07/03/2025• Fjalime• Bianka Hada
Kënaqësi dhe emocion i veçantë që këtë ditë të jemi së bashku në këtë sallë, që është salla më e rëndësishme e Institucionit të Presidentit!
Do të doja që salla të ishte shumë më e madhe, që të ishin të gjithë profesionistët e mësimdhënies dhe edukimit, sepse ju meritoni shumë më shumë.
Ju siguroj se ju që jeni në këtë sallë, dhe të tjerët, kanë vëmendjen time maksimale, por përzgjedhja është bërë shumë rastësore. Në fakt, nga mesazhet që unë kam marrë, më vjen mirë, sepse më thonë të gjithë se përzgjedhja është bërë e duhura, dhe ju që jeni në këtë sallë përfaqësoni më së miri të gjithë brezin e atyre që kanë ndikuar në jetët e shumë brezave për edukimin e tyre, për dijen, për zhvillimin e shoqërisë sonë. Prandaj, unë sot ndaj urimet më të mira për ju dhe të gjithë mësuesit në mbarë vendin dhe kudo ku ata shërbejnë për misionin e tyre të edukimit. Puna dhe dedikimi juaj meritojnë mirënjohjen dhe respektin tonë më të thellë.
7 Marsi na kujton sakrificën e madhe që na është dashur të bëjmë ndër shekuj për konsolidimin e institucioneve të nxënies dhe të shkollimit, si dhe edukimin e brezave me gjuhën e bukur shqipe.
Festa e mësuesit është dita kur ndalemi për të reflektuar mbi një nga profesionet më të rëndësishme e më fisnike në shoqërinë tonë: mësimdhënien dhe edukimin.
Kjo është një ditë e veçantë. Një ditë për t’ju nderuar ju mësues, që keni shërbyer e shërbeni me përkushtim dhe pasion. Kjo ditë është kujtesë e vazhdueshme për ndikimin e pamohueshëm që mësuesit kanë në jetën tonë, në shoqëri dhe në të ardhmen e brezave.
Kontributi juaj për arsimimin dhe edukimin nuk matet me shifra, por me mendjet që keni ndriçuar, me ëndrrat që keni nxitur e frymëzuar, me vlerat që keni përcjellë ndër breza.
Ndaj, përfitoj nga ky takim i sotëm për të shprehur mirënjohjen time, mirënjohjen e shoqërisë dhe të gjithë kombit për të gjithë mësuesit shqiptarë.
Puna juaj nuk është thjesht një profesion. Ajo është një mision që buron nga pasioni për të nxitur kuriozitetin dhe evidentuar talentet te nxënësit, e për t’i udhëhequr ata drejt rrugës së bukur të dijes.
Puna dhe kontributi juaj nuk janë përgatitje për jetën, është vetë jeta.
Me dije, durim dhe zemër të madhe, ju formësuat dhe formësoni mendjet dhe shpirtrat e brezave të tërë.
Kjo festë e bukur në nderim të njerëzve fisnikë, që kanë shërbyer shpeshherë si model frymëzimi për urtësinë dhe dedikimin, duhet të jetë dhe një ditë reflektimi për angazhimin tonë për të vlerësuar dhe mbështetur mësuesin në shoqëri.
Një shoqëri që vlerëson mësuesin është shoqëri e ndërgjegjshme, se vetëm me edukimin cilësor të brezave ndërtohet një e ardhme e begatë dhe e qëndrueshme.
Bota po ndryshon me një ritëm marramendës. Inteligjenca artificiale, robotika dhe transformimi digjital po ndryshojnë çdo aspekt të jetës sonë. Teknologjia ka hapur mundësi të pafundme për të mësuar, por ajo kurrë nuk do ta zëvendësojë emocionin e kontaktit të parë të nxënësve që sapo fillojnë shkollën, me mësuesin, nuk mund të zëvendësojë krenarinë e mësuesit kur sheh kërshërinë për dije në sytë e nxënësve. Një kompjuter, që mund ta ketë çdo njeri, mund të ofrojë informacionin, por nuk mund të mësojë vlerat e jetës, të qytetarisë dhe jetesës në komunitet. Një algoritëm mund të analizojë të dhëna më shpejt, por nuk mund të frymëzojë një fëmijë të ëndërrojë.
Mësuesi është dhe mbetet faktori kyç në arsimim. Ai është ura mes dijes dhe formimit të karakterit, është udhërrëfyes i përdorimit të drejtë të teknologjisë bashkëkohore, nxitës i zhvillimit personal dhe frymëzues për të ndryshuar shoqërinë dhe botën.
Ju nuk jeni thjesht transmetues njohurish. Ju jeni mbështetës dhe një figurë model.
Pas çdo arritjeje të madhe është gjithmonë edhe një mësues mentor që ka shpenzuar orë të tëra për të shpjeguar, për të motivuar dhe për të ndihmuar për t’u përballur me sfidat e jetës.
Natyrisht, ndër vite, roli i mësuesit ka ndryshuar. Të jesh mësues sot është një sfidë e madhe. Fëmijët rriten në një botë ku burime të shumta informacioni nuk janë gjithmonë të vërteta. Rrjetet sociale ndikojnë mendimet dhe sjelljet e tyre, por jo gjithmonë në drejtimin e duhur.
Ndaj, Shqipëria, vendi, ka nevojë për mësues, ka nevojë për ju, që nuk vendosin vetëm nota, por nxisin dijen, ëndrrat dhe ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie me mendim kritik dhe vlera të forta demokratike e patriotizmi.
Ne duhet të jemi një komb që lexon, një komb që studion, një komb që ecën përpara me forcën e mendjes dhe etjen për dijen.
Në këtë betejë, mësuesit janë në vijën e parë.
Nuk mund të kemi një Shqipëri të fortë pa një arsim cilësor dhe nuk mund të kemi një arsim cilësor pa mësues të vlerësuar, të mbështetur, dhe të trajnuar e trajtuar shumë mirë.
Nëse duam një të ardhme më të mirë, duhet të fillojmë me ata të cilët kontribuojnë për qytetarët e ditur të së ardhmes: mësuesit.
Ju falënderoj dhe një herë për gjithçka keni dhënë në profesionin tuaj fisnik, për çdo fjalë inkurajuese, për çdo këshillë të mençur, për durimin dhe përkushtimin tuaj!
Ju falënderoj në emër të çdo nxënësi të dikurshëm që tashmë jeton të materializuar ëndrrën e nxitur dhe të mbështetur nga ju, për çdo brez që keni ndihmuar të bëhet më i ditur e më i fortë!
Në fakt, sot, më 7 mars, festohet ndryshe.
Unë në këtë sallë kam emocionet e mia, për faktin se kam disa mentorë të mi, mësues të mi, dhe realisht ndihem shumë mirë. Në kohën tonë festohej, por mezi gjendej një kartolinë për t’ia çuar mësuesit, apo një degë mimoze, nëse kishte çelur, ndërsa sot është shumë më ndryshe, por gjithsesi, mbetet një ditë e bekuar, ditë që duhet shenjuar, ditë që duhet festuar.
Gëzuar 7 Marsin!
Gëzuar Ditën e Mësuesit!