11/05/2023• Deklarata• Bianka Hada
Përshëndetje!
Sot kisha nderin dhe privilegjin t’i uroja mirëseardhjen në Shqipëri në një vizitë shtetërore Presidentit të Republikës së Polonisë, zotit Andërzhej Duda dhe delegacionit që e shoqëron.
Zhvilluam një bisedë të gjatë, miqësore e të frytshme të cilën e vlerësoj.
U ndalëm kryesisht te çështjet e bashkëpunimit dy e shumëpalësh, të integrimit evropian të Shqipërisë, si dhe te kërcënimet e sfidat e reja si rezultat i agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Vlerësova marrëdhëniet shumë të mira politike e tradicionalisht miqësore, të rikonfirmuara edhe përmes kësaj vizite të mikut Duda në Tiranë.
Gjithashtu nënvizova faktin se pavarësisht marrëdhënieve diplomatike të lidhura rreth nëntë dekada më parë (86-vjetori), marrëdhëniet midis dy popujve tanë datojnë të paktën që në mesjetë, ku në qendër të këtyre lidhjeve ka qenë heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.
Ramë dakord për të dhënë kontributin tonë në nxitjen e mëtejshme të këtyre marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit, pasi pavarësisht se nuk kemi asnjë çështje të hapur, ka shumë fusha të tjera ku mund të bëhet më shumë.
I shpreha mirënjohje Presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të nëntorit të vitit 2019, por edhe gjatë pandemisë së Covid-19.
Në mënyrë të veçantë u ndalëm te bashkëpunimi ekonomik e tregtar, i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor bashkëpunimi është ende larg mundësive të të dy vendeve.
E sigurova Presidentin Duda se Shqipëria përbën një ambient miqësor dhe të sigurt për investimet polake, pasi ka një ekonomi dinamike dhe ka filluar negociatat e aderimit në Bashkimin Evropian.
Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit, ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë.
Si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes, në nivel strategjik dhe operacional.
Efektivët tanë të Forcave të Armatosura kanë shërbyer së bashku në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Kosovë.
Gjithashtu, gjej rastin të falënderoj Presidentin Duda dhe qeverinë polake për mbështetjen dhe mundësimin e dërgimit të ndihmave me karakter ushtarak dhe humanitar të Shqipërisë në Ukrainë.
Në dritën e zhvillimeve të reja gjeopolitike, vlerësuam nevojën e një bashkëpunimi edhe më të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Vlerësuam gjithashtu bashkëpunimin shumë të mirë në fushën e arsimit dhe të shkencës, si një aspekt tjetër i rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe.
Shpreha mirënjohjen pasi me dhjetra e qindra të rinj shqiptarë janë arsimuar në universitetet polake. Ata sot nuk janë thjesht ish-studentë në Poloni, por ura miqësie midis dy popujve.
Ramë dakord për të inkurajuar më shumë shkëmbimet midis universiteteve të të dy vendeve.
Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë.
Në mënyrë të veçantë kjo mbështetje ka marrë një vlerë të shtuar në kuadër të çeljes së negociatave të aderimit, si edhe në kuadër të Procesit të Berlinit.
Shpreha më tej besimin se Samiti i ardhshëm i Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në vjeshtë në Tiranë do të ketë mbështetjen e plotë të Polonisë.
Nënvizova, se Polonia ka një zë të rëndësishëm në kuadër të Bashkimit Evropian, por edhe në kuadër të Grupit të Vendeve të Vishegradit (Poloni, Republika Çeke, Sllovaki dhe Hungari).
Shpreha mirënjohje për ndihmën që Grupi i Katërshes së Vishegradit i ka dhënë procesit të zgjerimit me Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe në kuadër të ngritjes së Fondit të Ballkanit Perëndimor bazuar në modelin e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit.
Sot sfidat dhe interesat tona janë të njëjta dhe kërkohet qasje gjithëpërfshirëse. Në këtë kuadër, shpreha mirënjohje për kontributin që Polonia ka dhënë për paqen dhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Polonia ka qënë ndër vendet e para që e njohu pavarësinë e Kosovës.
I kërkova mikut tim Duda ndikimin e tij për një rivlerësim nga autoritetet polake të situatës së përgjithshme gjeopolitike në Evropë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me synim lidhjen sa më shpejt të jetë e mundur të marrëdhënieve diplomatike me Kosovën.
Përtej pranisë së lartë ushtarake të Polonisë në kuadër të KFOR-it në Kosovë, në rrethanat aktuale ky hap do të ishte i një rëndësie edhe më të madhe gjeopolitike.
Kërkova gjithashtu mbështetjen e Polonisë për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në NATO, ku Samiti i ardhshëm i Vilniusit në korrik të këtij viti, është një rast i mirë për të mbështetur aspiratat e Kosovës.
Ndërkohë një vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemit të vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Agresioni ushtarak rus në Ukrainë kërcënon gjithashtu fqinjët e Ukrainës, por njëkohësisht edhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vlerësova qendrimin dhe rolin e Polonisë në përballimin e valëve të refugjatëve nga Ukraina.
I shpreha Presidentit Duda solidaritetin e plotë, si dhe evidentova qëndrimet e qarta të Shqipërisë në mbrojtje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Ukrainës.
Shqipëria po luan një rol aktiv edhe si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Pjesë e bashkëbisedimit tonë ishin dhe influencat e aktorëve të tretë keqdashës, që po përdorin sulmet hibride ndaj vendeve e rajoneve tona.
I kushtuam rëndësi ecurisë së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Në fund, por jo për nga rëndësia, vlerësuam bashkëpunimin shumë të mirë që dy vendet kanë pasur në mbështetjen e kandidaturave reciproke.
Në mënyrë të veçantë kanë qenë mbështetjet e kandidaturave për në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në mbyllje, duke uruar që vizita të tilla të jenë më të shpeshta dhe të mos kalojnë më 20 vite të tjera për vizitën e radhës së një Presidenti polak në Shqipëri, ju falënderoj edhe një herë President Duda, për pranimin e ftesës dhe ardhjen në Tiranë.
Ju uroj vijim sa më të këndshëm të qëndrimit tuaj në Shqipëri, së bashku me Zonjën e Parë Duda dhe delegacionin që ju shoqëron.
Faleminderit dhe fjala për ju!