Presidenti i Republikës së Shqipërisë

IMG 5199

Deklarata

DEKLARATA PËR SHTYP ME RASTIN E VIZITËS SHTETËRORE TË PRESIDENTES SË SLLOVENISË NË SHQIPËRI

E nderuar, zonja Presidente, Pirc Musar,

E dashur mike, Nataša,

Zonja dhe zotërinj,

Kam nderin dhe kënaqësinë e veçantë të mikpres për vizitë Presidenten e Sllovenisë, zonjën Nataša Pirc Musar.

Një vit më parë pata rastin të vizitoja vendin tuaj të mrekullueshëm.

Duke ju falënderuar për mikpritjen, lejomëni, zonja Presidente, e nderuar mike, t’ju uroj mirëseardhjen Juve dhe delegacionit Tuaj në tokën e Zotit dhe të mikut, siç ne e quajmë Shqipërinë!

Shqipëria dhe Sllovenia gëzojnë një miqësi tradicionale dhe zhvillojnë marrëdhënie shumë të mira, të cilat bazohen jo vetëm në interesa të përbashkëta dypalëshe dhe rajonale, por edhe në vlera të përbashkëta dhe partneritete strategjike, sidomos në kuadër të NATO-s dhe të perspektivës së përbashkët evropiane.

Shqiptarët që jetojnë në Slloveninë mike janë një garanci e shtuar e bashkëpunimit tonë të suksesshëm të sotëm dhe në të ardhmen.

Dëshiroj t’ju falënderoj për mbështetjen e çmuar dhe të vazhdueshme që Sllovenia ka treguar për procesin e zgjerimit evropian të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi  dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në veçanti.

Roli juaj në kuadër të Miqve të Ballkanit Perëndimor është një prej dëshmive të shumta.

“Zgjerimi 2030”, që doli si produkt i Forumit Strategjik të Bledit, është një provë tjetër konkrete e mbështetjes suaj.

Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë fort për ta bërë realitet këtë plan.

Bashkëpunimi në NATO ka qenë shumë i mirë dhe, në këtë kontekst, dëshiroj të shpreh vlerësimin tim.

E vlerësoj në veçanti kontributin e Sllovenisë për pjesëmarrjen në trupat e KFOR-it në Kosovë, për rolin që luan Sllovenia dhe Shqipëria për paqen dhe sigurinë në rajon.

Shqipëria është një zë i fuqishëm i integrimit Euroatlantik të rajonit. Si shqiptarë,  një popull historikisht paqedashës, ne jemi  të interesuar për një rajon në paqe, të zhvilluar, me sytë nga Evropa dhe të integruar në rajon dhe në BE.

Konstatoj me kënaqësi se Shqipëria dhe Sllovenia marrin pjesë aktive në nisma dhe forume rajonale, nga të cilat, më lejoni të veçoj Forumin e Bledit, procesin e Brdo-Brijuni-t dhe atë të Berlinit.

Në veçanti, roli i Sllovenisë nëpërmjet Forumit të Bledit dhe Procesit të Brdo-Brijuni është me rëndësi për ne, sepse këto dy platforma vazhdojnë të mbështesin dhe kontribuojnë në perspektivën evropiane të rajonit tonë.

Me rëndësi ka qenë njohja e Kosovës nga Sllovenia, një nga shtetet e para që hodhi një hap të tillë.

Kjo tregon jo vetëm maturi strategjike, por edhe largpamësi në njohjen e realiteteve të reja.

Nga ana tjetër, është vlerësim për popullin e Kosovës dhe faktorin shqiptar që ka kontribuar gjithnjë për paqen, harmoninë dhe sigurinë e rajonit tonë.

Pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm dhe i panegociueshëm.

Shqiptarët e rajonit janë faktor stabilizues dhe kontribuues në rajon e me orientim Euroatlantik. Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë në NATO. Kosova është drejt proceseve integruese Euroatlantike.

Por, Ballkani Perëndimor mbetet ende një rajon vulnerabël nga aktorët që frymëzohen nga e kaluara për të projektuar një të ardhme që është larg Evropës dhe vlerave demokratike.

Agresioni i padrejtë rus ndaj Ukrainës është një sinjal alarmi se sa të kujdesshëm dhe bashkëpunues duhet të jemi për të zvogëluar mundësitë  dhe rreziqet nga këta aktorë.

Bashkëpunimi i shkëlqyer politik duhet të reflektohet edhe në bashkëpunimin ekonomik.

I vlerësoj zhvillimet pozitive në këtë fushë gjatë 5 viteve të fundit, por ka mundësi edhe për më shumë.

Shqipëria mirëpret investime direkte sllovene.

Ekonomia jonë është dinamike dhe në rritje.

Ftoj sipërmarrësit sllovenë të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në sektorët e turizmit, financës, bujqësisë, teknologjisë së informacionit, energjisë dhe shumë fusha të tjera.

Gjithashtu, duhet të rrisim kontaktet mes qytetarëve tanë.

Një linjë ajrore direkte midis Lubjanës dhe Tiranës do të ishte një mundësi e mirë, jo vetëm për shtimin e kontakteve direkte, por edhe për rritjen e numrit të turistëve që vizitojnë vendet tona.

Turizmi në veçanti është një fushë nga e cila ne mund të mësojmë shumë prej jush.

Në këmbim, sllovenët do të mund të shijojnë më tepër bukuritë malore dhe bregdetare të Shqipërisë.

Në përfundim, do të dëshiroja të nënvizoja se bashkëpunimi midis dy vendeve tona është shumëdimensional dhe përfshin shumë fusha me interes të ndërsjellë, të cilat kanë në qendër nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të dy vendeve tona.

Sllovenia mbetet një vend mik dhe marrëdhënien që kemi le ta kultivojmë më shumë, në të mirë të qytetarëve tanë.

Dëshiroj t’ju uroj suksese në pjesëmarrjen e Sllovenisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara për periudhën 2024-2025, vend të cilin Shqipëria e la vetëm para disa muajve.

Po ashtu, jam shumë i kënaqur që në ditën e dytë të vizitës Suaj zyrtare do të keni mundësinë të vizitoni edhe pjesë të mrekullueshme të natyrës dhe bregdetit të Shqipërisë.