DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, SH.T.Z. ILIR META MBI NGJARJEN TRAGJIKE NË ELBASAN

DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, SH.T.Z. ILIR META MBI NGJARJEN TRAGJIKE NË ELBASAN

Të dashur gazetarë,

Këto 48 orë janë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë për 100 vitet që vijnë dhe që është një e ardhme e sigurt europiane sepse kam besim të plotë tek të gjithë qytetarët e Shqipërisë, që do tregojnë përgjegjësi maksimale e historike dhe që janë patriotë dhe e duan vendin e tyre.

Arsyeja pse jam sot përpara jush është për të dekurajuar çdo krim zgjedhor sepse është krimi zgjedhor, që prej të paktën 4 vitesh, mban peng integrimin europian të Shqipërisë dhe kërcënon seriozisht gjatë ditës së nesërme.

Veçanërisht jam para jush, për t’ju kujtuar të gjithë prokurorëve, gjyqtarëve dhe përfaqësuesve të sistemit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë, se si Kryetar i Shtetit do të jem në këtë detyrë edhe të hënën, edhe të martën, e në vijimësi, për të garantuar vazhdimësinë e shtetit dhe të ndryshimit të pushtetit, në respekt të Kushtetutës dhe të rezultatit, që do të japin qytetarët shqiptarë.

Vota e Presidentit të Republikës është e barabartë me atë të qytetarit më të thjeshtë në Vermosh apo në Konispol. Ky është i vetmi angazhim i imi për ditën e nesërme dhe ka qenë deri tani.

Ditën e djeshme, kam bërë publike qëndrimin tim si President i Republikës, lidhur me ngjarjen tragjike të ndodhur përpara 3 ditësh në datë 21 prill 2021 në Elbasan, kur për fat të keq patëm një viktimë dhe disa të plagosur.

Edhe pse po mbushen 72 orë, nga kjo ngjarje me pasoja tragjike, ende organi i Prokurorisë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, nuk kanë dhënë një version të plotë zyrtar dhe shterrues mbi këtë ngjarje që tronditi gjithë opinionin vendas dhe ndërkombëtar.

Kam ndjekur me shumë vëmendje, veprimet dhe reagimin e organeve ligjzbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike dhe që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike, përpara se të kemi ngjarje të tjera dhe që të mos kemi asnjë ngjarje tjetër. Jo viktima, jo të plagosur, por asnjë lloj lëndimi dhe fyerje ndaj njëri-tjetrit.

Edhe pse ditën e djeshme kam ngitur disa pyetje, që kërkojnë përgjigje të shpejtë, publike dhe të plota nga institucionet ligjzbatuese, sërish këto të fundit (Prokuroria dhe Policia) duket se janë në një apati dhe nuk po veprojnë në koherencë me nevojën ekstreme, që paraqet zbardhja urdhente e dinamikës së kësaj ngjarje.

Jo vetëm kaq, por për fat të keq, konstatoj se ka një vullnet të padukshëm, kokëfortë dhe kriminal, për ta shtyrë zbardhjen e kësaj ngjarjeje pas datës së zgjedhjeve, ndërkohë që ruajtja e integritetit të këtij procesi zgjedhor kërkon që kjo ngjarje të zbardhet urgjentisht, pasi provat kanë qenë, janë, në sy të të gjithëve, se kush ishin ata që nxitën dhe shkaktuan konfliktin që përshkallëzoi, në konflikt të armatosur, në mes të qytetit të Elbasanit, duke vendosur në rrezik jetën dhe shëndetin e shumë qytetarëve, si dhe integritetin e gjithë këtij procesi zgjedhor.

Prandaj si President i Republikës, për t`i thënë JO, çdo lloj veprimi që që përbën krim zgjedhor dhe për të ruajtur të pacenuar integritetin e këtij procesi, si dhe për të rikthyer urgjentisht normalitetin e zhvillimit të tij, jam këtu përpara jush për t`i përsëritur pyetjet e mia përkundrejt organeve të zbatimit të ligjit.

Në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, të cilët duan zgjedhje të lira, të qeta, paqësore dhe demokratike dhe që e paguajnë policinë dhe prokurorinë për këtë detyrë:

1. A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e këtij konflikti? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?

2. A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, “Ditën e Verës” dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?

3. A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?

4. Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe për të ndaluar të gjithë personat e përfshirë?

5. Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?

6. A ka qenë i mbuluar ambjenti publik apo ambientet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?

7. Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?

8. Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?

9. Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta, patronazhiste, brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?

10. A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?

11. A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK) të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?

Zoti Prokuror i Përgjithshëm,
Zoti Drejtues i Prokurorisë SPAK,
Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij!

Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, në emër të të gjithë popullit shqiptar, që kërkon zgjedhje të qeta, të lira dhe demokratike, ju kërkoj:

Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të dhe që sot t’ju jepni përgjigje këtyre pyetjeve!

Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor.

Çdo zvarritje, mosveprim, apo dëmtim i provave për këtë ngjarje, frymëzon më shumë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor, që është jetik dhe historik për të gjithë shqiptarët.

