Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës për shtyp të Takimit të Procesit të Brdo-Brijunit në Tiranë

Deklarata e Presidentit Meta gjatë konferencës për shtyp të Takimit të Procesit të Brdo-Brijunit në Tiranë

Përshëndetje!

Kisha privilegjin që të organizoj në Tiranë, Takimin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit.

Organizimi në Ditën e Europës së këtij Samiti, është një mesazh i përbashkët për orientimin e qartë europian dhe euroatlantik të vendeve të rajonit tonë.

Të ftuar të posaçëm në këtë Samit ishin:

-Presidenti i Polonisë, zoti Andrzej Duda, vendi i të cilit do të organizojë dhe Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor së afërmi; dhe njëkohësisht

-Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Polikën e Jashtme dhe të Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Europian, zonja Federica Mogherini, e cila tashmë është rrugës për të marrë pjesë në Samitin e Sibiut. Për arsye objektive mungoi vetëm Presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, i cili u bë pjesë përmes një mesazhi të shkruar.

Bisedat përgjatë mbrëmjes së shkuar dhe sot ishin të hapura, intensive dhe në frymë mirëkuptimi.

Theksuam nevojën për nxitjen dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal, duke u fokusuar në domosdoshmërinë e zgjidhjeve të çështjeve të mbetura pezull mes vendeve të rajonit.

Po kështu, nënvizuam rëndësinë e forcimit të këtij bashkëpunimi me qëllim krijimin e një hapësire ekonomike atraktive për investimet, sidomos nga vendet e BE-së.

Konkluzionet e këtij Samiti evidentuan ecurinë pozitive të rajonit, e në mënyrë të veçantë arritjen e jashtwzakonshme të Marrëveshjes së Prespës dhe tashmë rrugën mjaft tw sukseshme të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në NATO, por edhe drejt çeljes së Negociatave me BE-në.

U nënvizua angazhimi i përbashkët për të forcuar më tej dialogun dhe procesin e pajtimit në rajon, bazuar në të vërtetën, besimin dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani nga palët.

Të gjithë u angazhuam që të bashkëpunojmë më mirë e më ngushtë për të ruajtur dhe garantuar paqen dhe sigurinë në rajonin tonë.

Po kështu, ramë dakord që Samiti i ardhshëm të organizohet në Slloveni dhe besojmë edhe me pjesëmarrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, António Guterres, të cilin kemi vendosur ta ftojmë si drejtues të vendeve anëtare të kësaj nisme.

Gjithashtu, dua të shpreh jo vetëm kënaqësinë për këtë pjesëmarrje dhe për këto mesazhe konstruktive që drejtohen nga ky Samit, sidomos ndaj BE-së, por edhe të shpreh bindjen që prezenca këtu edhe i Presidentit të Polonisë, zoti Andrzej Duda, por edhe prezenca e dy presidentëve të dy vendeve themeluese të iniciativës së Brdo-Brijunit, Presidentja Kitarović dhe Presidenti Pahor, është mjaft e rëndësishme që konkluzionet e këtij Samiti të dëgjohen edhe më shumë në ditët dhe javët e ardhshme nga vendet anëtare të BE-së.

* * *

Pyetje: A arriti ky Samit zoti President ta sjellë Kosovën dhe Serbinë më afër rihapjes së bisedimeve dhe njëkohësisht në këtë kontekst a keni një koment për deklarimet e mëparshme të zotit Thaçi, i cili ju bën ju si mikpritës përgjegjës për praninë këtu të liderit serb të Bosnje-Hercegovinës?

Presidenti Meta: Nuk jam shumë i sigurt për këtë koment që sapo ju thatë, por mund t’ju siguroj që atmosfera ka qenë mjaft pozitive mjaft konstruktive.

Sikurse unë e shpreha edhe gjatë shkëmbimit të mendimeve, arritja e marrëveshjes së Prespës është historike. Është zgjidhur një mosmarrëveshje 30-vjeçare shumë e rëndësishme për të gjithë rajonin, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.

Të gjithë do të donim që edhe dialogu Serbi-Kosovë të kishte përfunduar dje, jo sot dhe as nesër, por e thashë edhe në tryezë se nëse do të kishin ndodhur të dyja proceset menjëherë, dikush dhe mund të na ngatërronte dhe të mendonte që ishim në Beneluks dhe nuk ishim në këtë rajon të Europës, që ka qenë me një të kaluar mjaft të vështirë jo më shumë se 20 vjet më parë.

Por ajo që është pozitive është angazhimi i përbashkët për paqen për perspektivën europiane të të gjithë të pranishmëve dhe vullneti për t’i zgjidhur të gjitha çështjet përmes dialogut.

Sa i takon prezencës së zotit Dodik, ju besoj e dini që Samiti i Brdo-Brijunit është tashmë një Samit që ka një format të përcaktuar të gjithë vendeve anëtare dhe padyshim edhe zoti Dodik ka qenë i ftuar dhe i mirëseardhur si President i radhës i Bosnje-Hercegovinës. Dhe besoj se ka mbetur mjaft i kënaqur, pasi ka qenë vizita e tij e parë në Shqipëri dhe ka premtuar se do të vijë edhe për turizëm dhe është i ftuar të vijë edhe për turizëm, pasi kishte dëgjuar fjalët më të mira nga shumë qytetarë të Bosnje-Hercegovinës për mikpritjen shqiptare.

Pyetje: Ekziston një përshtypje e përgjithshme pas Samitit të Berlinit se, mënyra se si është zhvilluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit deri tani nuk bën më dhe duhet të fillojë nga zeroja. Gjatë takimeve të mbrëmshme dhe të sotme a keni elaboruar ndonjë mënyrë më kreative se si duhet të zhvillohet dialogu dhe si Bashkimi Europian duhet t’i qaset këtij dialogu?

Presidenti Meta: Unë fare shkurt do të nënvizoja rëndësinë që ne i kushtojmë të gjithë riangazhimit të Serbisë dhe Kosovës për të rinisur dhe për të vazhduar dialogun. Besoj se kjo temë ka qenë mjaft e rëndësishme dhe për Samitin e fundit të Berlinit, por do të jetë akoma më e posaçme në Samitin e paralajmëruar të Parisit. Ne i kemi inkurajuar dhe i inkurajojmë të dy palët që me lehtësimin e Komisionit Europian, të përqendrohen për të arritur një marrëveshje të zbatueshme ligjërisht e detyrueshme sa më parë te jetë e mundur. Mendoj që atmosfera edhe sot ka qenë mjaft konstruktive pavarësisht nga diferencat e ndryshme.

]]>