Presidenti i Republikës së Shqipërisë

Deklarata

Deklaratë për shtyp e Presidentit të Republikës Sh.T.Z. Bajram Begaj

Dënoj me forcë sulmin ndaj policisë së Kosovës në komunën e Leposaviqit, ku mbeti i vrarë një polic dhe u plagosën dy të tjerë.

Ky akt i organizuar kriminal është cënim i rëndë i rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me vendosmëri ndaj urdhëruesve dhe zbatuesve të këtij akti tejet të rëndë për stabilitetin e Kosovës dhe paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shpreh ngushëllimet e mia të sinqerta për familjen e policit të vrarë dhe uroj shërim të shpejtë për policët e plagosur.

Në këto momente nevojitet më shumë se kurrë qetësi, maturi dhe bashkëpunim i ngushtë me KFOR dhe aleatët.
Shqipëria është gjithmonë në mbështetje të Kosovës.