni qenë pionierë në përthithjen e fondeve në sektorë të ndryshëm dhe, falë përpjekjeve tuaja, shumë projekte kanë marrë jetë.

Në çdo investim që keni bërë, në çdo komunitet ku keni shkuar dhe keni dhënë ndihmën tuaj, keni krijuar një model që ka përmirësuar cilësinë e jetës për njerëzit në vendin tonë.

Festa e sotme nuk është vetëm për arritjet e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, por është festë edhe për të ardhmen e Shqipërisë, për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe për besimin që keni treguar në potencialin e një kombi që vazhdon të rritet e të zhvillohet.

Të nderuar pjesëmarrës,

Sot festa është e dyfishtë.

Bashkë me ju, sot të gjithë shqiptarët festojnë hapjen e kapitullit të reformave themelore të negociatave për anëtarësim të plotë në BE.

Dhe në këtë arritje, kontributi juaj është shumë i madh. Ëndrra, siç duket, po afrohet drejt realizimit.

Faleminderit dhe urime për këtë rrugëtim të suksesshëm!