25/03/2025• Deklarata• Bianka Hada
I nderuar President Van der Bellen,
I dashur Alexander,
Më vjen mirë që ju e quajtët Evropa, jo Bashkimi Evropian, por ju siguroj se vetëm Austria e konsideron Ballkanin Perëndimor si Evropë Juglindore. Shqipëria ka qenë pjesë e Evropës, është pjesë e Evropës dhe besoj në të ardhmen do të jetë pjesë e Unionit.
Ndihem i nderuar që vizitoj sot Austrinë, një vend historikisht mik i Shqipërisë, dhe dëshiroj t’ju falënderoj thellësisht nga zemra për mikpritjen e rezervuar ndaj meje dhe delegacionit që më shoqëron!
Ekzaktësisht dy vite nga vizita juaj e suksesshme në Tiranë në vitin 2023, ritakohemi në Vjenë me angazhimin e plotë për të nxitur më tej bashkëpunimin dhe marrëdhëniet tona e për të pasuruar më shumë miqësinë midis dy vendeve dhe popujve tanë.
Jam i lumtur që sot patëm një takim të përzemërt dhe shumë miqësor. Ky është edhe tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe popujve tanë, jo vetëm për rikonfirmimin e miqësisë tradicionale, por edhe për dakordësimin për çështje të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian apo të bashkëpunimit dypalësh dhe sfidave të Ballkanit Perëndimor.
Shqipëria dhe Austria kanë një marrëdhënie të veçantë, që shkon shumë pas në histori. Kjo marrëdhënie ka qenë vendimtare në momente kyçe të historisë së shtetit shqiptar, krijimi i të cilit erdhi edhe falë kontributit të Austrisë mike.
Sot, dy vendet tona vijojnë traditën duke patur marrëdhënie të shkëlqyera. Marrëdhëniet tona përbëjnë një partneritet që forcohet dita ditës.
Presidentit Van der Bellen i shpreha vlerësimin për kontributin e tij të veçantë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve tona në të gjitha dimensionet.
Ne kemi një dialog politik të shkëlqyer, duke ndarë të njëjtat interesa strategjike dhe duke ruajtur vlerat e përbashkëta Euroatlantike.
Me Presidentin Van der Bellen diskutuam për rolin e pamohueshëm të Austrisë në Shqipëri dhe në rajon. Ne duhet të mundësojmë që këto interesa strategjike të reflektohen në veprime të përbashkëta për një të ardhme të një Shqipërie të zhvilluar, një Shqipërie anëtare në Bashkimin Evropian, një Ballkan Perëndimor të sigurt, paqësor dhe të integruar në Bashkimin Evropian, dhe një rajon larg ndikimit të aktorëve të tretë.
Gjatë bashkëbisedimit shpreha kënaqësinë për bashkëpunimin shumë të mirë ekonomik, por që ka ende mundësi të pashfrytëzuara.
Austria mbetet një investitor kyç në Shqipëri, veçanërisht në sektorin bankar, energjetik dhe të infrastrukturës.
Më lejoni të shpreh falënderimet e mia për investimet e deritanishme, por njëkohësisht të ftoj investitorët austriakë të konsiderojnë edhe sektorë të tillë të tjerë, si: turizmi, bujqësia dhe industria e përpunimit ushqimor, digjitalizimi, ambienti apo pylltaria, dhe zhvillimi i gjelbër.
E falënderova Presidentin për ndihmën financiare afatgjatë të qeverisë austriake nëpërmjet Strategjisë së Përbashkët të Bashkëpunimit për Zhvillim.
I jemi mirënjohës Austrisë mike veçanërisht për ndihmën në reformën në drejtësi, zbatimin e politikave kombëtare antikorrupsion dhe mbështetjen e procesit të vettingut në sistemin e drejtësisë.
Vlerësojmë, gjithashtu, ndihmën e Austrisë për zgjerimin e shërbimeve të ndihmës juridike falas nëpërmjet hapjes dhe rivitalizimit të qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore.
Nuk mund të lë pa përmendur turizmin. Shqipëria ka një zhvillim të viteve të fundit të turizmit, që është shumë i çmuar, dhe në këtë zhvillim vlerësoj qytetarët austriakë që çdo vit zgjedhin për ta vizituar si destinacion turistik.
Pata rastin të falënderoj, gjithashtu, Presidentin Van der Bellen dhe qeverinë austriake për kontributin, si një nga donatorët më të rëndësishëm që mbështesin ndër vite reformën e sistemit të arsimit dhe formimit profesional në vendin tim.
Ju përmendët, i dashur President, Shkollën Teknike Profesionale në Shkodër. Ju siguroj se tashmë ata nxënës, të cilët ju patën thënë se pasi të mbarojnë shkollën do të vijnë të punojnë në Austri, e kanë rikonsideruar këtë, duke parë zhvillimet e fundit në Shqipëri, zhvillimin e Shqipërisë, zhvillimin ekonomik. Mendojnë se duke qëndruar në Shqipëri mund të arrijnë të njëjtat rezultate ekonomike si në Austri, për faktin se duke ndenjur në shtëpinë e tyre, duke ndenjur në ambientin e tyre, do të gëzojnë edhe të mirat e shkollimit të tyre. Gjithsesi, shembulli i shkollës së mesme profesionale në Shkodër është shembull model për t’u ndjekur nga qytetet të tjera të Shqipërisë. Ju siguroj se Tirana, po ashtu edhe Saranda, kanë filluar të hapin shkolla profesionale.
