02/07/2024• Deklarata, Lajme• Bianka Hada
Sot pata kënaqësinë dhe privilegjin të pritesha në një takim të përzemërt dhe miqësor nga Presidenti polak Duda, të cilin e falënderoj nga zemra për pritjen e ngrohtë që u rezervua për mua dhe delegacionin shqiptar.
Si President i një vendi që iu bashkua Aleancës Euroatlantike 15 vite më parë dhe 3 dekada më parë doli nga izolimi komunist, është një kënaqësi e veçantë dhe koincidencë domethënëse që vizita ime bëhet në vitin kur ju kremtoni 25-vjetorin e anëtarësimit në NATO, 20-vjetorin e anëtarësimit në BE dhe 35-vjetorin e ndryshimit të madh demokratik në Poloni.
Takimi i sotëm është tregues i bashkëpunimit shumë të mirë politik mes dy vendeve tona. Unë vij sot këtu pas vizitës së suksesshme të Presidentit Duda në Tiranë vetëm pak më shumë se një vit më parë.
Më lejoni të them që në krye të herës se kryefjala e bashkëbisedimit tonë edhe në takimin e sotëm ishte dakortësimidhe konsolidimi i vullnetit të përbashkët për një bashkëpunim më të ngushtë në një seri temash të rrafshit dypalësh, por edhe për zhvillimet rajonale apo kërcënimet globale.
Bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Polonisë bazohet në një traditë miqësie të hershme dhe mbështetet në marrëdhënie të një partneriteti që thellohet gjithnjë e më shumë jo vetëm si dy vende anëtare në NATO, por edhe si dy vende që ndajnë vlera të përbashkëta evropiane dhe kanë interesa strategjike të njëjta.
Ramë dakord që marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ekzistues të nxitet dhe zgjerohet më tej në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Në veçanti, bashkëpunimi ekonomik duhen ngritur në nivelin e bashkëpunimit shumë të mirë politik.
Në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar ka disa arritje premtuese si: fluturimet direkte Tiranë – Varshavë dhe fakti që gjatë vitit 2023 Shqipëria priti rreth 40% më shumë turistë polakë se 1 vit më parë.
Shqipëria mbetet plotësisht e interesuar të presë më tepër investime direkte me origjinë polake në fushën e infrastrukturës, transportit, bujqësisë, turizmit, inovacionit, zhvillimit të burimeve natyrore, energjisë së rinovueshme, sistemit hekurudhor, etj. Shqipëria ka një ekonomi dinamike dhe me rritje të shpejtë, monedhë të qëndrueshme dhe inflacion nën kontroll, si dhe një sektor bankar të shëndetshëm.
Shqipëria i është shumë mirënjohëse Polonisë për përkushtimin e saj të vazhdueshëm dhe solid për të integruar Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht Shqipërinë në Bashkimin Evropian. Agresioni dhe lufta e padrejtë e Rusisë kundër Ukrainës bëri që BE-ja të kuptojë se mjeti i saj më efikas gjeopolitik, i cili shënohet si një nevojë gjeostrategjike imperative, është politika e zgjerimit.
Ne e shohim më shumë optimizëm dhe entuziazëm marrjen e Presidencës së Këshillit Evropian në fillim të vitit 2025 nga ana e Polonisë. Jemi të bindur se Polonia do të lehtësojë më shumë përparimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Ne vlerësojmë se Presidenca e Polonisë do të shënojë një moment të rëndësishëm në nxitjen dhe përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të vazhdueshme, të cilat, siç folëm gjatë takimit, asnjëherë dhe në asnjë rast nuk duhet të ndikojnë apo komprometojnë të ardhmen Euroatlantike të rajonit. Në këtë drejtim, roli dhe angazhimi i Polonisë mike mbetet i rëndësishëm, duke kontribuar direkt për paqen dhe stabilitetin rajonal e më gjerë. Lufta në Ukrainë, ndikimi i aktorëve të tretë apo retorikat nacionaliste e separatiste që vijnë nga rajoni duhet të përballen me një bashkëpunim të ngushtë, ku e ardhmja evropiane do të jetë udhërrëfyesi për të ardhmen tonë të përbashkët në paqe, siguri dhe prosperitet.
E vlerësoj së tepërmi kontributin e Polonisë në drejtim të forcimit të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, qoftë në kuadër të KFOR-it në Kosovë apo Althea në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Po ashtu, njohja e pavarësisë së Kosovës ka qenë një vendim me rëndësi gjeostrategjike për rajonin e më gjerë. Në kushtet kur tashmë është bërë një hap pozitiv, të cilin e përshëndes, i vendosjes së marrëdhënieve në fushën konsullore, gjykoj se po i të njëjtës rëndësie strategjike mbetet vendosja e marrëdhënieve të plota diplomatike me Kosovën, si dhe anëtarësimi i saj në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n.
Lufta në Ukrainë, si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë, mbetet një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Evropë e më gjerë. Shqipëria vazhdimisht dhe pa ekuivok ka shprehur solidaritetin e plotë ndaj Ukrainës dhe ka theksuar mbështetjen e palëkundur dhe të vazhdueshme për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të saj brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Njëkohësisht, e vlerësova rolin dhe kontributin e Polonisë dhe i shpreha Presidentit Duda solidaritetin dhe mbështetjen time të plotë.
Është jetike për sigurinë tonë të përbashkët që të shtojmë dhe të ruajmë mbështetjen për Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. Mbështetja e Ukrainës nuk është bamirësi. Është një investim në sigurinë e përbashkët, në të tashmen dhe të ardhmen tonë. Ne besojmë se e ardhmja e Ukrainës qëndron brenda familjes Euroatlantike dhe mbështesim synimin e Ukrainës për t’u bërë anëtare e NATO-s sa më shpejt që ta lejojnë kushtet.
Shqipëria disa muaj më parë bashkëorganizoi me Ukrainën në Tiranë Samitin Ukrainë-Evropa Juglindore, nga ku vendet pjesëmarrëse përsëritën mbështetjen e palëkundur për Ukrainën, duke dënuar me termat më të fortë agresionin e padrejtë dhe të paprovokuar rus.