Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 0601

Deklarata, Lajme

Deklaratë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, në kuadër të konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Sh. T. Z. Zoran Milanoviç

Përshëndetje !

Së pari, dëshiroj edhe njëherë ta falënderoj Presidentin e Republikës së Kroacisë, mikun tim dhe të shqiptarëve, zotin Zoran Milanoviç që pranoi ftesën dhe na nderoi me praninë e tij në Shqipëri.
Ndihem i lumtur të mirëpres Presidentin Milanoviç, Zonjën e Tij, si dhe delegacionin që e shoqëron. Kjo vizitë më jep mundësinë që sipas traditës së mikpritjes shqiptare, t’i kthej nderimin që më bëri gjatë vizitës sime shtetërore në Kroaci.
Kjo vizitë është në vijim të vizitave të shumta të shkëmbyera gjatë këtij viti, në nivelet më të larta midis dy vendeve, që dëshmojnë qartë vullnetin dhe interesin e përbashkët për ta intensifikuar edhe më shumë dialogun politik, si dhe për t’i zgjeruar edhe më shumë marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona.
Vizita e Presidentit Milanoviç në Tiranë, vjen në një moment kyç, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuese aktive dhe faktorë të rëndësishëm e të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Zhvilluam një bisedë të gjatë e shumë miqësore, ku vlerësuam bashkëpunimin e shkëlqyer politik dhe ndamë opinione mbi mundësitë e reja të bashkëpunimit dypalësh, me fokus të veçantë bashkëpunimin ekonomik.
Vlerësova se në marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve tona një rol të veçantë kanë luajtur Arbanasit e Zarës dhe diaspora e re shqiptare në Kroaci.
E falënderova Presidentin Milanoviç për mbështetjen shumë domethënëse, që ai personalisht dhe institucionet kroate, i kanë dhënë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Nënvizova, se Kroacia mbetet për ne një model për t’u ndjekur në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

Duke iu referuar procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, nënvizova se zhvillimet aktuale gjeopolitike e kanë bërë tashmë domosdoshmëri strategjike këtë proces. Në këtë kuadër shpreha besimin se, Kroacia do të vijojë të mbështesë fort procesin e zgjerimit.

E sigurova Presidentin Milanoviç, se Shqipëria mbetet një partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, veçanërisht në kuadër të politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Gjithashtu, përtej bashkëpunimit të shkëlqyer politik, një vëmendje të veçantë ia kushtuam nevojës së intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Të dhënat tregojnë për një prirje optimiste, por që duhen më tepër përpjekje të përbashkëta për t’i nxitur e inkurajuar më shumë shkëmbimet ekonomike e tregtare midis dy vendeve.

Rinënvizova nevojën për një ndërlidhje më të mirë mes dy vendeve, në dobi jo vetëm të dy shteteve tona por edhe të rajonit, si një nga objektivat edhe të Procesit të Berlinit. Vendosja e një linje ajrore direkte mes dy kryeqyteteve, Tiranës dhe Zagrebit, si dhe ndërlidhja e transportit të pasagjerëve mes porteve kryesore të të dy vendeve, do të kishin impakt të rëndësishëm ekonomik, veçanërisht në fushën e turizmit.
Vlerësova gjithashtu, se falë eksperiencës dhe ekspertizës kroate në fushat e turizmit, energjetikës, infrastrukturës e bujqësisë mund të bëhet më shumë për të nxitur investimet në këto fusha.

Përshëndeta marrëveshjet më të fundit të arritura midis dy vendeve, atë të sigurimeve shoqërore dhe në fushën e shëndetësisë, të cilat rrisin mbështetjen dhe sigurinë sociale e shëndetësore për shtetasit tanë.

Po kështu, shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Kroacia i bëri kandidaturës shqiptare për një vend në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, për periudhën 2024 – 2026. E sigurova mikun tim Zoran për përkushtimin e Shqipërisë në përmbushjen e kësaj përgjegjësie të re ndërkombëtare.

Gjithashtu, i konfirmova Presidentin Milanoviç, mbështetjen e Shqipërisë për kandidaturën e Kroacisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2030-2031, duke e falënderuar për mbështetjen që Kroacia i dha Shqipërisë në këtë post për periudhën 2022-2023.

Lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, vlerësova se Shqipëria dhe Kroacia kanë një rekord shumë të mirë në këtë drejtim, veçanërisht përsa i përket trajtimit të minoriteteve, një model që duhet ndjekur edhe nga vendet e tjera të rajonit.

Në këtë kuadër, e njoha Presidentin Milanoviç me problematikat me të cilat përballet minoriteti shqiptar në Luginën e Preshevës, duke nënvizuar se shqiptarët atje kanë të gjithë të drejtën që të trajtohen sipas standardeve evropiane, ashtu siç trajtohen edhe minoritetet në vendet tona apo në Kosovë.

Sigurisht, një vëmendje shumë të veçantë i kushtuam zhvillimeve rajonale. Dënuam ngjarjet dramatike në veriun e Kosovës dhe sulmin terrorist e kriminal ndaj policisë në Banjskë më 24 shtator.

I shpreha shqetësimin mikut tim lidhur me përgatitjet dhe armatimimin e rëndë ushtarak të përdorura nga grupi terrorist. Nënvizova nevojën e rritjes së presionit nga ana e Bashkimit Evropian për përfundimin e hetimeve dhe nxjerrjen e përgjegjësive, me ndikim të drejtpërdrejtë për paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit.

Nënvizova gjithashtu, se pas akteve të fundit terroriste të Hamasit ndaj Izraelit bëhet edhe më e domosdoshme, që Bashkimi Evropian dhe NATO të dekurajojnë me vendosmëri qasjen provokative të Serbisë ndaj Kosovës.

E vlerësova shumë mbështetjen që Kroacia i jep Kosovës, si dhe thirrjen e përsëritur që Presidenti Milanoviç ka bërë për njohjen ndërkombëtare, pranimin në NATO dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të saj.

Ndamë mendimin, se dialogu mbetet e vetmja rrugë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, deri në njohjen e tyre reciproke. Në këtë aspekt nënvizova, se që prej sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, gjërat nuk janë më si më parë dhe nga mediatorët e këtij dialogu duhet të ketë një qasje të re.

Në mbyllje dëshiroj ta falënderoj edhe njëherë Presidentin Milanoviç për pranimin e ftesës dhe i uroj, që së bashku me Zonjën e Parë dhe delegacionin që e shoqëron, të kenë një qendrim sa më të këndshëm në Shqipëri.

Faleminderit dhe fjala për ju Zoran!