Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 8278

Deklarata

DEKLARATË E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, SH. T. Z. BAJRAM BEGAJ

Përshëndetje dhe faleminderit,

I nderuar miku im, Presidenti Radev!

Së pari, dëshiroj që edhe një herë të shpreh mirënjohjen për ftesën dhe mikpritjen e ngrohtë e shumë miqësore që rezervuat për mua dhe delegacionin që më shoqëron!

Ndjekja së bashku e koncertit të mbrëmshëm, si një bashkëpunim i shkëlqyer midis Teatrit të Operas së Varnës dhe Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Shqipërisë, si dhe takimet e sotme, e bënë mikpritjen shumë të veçantë e të paharrueshme.

Ashtu siç u shpreha edhe në takimet e sotme me Presidentin Radev, dëshiroj të nënvizoj sërish se vizita ime në Bullgari demonstron shumë qartë marrëdhëniet shumë të mira e miqësore midis dy vendeve tona.

Viti që po lëmë pas korrespondon edhe me 110-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, të cilat, pavarësisht zhvillimeve të ndryshme gjeopolitike, në thelb kanë pasur ndjenjat e miqësisë reciproke.

Në themel të këtyre vlerave të përbashkëta evropiane dhe Euroatlantike, sot qëndrojnë: Traktati Dypalësh i Miqësisë dhe Bashkëpunimit; si dhe të qenit anëtarë e partnerë në NATO.

Në këtë kuadër nënvizova vullnetin dhe interesin e palës shqiptare për të punuar ngushtë me Bullgarinë, si në aspektin dypalësh, dhe në kuadër të procesit të integrimit evropian, edhe në atë shumëpalësh.

Shpreha mirënjohje për ndihmën që Bullgaria dhe Presidenti Radev i dhanë Shqipërisë për kapërcimin e pasojave dhe dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të 26-nëntorit të vitit 2019 dhe për përballimin e pandemisë COVID-19. Vlerësova solidaritetin që Presidenti Radev demonstroi gjatë vizitës së tij në zonat e prekura nga tërmeti, në mars të vitit 2020.

IMG 8263

Vlerësova se marrëdhëniet tradicionalisht miqësore i dedikohen edhe pranisë së minoriteteve respektive shqiptare dhe bullgare në vendet tona. Mbështetja e tyre për ruajtjen, promovimin dhe trashëgimin e gjuhës, historisë, traditave e kulturës, është në interesin tonë të përbashkët.

Mirënjohje shpreha edhe për projektet zhvillimore e infrastrukturore të mbështetura nga Bullgaria në rajonin Juglindor të Shqipërisë.

Një vëmendje të veçantë i kushtuam bashkëpunimit dypalësh, ku përtej marrëdhënieve shumë të mira politike, nënvizova nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë ekonomik të shkëmbimeve tregtare.

Bullgaria ka qenë dhe mbetet një partner ekonomik tradicional për Shqipërinë dhe sot janë të gjitha kushtet e mundësitë, si prej kuadrit ligjor dhe klimës së favorshme të biznesit, ashtu edhe të interesit të përbashkët, që ky bashkëpunim të fuqizohet akoma më shumë.

Bullgaria renditet sot si partneri i gjashtë i rëndësishëm për sa i përket totalit të investimeve të drejtpërdrejta në Shqipëri, dhe i dyti nga vendet e rajonit të Evropës Juglindore.

Sesioni i ardhshëm i Komisionit të Përbashkët Ekonomik do t’i adresojë me shumë kujdes dhe mirë të gjitha mundësitë dhe t’i vërë në lëvizje të gjithë mekanizmat përkatës.

Një vlerë e shtuar në këtë drejtim, dhe që duhet shfrytëzuar sa më mirë, është dhe projekti gjeostrategjik i Korridorit 8-të, për të cilin shpreha mirënjohjen për lobimin domethënës të Bullgarisë në përfshirjen e tij në rrjetin e transportit Trans-Evropian.

Në kuadër të integrimit evropian vlerësoj se me Bullgarinë ndajmë të njëjtën qasje, se Ballkani Perëndimor është një investim strategjik për Bashkimin Evropian dhe se procesi i zgjerimit duhet të vijojë me vendosmëri.

Integrimi evropian për Shqipërinë është projekti më madhor dhe strategjik.

Kushtet aktuale të sigurisë së kontinentit tonë pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë janë bërë shumë delikate, ndaj dhe vlerësova se fokusi gjeopolitik i Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë një ndër prioritetet kryesore të tij.

Vlerësova mbështetjen konsekuente dhe të spikatur të Bullgarisë në këtë drejtim dhe shpreha besimin se kjo mbështetje do të vijojë edhe përgjatë gjithë procesit të negociatave të aderimit, ndërsa lidhur me bashkëpunimin rajonal vlerësova rolin dhe kontributin e Bullgarisë për iniciativat e ndryshme rajonale, ku të dyja vendet tona janë anëtare, si dhe mbështetjen që i ka dhënë Procesit të Berlinit.

Një vlerësim të veçantë e bëra për mbështetjen që Bullgaria i ka dhënë Kosovës, që ajo të bëhet pjesë e organizatave të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare, si një kontribut i vyer për paqen dhe stabilitetin e rajonit në tërësi.

Gjithashtu, siguria, mbrojtja sociale dhe bashkëpunimi në fushat e bujqësisë, turizmit, arsimit dhe kulturës, ishin në vëmendjen të diskutimeve tona.

Lidhur me mbrojtjen sociale, shpreha besimin se shumë shpejt do të mbyllen procedurat e brendshme nga të dyja vendet dhe do të bëhet e mundur hyrja në fuqi e marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen sociale, me një ndikim shumë pozitiv për shtetasit shqiptarë e bullgarë, që jetojnë e punojnë në vendet tona respektive.

Për sa i përket bashkëpunimit në kuadër të mbrojtjes dhe të sigurisë, ato tashmë janë të konsoliduara në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO-s. Nesër do të shkoj për një vizitë edhe tek trupat ushtarake shqiptare, që janë të stacionuara në Novo Selo, si pjesë e projektit të NATO-s “Enhance Vigilant Activity”.

Shfrytëzova rastin dhe shpreha mirënjohjen për kontributin e gjatë dhe cilësor të Bullgarisë në kuadër të trupave të KFOR-it në Kosovë, si dhe rolin e luajtur për paqen dhe stabilitetin e rajonit të Evropës Juglindore në tërësi, por jo vetëm.

Sigurisht që jashtë vëmendjes sonë nuk do të mbetej ndikimi i agresionit ushtarak rus në Ukrainë për sigurinë në tërësi dhe atë energjetike në veçanti, por edhe ndihma e nevojshme për Ukrainën, për të ruajtur integritetin dhe sovranitetin e saj territorial.

Në këtë kuadër, e njohja Presidentin Radev me kontributin e dhënë nga Shqipëria gjatë 2 vjetëve të fundit në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, si vend anëtar jo i përhershëm.

Dhe në fund, por jo për nga rëndësia, gjatë bashkëbisedimeve të sotme ndamë mendime edhe për zhvillimet e ndryshme politike në rajonin tonë, të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian, interesin dhe influencën e aktorëve të tretë, si dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Faleminderit, i nderuar President!