Çdokush që ka shkelur ligjin, pa dallim, duhet të ndëshkohet tani, sot, jo nesër, as pasnesër!

Ju keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit për ta realizuar atë tani!

——————–

Po përse Presidenti i Republikës, i ka ngritur këto pyetje dhe përse kjo ngarje duhet zbardhur tani dhe me urgjencë.

Sepse faktet na tregojnë që nëse organi i Prokurorisë, Policisë, do të kishte vepruar në kohë, edhe ngjarja e Kavajës, ku patëm një të plagosur dhe mund të kishim patur shumë viktima, por me ndihmën e Zotit u bllokua pistoleta dhe ku zyra e Partisë Demokratike u mbush gjithë gjak, edhe ngjarja e Elbasanit nuk do të kishin ndodhur.

1. Në datën 7 prill 2021, Partia Demokratike, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi përmes shkresës Nr. 52 prot, datë 07.04.2021, ka paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar, një Kallëzim Penal.

Sipas këtij materiali Kallëzues, Partia Demokratike, i ka paraqitur SPAKU, kërkesën për hetimin e 40 shtetasve të cilët në mënyrë të vazhduar ishin të angazhuar në favor të Partisë Socialiste, duke konsumuar në mënyrë të përditshme, në mes të Elbasanit, vepra penale të Krimit Zgjedhor, dhe vepra të tjera penale të lidhura me to.

Nëse do të shikoni se cilët janë emrat e shtetasve të kallëzuar, mund të evidentoni se ata janë po ato emra që janë bërë publikë se janë përfshirë në ngjarjen e 21 prillit në Elbasan.

2. Por çfarë ndodhi? Prokuroria SPAK, në vend që të fillonte menjëherë hetimet mbi këtë çështje, pasi siç u pa qartë, se janë po të njëjtët shtetas që shoqëronin Kryeministrin dhe deputetët e Qarkut Elbasan në “Ditën e Verës”, vetëm pas 8 ditësh, përmes shkresës nr. 314/1 Prot/MK, datë 15.04.2021, ia ka përcjellë këtë kallëzim për kompetencë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

3. SPAKU-t iu deshën 8-ditë, që vetëm ta përcillte për hetime në Elbasan, ndërkohë që referuar kallëzimit dhe faktit se për kë po punonin këta çunat problematikë, ishte e qartë se ky material kallëzues, duhet të hetohej nga SPAK dhe jo nga Prokuroria e Elbasanit.

4. Ajo që është edhe më e turpshme, është fakti që kjo shkresë e SPAK-ut, që mban datën 15 prill 2021, është bërë hyrje në Prokurorinë e Elbasanit me Nr. 721 prot., datë 19.04.2021.

Kështu thotë shkresa Nr.3640 Prot, datë 20.04.2021 e Prokurorisë së Elbasanit. Kësaj të fundit, apo SPAK-ut, i janë dashur 4 ditë, vetëm për ta protokolluar/administruar këtë kallëzim.

5. Edhe më keq akoma, Prokuroria e Elbasanit, që është në një konflikt të thellë interesi për zgjedhjet, përmes shkresës Nr. 3640 prot, datë 20.04.2021, ka thirrur zotin Gazmend Bardhi si përfaqësues të Kallëzuesit, për të dhënë shpjegime duke i caktuar atij të paraqitet në datë 30 prill 2021, ora 10.00.

Pra pas 10-ditësh.

Duket qartë se, Prokuroria SPAK, Prokuroria Elbasan, kanë bërë çmos, që personat e Kallëzuar nga Partia Demokratike për krime zgjedhore, të mos hetohen përpara fushatës, përpara zgjedhjeve, duke i krijuar me qëllim terren për të zhvilluar aktivitetin e tyre kriminal zgjedhor në favor të partisë në pushtet.

Për shkak të këtyre vonesave të qëllimshme, të pajistifikueshme, të papërgjegjme, kriminale dhe moskryerjes së hetimeve në kohë, një ditë më pas, në datë 21 prill 2021, ndodhi edhe konflikti i armatosur, i nxitur nga po të njëjtët njerëz që ishin kallëzuar nga Partia Demokratike.

Çfarë provojnë këto fakte?

Provojnë se, nëse Prokuroria SPAK do të kishte vepruar në kohë dhe pa asnjë vonesë, këta 40 persona që PD kishte kallëzuar, do të ishin në burg, por nuk do të kishim asnjë viktimë dhe asnjë të plagosur dhe do të ishte shumë më i qetë Elbasani dhe e gjithë Shqipëria.

Nëse Prokuroria SPAK, Prokuroria Elbasan do të kishin hetuar këtë kallëzim në kohë, ngjarja e datës 21 prill nuk do të kishte ndodhur.

Kjo është e vërteta, e fakteve, jo e Presidentit, jo e Opozitës,

E gjithë bota është alarmuar mbi atë që ka ndodhur në Shqipëri para katë vitesh, para dy vitesh me zgjedhjet e paligjshme vendore, me ngjarjet që kanë ndodhur tani, ndërkohë që organet tona ligjzbatuese nuk reagojnë në kohë, por vazhdojnë “ping-pong”-un e dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës.