Deklaratë për shtyp e Drejtorit të Kabinetit të Presidentit të Republikës, z. Edmond Panariti

Deklaratë për shtyp e Drejtorit të Kabinetit të Presidentit të Republikës, z. Edmond Panariti

Përshëndetje dhe mirëmbrëma,

Ndoqëm sot prononcimin publik të Ministres së Financave, lidhur me projektet infrastrukturore të Fondit Saudit të Zhvillimit, në Qarkun e Vlorës.

Shpresuam te qëndrimi i pritur dhe i duhur i ministres për t’iu kërkuar ndjesë qytetarëve të Qarkut të Vlorës për ndërprerjen e investimeve, që sipas marrëveshjeve të nënshkruara duhet të kishin përfunduar një vit më parë.

Por, përkundër pritshmërive tona dhe të opinionit publik, ministrja në prononcimin e saj zgjodhi të këmbëngulte në shkeljet e kryera.

Ministrja e Financave sot u shpreh se, për marrëveshjen me Fondin Saudit të Zhvillimit nuk bëhet fjalë për një detyrim të ri.

Kultura e papërgjegjshmërisë deri në shpërdorim të karriges ministrore dhe të pushtetit, dhe kultura e pandëshkueshmrisë për këto shpërdorime, duhet të marrë fund!

Ministrja e Financave, në vend që të dilte e t’u kërkonte ndjesë qytetarëve të Qarkut Vlorë, si atyre të Bashkisë Selenicë dhe atyre të Bashkisë Vlorë, për ndërprerjen e investimeve që, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, duhet të kishin përfunduar në dhjetor 2020 dhe për vonesat e shkaktuara nga sjellja e papërgjegjshme, del dhe pranon hapur të gjitha shkeljet që ajo ka kryer.

Ministrja e Financave sot u shpreh se për marrëveshjen me Fondin Saudit të Zhvillimit nuk bëhet fjalë për një detyrim të ri, nuk bëhet fjalë për marrjen përsipër të një detyrimi të ri financiar, por, sipas saj, për një rialokim parash nga një marrëveshje e mëparshme.

Pyetja që shtrohet për zonjën ministre është: Përse kërkon të rinënshkruhet një marrëveshje e mëparshme, nëse pretendon që bëhet fjalë thjesht për një rialokim fondesh?!

Si mundet të cilësohet kjo si e njëjta marrëveshje, kur marrëveshja që është ratifikuar që në vitin 2017, është zgjidhur me kërkesë të qeverisë shqiptare me anë të një ligji të posaçëm!

Dhe ministrja e di që një marrëveshje e zgjidhur me ligj, nuk ka më fuqi juridike!

Zonja ministre, ligji kërkon në mënyrë eksplicite që të negocioni, sigloni, miratoni në parim dhe vetëm më pas të nënshkruash një marrëveshje të re, këtë e kërkon ligji.

Ministrja pretendon se kjo nuk përbën detyrim!

Por, pyetja që shtrohet për ministren është: Në cilin nen të Kushtetutës, ligjit për marrëveshjet ndërkombëtare dhe ligjit për huamarrjen shtetërore e mbështet këtë qëndrim?!

Ndërkohë që, Kryeministri dhe Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit shprehen se është negociuar!

Kryeministri dhe Drejtori i Fondit sigurisht që duhet të dinë mirë që marrëveshjet negociohen përpara se të nënshkruhen. Gjë që nuk rezulton në shkresat e Ministres së Financave, që i kapërcen këto parashikimet e ligjit, për qëllime tashmë të njohura.

Nëse ministrja e financave nuk arrin ta kuptojë se ku qëndron anti-kushtetutshmëria e veprimeve të saj, Presidenti i Republikës, në mënyrë të përsëritur, me shkresat që i ka dërguar, i ka rikujtuar nevojën e përmbushjes së detyrimeve kushtetuese dhe ligjore që prej muajit shtator. Ministrja kishte jo pak, por 3 muaj kohë të reflektonte dhe të përmbushte mangësitë e konstatuara, por megjithatë zgjodhi të vazhdojë në shkelje.

Megjithatë asnjëherë nuk është vonë.

I bëjmë thirrje edhe njëherë të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe të mos krijojë më asnjë vonesë për investimet e domosdoshme në qarkun e Vlorës!

Të paraqesë te Presidenti kërkesën dhe dokumentacionin, siç e kërkon Kushtetuta dhe Ligji, dhe Presidenti si gjithmonë, nëse dokumentacioni do të jetë i rregullt, brenda ditës, pa asnjë hezitim, do ta shqyrtojë këtë kërkesë. Ashtu sikundër, i kujtojmë dhe njëherë ministres se Presidenti nuk mund të bëhet palë në shkeljet e tyre.

