Presidenti i Republikës së Shqipërisë

WhatsApp Image 2024 06 07 at 21.51.40

Fjalime, Lajme

Fjala e Presidentit Begaj me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Arkivit Qendror Shtetëror

Të nderuar studiues, arkivistë dhe drejtues të arkivave,

Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë e veçantë të jem sot pjesë e festës së 75-vjetorit të krijimit të Arkivit Qendror Shtetëror. Ky institucion grumbullon, ruan dhe administron dokumente historike, trashëgimi materiale dhe kulturore dhe mban, gjithashtu, një peshë të veçantë në krijimin e kujtesës sonë kolektive dhe të ndërgjegjes kombëtare.

Krijimi i këtij institucioni shënoi një moment historik për vendin.  Natyrisht, në raport me historinë e lashtë të saj, Shqipëria ka një histori relativisht të re të Arkivit Qendror të Shtetit, por kjo e rrit edhe më shumë rëndësinë që ka ky institucion.

Kjo kujtesë e sistemuar në mbi 200 milionë dokumente në 13 arkiva të shtetit, ku gjenden xhevahire të rrallë, si Fondi i Kodikëve mesjetarë të Beratit, janë lidhja jonë më lashtësinë dhe traditën e vendeve të tjera evropiane.

Dokumentet dhe materialet e ruajtura në këto arkiva janë dëshmitarët më të besueshëm të historisë tonë. Studimi i tyre nga studiuesit e historianët vendas e të huaj na ndihmon të kuptojmë rrënjët tona, të vlerësojmë përpjekjet e brezave të mëparshëm dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë mbi këtë bazë të fortë. Promovimi dhe aksesi në thesare të tilla është me rëndësi për të njohur në mënyrë objektive të kaluarën tonë.

Dëshiroj të ndalem edhe në një aspekt që e konsideroj të rëndësishëm. Krahas lidhjes me historinë, Arkiva Shtetërore ka edhe një dimension shumë aktual: është një shërbim publik që garanton një të drejtë themelore të njeriut, që është ruajtja e dokumentacionit të jetës e sidomos të pronës private.

Ndaj, arkivat duhet të jenë të hapura, publike dhe transparente, natyrisht brenda hapësirës që lejon legjislacioni dhe etika.

I kemi ende të freskëta në kujtesën tonë dëmet e pallogaritshme që pëson individi e shoqëria kur arkivat mbulohen nga fshehtësia apo aksesi i privilegjuar.

Arkivi Qendror, në një shtet demokratik, modern dhe evropian, duhet të jetë institucioni që jo vetëm grumbullon e ruan, por edhe frymëzon e promovon diversitetin, aksesueshmërinë dhe transparencën për publikun.

 Zonja dhe zotërinj,

Në epokën moderne, teknologjia e ka ndryshuar mënyrën e ruajtjes dhe aksesit të informacionit. Implementimi i teknologjisë së digjitalizimit në Arkivin Shtetëror ka qenë një hap i rëndësishëm drejt ruajtjes së dokumenteve dhe lehtësimit të aksesit të publikut ndaj tyre.

Digjitalizimi jo vetëm ndihmon në ruajtjen e materialeve të çmuara nga dëmtimet fizike, por, gjithashtu, e bën më të lehtë e më të shpejtë kërkimin dhe përdorimin e tyre nga studiuesit, historianët apo publiku i gjerë.

Natyrisht, puna dhe dedikimi i arkivistëve dhe i punonjësve të Arkivit Qendror është parësore. Aftësitë e tyre shkencore lidhen me dijet historike për të kuptuar sfidat e një kombi. Nga ky dimension shkencor krijohet një marrëdhënie kulturore e intelektuale që lidh Arkivin Qendror me shoqërinë dhe forcon besimin e publikut tek ky institucion.

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen time të thellë për punonjësit e të gjitha kohërave të Arkivit Qendror Shtetëror për përkushtimin dhe dedikimin e tyre.

Ju jeni, në një farë kuptimi, rojtarët e historisë sonë!

Në mbyllje, dëshiroj të theksoj se është me rëndësi të investojmë në bujqësi, turizëm, infrastrukturë rrugore e në shumë fusha të tjera, por nuk duhet të harrojmë investimin në kujtesën kolektive, në infrastrukturën dhe burimet njerëzore të arkivave. Kjo është imperativ për kombin tonë, për shqiptarinë, për të ardhmen.

Faleminderit dhe urime për këtë përvjetor të rëndësishëm!