Presidenti i Republikës së Shqipërisë

0ab1e072 c505 4318 b6ed df9e8f23d214

Fjalime

Fjala e Presidentit Begaj në edicionin e 3-të, “Ditët e Bujqësisë”

Kam ardhur me shumë kënaqësi dhe me interes të madh për të vizituar panairin ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë”.

Dëshiroj ta filloj me një falënderim për të gjithë pjesëmarrësit, në veçanti për ata që vijnë nga vendet e rajonit e më tej. Më vjen mirë që këtu gjej pjesëmarrës nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, Italia, Greqia, Austria, Izraeli e shumë vende të tjera. Kjo tregon se produktet e fermerëve tanë kanë arritur të konkurrojnë e të krijojnë partneritete të suksesshme edhe në tregjet ndërkombëtare. 

Natyrisht, rëndësia e panairit lidhet me faktin se bujqësia nuk është vetëm një veprimtari ekonomike, por edhe baza mbi të cilën ndërtohet një ekonomi moderne dhe e qëndrueshme. Ajo rigjallëron ekonominë lokale dhe kjo duket më së miri në një nga trevat më bujqësore të vendit tonë. Lushnjarët, me dashurinë dhe punën e tyre të palodhur, kanë kultivuar brez pas brezi një marrëdhënie të ngushtë me tokën. Fermerët e Myzeqesë kanë qenë dhe janë pjesë e tryezave mbarë shqiptare. 

Edicioni i 3-të, që tregon tashmë krijimin e një tradite në prezantimin e prodhimeve bujqësore, sjell çdo vit më shumë përvojë, më shumë informacione për produktet tuaja, për teknologjitë dhe mundësitë e reja të financimit për tregjet vendase e të huaja, ndaj ju ftoj ta përdorni këtë platformë, që të tregoni se gjatë këtyre viteve keni shtuar shumëllojshmërinë, cilësinë dhe konkurrueshmërinë e produkteve tuaja. 

Ky panair ka rëndësi jo vetëm për fermerët dhe agrobizneset, por edhe për konsumatorin. Konsumatori shqiptar duhet të konsumojë produktet cilësore që plotësojnë kriteret e sigurisë ushqimore. 

Ju, që merreni me bujqësi e blegtori, e kuptoni shumë mirë se sa e vështirë është rruga, por e dini po kaq mirë se sa i ëmbël është suksesi, sepse frytet që sjell bujqësia, për nga vetë natyra, janë të veçanta.

Ju meritoni mirënjohjen tonë kolektive për kontributin e jashtëzakonshëm që keni në cilësinë e jetës sonë. Ushqimi i shëndetshëm dhe i sigurt është baza e mirëqenies dhe cilësisë së jetës.

Për Shqipërinë tonë, bujqësia, pyjet dhe peshkimi luajnë një rol të rëndësishëm, si në mirëqenien e popullsisë, edhe në punësim. Gjithashtu, është fakt se vitet e fundit prodhimet ushqimore shqiptare janë bërë më konkurruese në tregun vendas dhe në tregjet e huaja. Sot eksportojmë 1 dhe importojmë 2.6, ndërkohë që para 4 vjetësh eksportonim 1 dhe importonim 3.1, apo para shumë vjetësh eksportonim 1 dhe importonim 5.

Natyrisht, situata është larg pritshmërive dhe mundësive që ka sektori. Të dhënat tregojnë se sektori i bujqësisë, ai i pyjeve dhe peshkimit, po rriten më ngadalë se ekonomia në tërësi. 

Kemi vite që ende diskutojmë për strategji afatgjata, ndërkohë që na mungojnë edhe taktikat për sfida të çastit. Bujqësia përballet me sfida demografike kryesisht për shkak të urbanizimit të shpejtë, por edhe të emigracionit. Largimi nga fshati nuk vjen nga joshja e dritave të qytetit, brenda apo jashtë vendit, por nga pamundësia për një mënyrë jetese që sjell jo vetëm arritje personale, por kontribuon edhe në mirëqenien e shoqërisë. 

Zoti e ka bekuar të gjithë tokën, të gjitha vendet. Madje, kur shohim zonën e Lushnjes, kuptojmë se ndoshta na ka mbajtur edhe me hatër. Tani është në dorën e njeriut, në dorën tonë, kujdesi për të.

Ju, si profesionistë të sektorit, meritoni mbështetje në veprimtarinë tuaj ekonomike dhe patriotike, njëkohësisht. Natyrisht, kjo mbështetje duhet të vijë jo vetëm si pasojë e politikave të qeverisë, por edhe e veprimeve të sektorit privat. 

Nuk mund të ketë zhvillim ekonomik në kapitalizëm, në cilindo sektor, pa pasur investime dhe kreditime. Sektori i bujqësisë, ndonëse jep rreth 18-19% të prodhimit të vendit, merr jo më shumë se 1% të totalit të kredisë së lëvruar nga kreditorët vendas. Natyrisht, sektori, krahas mundësive për fitim, paraqet rrezik për kapitalin. Më vjen mirë që në këtë panair shoh një prezencë të shtuar të institucioneve bankare dhe i ftoj ata të investojnë në këtë fushë. I kemi të gjitha mundësitë të zhvillojmë një bujqësi me produkte të diversifikuara, që shfrytëzon mundësitë e teknologjisë së lartë dhe digjitalizimit. 

Gjithashtu, rajonalizimi i produkteve bujqësore, duke përdorur avantazhet krahasimore të secilës nga krahinat e Shqipërisë, do ta shpërblejë më mirë mundin dhe djersën e fermerëve dhe blegtorëve.

Me një bujqësi të zhvilluar mund të mbështetet edhe zhvillimi afatgjatë dhe i qëndrueshëm i turizmit. Kjo do të sjellë vlerë të shtuar të produkteve bujqësore, si dhe integrimin e fermerëve tanë në zinxhirin e vlerës, nga prodhimi, deri në konsum.

Kombinimi i njëkohshëm i zhvillimeve pozitive dhe negative që vihen re në sektorin e bujqësisë tregon se sektori po ristrukturohet, burimet e punës dhe kapitalit po zhvendosen drejt aktiviteteve më fitimprurëse. Ky është një proces i nevojshëm e i domosdoshëm edhe në kuadrin e integrimit të mëtejshëm të ekonomisë sonë në Bashkimin Evropian.

Natyrisht, ristrukturimi kërkon edhe vazhdim të investimeve publike në infrastrukturën rurale, mbështetje dhe garanci publike në kreditimin e munguar të sektorit, si edhe subvencione të shënjestruara me kujdes për aktivitetet më të prekura. Gjithashtu, vlerësoj se edhe iniciativat inkurajuese për të rinjtë dhe mbështetja financiare për ta do të sillte rezultate akoma më pozitive.

Në vizitat e mia në Shqipëri kam hasur shumë raste frymëzuese të njerëzve që janë kthyer nga emigracioni për të investuar në tokën e tyre, në vendin e tyre, duke shfrytëzuar edhe përvojën e marrë jashtë vendit. Jam i bindur se me mbështetjen e të gjithë shoqërisë, bujqësia do të arrijë potencialet e saj. Produktet bujqësore Made in Albania duhet të jenë edhe krenari kombëtare.

I kemi të gjitha mundësitë.

Tashmë, duhet vendosmëri për të vijuar punën e nisur dhe dashuri për këtë tokë.