Zonja ministre nxitoni të ndreqni sa më parë të metat e procesit, përpara se t’i përmendni Presidentit, siç bëtë dhe sot, precedentët!

Sa për precedentë, qartazi duket se nuk keni lexuar Autorizimin e Presidentit të Republikës, nr. 3272, datë 28.09.2020, “Për lëshimin e plotfuqisë për nënshkrim marrëveshjeje”, me të cilin Presidenti i Republikës ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë për nënshkrimin e marrëveshjes së huas ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, si huadhënës, për ndihmën makro financiare për Shqipërinë???

Sepse po ta kishit lexuar, nuk do ta përmendnit këtë në prononcimin tuaj.

Ne gjithësesi këtë do t’ua shpërndajmë, juve, mediave!

Presidenti i Republikës, shprehimisht në autorizim ka kërkuar që: Lëshimi i plotfuqisë të realizohet njëkohësisht me plotësimin e mangësive proceduriale, të evidentuara në shtojcën bashkëlidhur këtij Autorizimi dhe pjesë përbërëse e tij.

Pra, zonja Ministre, para nënshkrimit, kishit shumë detyra për të përmbushur! Me sa duket, as nuk i keni lexuar ato!

Presidenti, në momentin e lëshimit të Autorizimit për nënshkrim, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjin, por gjithashtu dhe kontekstin për të cilën po jepej kjo ndihmë, për përballimin e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, po shprehimisht ka kërkuar nga Kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme që, sipas kërkesave kushtetuese dhe ligjore:
– të marrë të gjitha masat për ndreqjen e të metave procedurale të praktikës;
– të marrë masat përkatëse ndaj personave përgjegjës sipas ligjit për këto të meta; si dhe
– të shmangë përsëritjen e defekteve të kësaj natyre në të ardhmen.

Ministrja i referohet si precedent ligjit nr.47 të vitit të kaluar, kinse për ta kapur Presidentin “në faj”.

Por, ministrja përpara se të nxitohej në deklarata të pasakta, duhet të njoftohet se: Ligji nr. 47/2020, ka ratifikuar marrëveshjen për një hua shtesë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për zhvillimin ekonomik dhe financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së Lumit të Vlorës.

Presidenti, me Autorizimin nr. 1016, datë 28.2.2020, ka autorizuar lëshimin e plotfuqisë për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që e theksoj “është marrëveshje shtesë e marrëveshjes që ishte ratifikuar me ligjin nr. 50/2016”.

I kujtojmë zonjës ministre se, vetë marrëveshja parashikonte shprehimisht në Seksionin 4.01 të saj, se: Marrëveshja e Huas së Parë do të vijojë të jetë e vlefshme dhe në fuqi. Dispozitat e Marrëveshjes së Huas së Parë rregullojnë Huanë Shtesë, sikur dispozitat në fjalë të ishin përcaktuar shprehimisht në këtë Marrëveshje.

Pra, zonja ministre, Presidenti nuk gabon se lexon drejt dhe saktë dhe respekton Kushtetutën dhe Ligjin.

Edhe për shembullin e dytë, që Ju iu referuat sot në prononcimin Tuaj për shtyp, Presidenti ka autorizuar nënshkrimin e një marrëveshjeje shtesë të marrëveshjes në fuqi, e cila as nuk është zgjidhur, as nuk ka ndryshuar termat e negociuara, të miratuara dhe hyrë në fuqi që në vitin 2016, me ligjin nr. 50/2016.

Zonja Ministre ju kujtojmë se në nenin 116 të Kushtetutës, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara me ligj, i cilëson si akte të legjislacionit të brendshëm, të cilët për nga hierarkia e akteve, vijnë menjëherë pas Kushtetutës.

Por, mbi të gjitha, duhet të theksoj se Presidenti veproi drejtë, se përmes kësaj shtese synohej objektivi i lidhjes së shumë fshatrave të lumit të Vlorës me bregdetin dhe posaçërisht ndërtimi i rrugës Gusmar-Kuç, për të mundur lidhjen sa më të shpejtë të zonës së Tepelenës me zonat e bregut.

Në përfundim të këtij komunikimi me Ju: I bëjmë thirrje dhe njëherë ministres së Financave dhe Kryeministrit, të përmbushin sa më parë detyrimet që u ngarkon Kushtetuta dhe Ligji, pa zvarritur asnjë ditë proceset e investimeve me financim të huaj.

I kërkojmë të veprojë sa më parë për plotësimin e kërkesave të ligjit, për të mos cenuar kredibilitetin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me Partnerët e saj ndërkombëtarë.