Deklaratë për mediat e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Deklaratë për mediat e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi dje projekt-rezolutën për Shqipërinë me dakordësinë e plotë të dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian, të Partive Popullore dhe të Socialdemokratëve.

Kjo rezolutë thekson edhe një herë problemet më të mëdha që ka Shqipëria përpara:

1. Bashkimi Europian e mbështet plotësisht integrimin europian të Shqipërisë, POR nuk do të bëjë asnjë kompromis apo lëshim të kushteve të vendosura më 25 mars të vitit të kaluar. Pra rruga europiane dhe e çeljes së negociatave kalon vetëm përmes plotësimit të të gjitha kushteve;

2. Zgjedhjet e 25 prillit do të jenë vendimtare që Shqipëria ose të përparojë me shpejtësi me negociatat e antëarësimit, ose të mbetet përsëri në vendnumëro, apo mos më keq të bëjë hapa prapa. Parlamenti Europian, duke mbështetur vendimin e Këshillit Europian të 25 marsit të vitit të kaluar iu kujtoi edhe një herë të gjithë shqiptarëve se krimet zgjedhore të dosjeve 184 dhe 339 nuk do të amnistohen. Me këtë paralajmërim ata japin një mesazh të qartë edhe për zgjedhjet që po vijnë: do të ketë zero tolerancë për çdo manipulim. presion, apo tjetërsim të rezultatit zgjedhor.

3. Liria e medias, e cila vazhdon të jetë nën një trysni të fortë nga pushteti e oligarkia, përbën një tjetër vijë të kuqe për Shqipërinë. Çdo tentativë për të vijuar presionin ndaj medias, dhe nëpërmjet saj ndaj zërave kritikë të qeverisjes do të penalizojë përparimin e Shqipërisë drejt Europës.

4. Përdorimi i Shqipërisë si lavatriçe e parave të krimit përmes sektorëve të ndërtimit dhe pasurive të patundshme është alarmant.

Këto dhe të tjera, rrëzojnë çdo alibi të zëdhënësve të “propagandës” se fajin e ka Europa.

U kujtoj qytetarëve se Europa se ka vënë në dispozicion të Shqipërisë një ndihmë prej 1.15 miliard Euro, si për të përballuar pasojat e tërmetit, ashtu dhe për të përballuar pandeminë me të cilën vazhdojmë të ndeshemi.

Jam i bindur se populli shqiptar vazhdon të gëzojë mbështetjen e Europes, dhe njëkohësisht është i ndërgjegjshëm, se është ai, që do t’i japë zgjidhje të gjitha problemeve por edhe pengesave të cilat na duhet t’i kalojmë vetëm përmes zgjedhjeve demokratike të 25 prillit.

Me këtë rast, duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme të zgjedhjeve që po vijnë dhe si kryekusht për të ecur me një ritëm tjetër drejt çeljes së negociatave, dje pata një takim me shoqërinë civile, ku u evidentua edhe nga ana e tyre:

– Rëndësia e zgjatjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit sa më parë, për të gjithë zgjedhësit, pasi rreth 800 000 zgjedhësve u ka skaduar afati i vlefshmërisë së dokumentit të identifikimit. Kjo u kërkua sot edhe nga Kryetari i KQZ-së, njëkohësisht u është kërkuar edhe nga ana ime, si President i Republikës edhe të gjithë institucioneve për të reaguar sa më parë.

– Nevojën e funksionimit të shpejtë dhe efikas, me zero tolerancë, të organeve të drejtësisë për të hetuar të gjitha krimet zgjedhore;

– Një shqetësim tjetër është shtimi i aktiviteteve të ndaluara nga Kodi Zgjedhor, siç janë dhënie kontratash koncesionare, tendera publikë, dorëzim lejesh legalizimesh, ligje që kanë impakt elektoral, aktivitete këto të ndaluara qartë nga Kodi Zgjedhor.

– U theksua rëndësia e miratimit sa më parë të fletës së dhe rëndësia e një fushate aktive të edukimit të zgjedhësve, të cilët ende nuk janë informuar mbi mënyrën e re të votimit, sidomos sa i përket votës preferenciale, që është një risi për fat të mirë në këto zgjedhje.