Po ashtu, dua të përmend edhe bashkëpunimin midis universiteteve. Prej 30 vitesh kemi bashkëpunim midis universitetit të Shkodrës dhe universitetit të Grazit. Po ashtu, së fundi, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin BOKU të Vjenës.
I jemi mirënjohës shumë Austrisë, gjithashtu, edhe për një lehtësim burokratik, që duket i thjeshtë në terma teknikë, atë të njohjes së licencës së drejtimit të automjeteve, por është një gjë shumë e prekshme nga ana praktike, pasi njerëzit nuk kanë më nevojë të japin provimet respektive, por validitohet e njëjta licencë edhe në Austri apo në Shqipëri. Shumë faleminderit për këtë arritje!
Në takimin e sotëm ne biseduam edhe për integrimin në Bashkimin Evropian të Shqipërisë, i cili mbetet një prioritet shumë i rëndësishëm strategjik, dhe jam i lumtur që gjeta mirëkuptimin e Presidentit Van der Bellen.
Shqipëria ka ecur me shpejtësi dy vitet e fundit. Bazuar në progresin tonë, ne jemi shumë optimistë për të hapur brenda këtij viti të gjithë grup-kapitujt dhe, po ashtu, në objektivin tonë kombëtar për anëtarësim në vitin 2030.
Pavarësisht se anëtarësimi do të marrë kohën e vet, ne jemi shumë të bindur, sepse më shumë rëndësi ka procesi, i cili transformon shoqërinë, transformon mirëqeverisjen, ekonominë dhe sjell përfitime direkte për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Një lajm i mirë, siç e përmendi edhe Presidenti Van der Bellen, për Shqipërinë është edhe organizimi i takimit të radhës së Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë, një takim që për ne është shumë i rëndësishëm dhe besoj se do ta kryejmë me shumë sukses më 16 maj të këtij viti.
Shqipëria vlerëson lidershipin e Austrisë në procesin e besueshëm të përshpejtimit të zgjerimit në Bashkimin Evropian, duke siguruar që vendet kandidate të marrin përfitime konkrete gjatë rrugës së integrimit.
Këtu unë shpreh vlerësimin tim për Presidentin, qeverinë dhe parlamentin austriak për angazhimin dhe riafirmimin e tyre të vazhdueshëm të mbështetjes së Austrisë për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, qoftë nëpërmjet deklaratave publike, qoftë edhe nëpërmjet angazhimeve të nivelit të lartë.
Reflektimi i këtij angazhimi është edhe inicimi nga ana e Austrisë i grupit diplomatik “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që është një koalicion që synon forcimin e angazhimit të Bashkimit Evropian për rajonin.
Gjatë takimit të sotëm pata rastin të vlerësoja vizionin strategjik të Austrisë për ta mbajtur Ballkanin Perëndimor të ankoruar fort në rrugën evropiane.
Kjo do të prodhojë jo vetëm stabilitet rajonal, por do të zvogëlojë, gjithashtu, edhe rreziqet gjeopolitike nga influencat e jashtme.
Në takimin e sotëm folëm edhe për Kosovën dhe unë përzemërsisht falënderova Presidentin për rolin dhe kontributin e Austrisë për pavarësinë e Kosovës, për fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, për njohjet e reja dhe anëtarësimin e saj në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.
Në takimin e sotëm folëm edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku nënvizova se perspektiva Euroatlantike është rruga e vetme për të garantuar paqen, stabilitetin, sigurinë, pajtimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Austria ka mbështetur integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke ofruar asistencë teknike, financiare dhe diplomatike, ka inkurajuar reforma, stabilitet dhe ka promovuar dialogun e bashkëpunimin ndërmjet shteteve.
I dashur President,
Austria historikisht ka qenë një destinacion arsimimi për elitën shqiptare, disa prej të cilëve, si aktori i talentuar Aleksandër Moisiu, apo inxhinieri inovator Karl Gega, kanë jetuar dhe kontribuar në këtë vend.
Sot ka më shumë shqiptarë të talentuar që dallohen në fusha, si: arti, muzika, shkencat, e të tjera. Shqiptarët janë të mirëintegruar falë meritave të tyre, por vlerësoj qasjen shumë pozitive austriake për këtë sukses të tyre të integrimit në vendin tuaj.
Austria, dhe veçanërisht Vjena, prej vitesh është kthyer në një qendër të rëndësishme të arsimit universitar të të rinjve nga Shqipëria.
Jam i bindur se dijet e marra nga ata, nga të rinjtë shqiptarë, do të kontribuojnë në fuqizimin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe në fuqizimin e marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve.
Duke përfunduar, më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë për mikpritjen e shqiptarëve në vendin tuaj dhe t’ju garantoj se ata do të jenë ambasadorët e rritjes së nivelit të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Austrisë.
Gjithashtu, Ju falënderoj personalisht për mikpritjen e ngrohtë që më rezervuat! Ishte kënaqësi e veçantë të ritakohesha me ju, miku im, këtë herë në Vjenë!
Shumë faleminderit!