Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1671177893302 1

Deklarata

Përkujtimi i 100-vjetorit të marrëdhënieve Shqipëri – SHBA: deklaratë në eventin e organizuar nga AADF

Shkëlqesia Juaj, Ambasadore Znj. Yuri Kim,

I nderuar Kryetar, Z. Michael Granoff,

Të dashur miq dhe të ftuar,

Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj për ftesën dhe organizimin e pritjes së sotme.

Është vërtet kënaqësi të jem këtu, në një tjetër event, si shumë të tjera të organizuara këtë vit, për të festuar 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

1671177893294 1

Vendet tona kanë kaluar një shekull marrëdhënie dypalëshe, të cilat, për shkak të zhvillimeve të ndryshme historike, na kanë bashkuar, ndarë dhe ribashkuar.

Jemi  bashkuar, sidomos në momente kritike për ekzistencën e shtetit tonë, për të cilin do t’ju mbetemi mirënjohës ndër shekuj.

Jemi ndarë, për shkak të diktaturës më mizore në bllokun komunist; por nuk zgjati; sepse ne u ribashkuam përsëri përmes demokracisë dhe vlerave që ndajmë, ekonomisë së tregut, respektimit të të drejtave të njeriut dhe vizionit të përbashkët, për një botë dhe një rajon në paqe e stabilitet.

Ne jemi krenarë për partneritetin e konsoliduar strategjik midis dy vendeve tona, të vërtetuar sa herë që gjejmë mbështetjen që na nevojitet tek qeveria dhe populli amerikan; ose në momente kur e gjejmë veten krah për krah, në forume të rëndësishme të politikës ndërkombëtare apo në misione paqeruajtëse në mbarë botën.

Shqipëria mbetet e përkushtuar për të forcuar më tej partneritetin strategjik dhe për të shqyrtuar çdo mundësi, në nivel diplomatik apo ekonomik, në interes të dy vendeve tona.

Kur flasim për mbështetjen që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë këto 30 vitet e fundit dhe vazhdojnë t’i japin përmes agjencive të ndryshme, nuk mund të bëhet ndryshe, veçse të shprehet mirënjohja për punën dhe veprimtarinë e gjithanshme të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Mbështetja e Fondit në ndërtimin e një shoqërie demokratike, në zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme, në forcimin e sipërmarrjes, tregtisë dhe turizmit, ka qenë gjithmonë e mirëpritur dhe e mirë studiuar.

Bashkëpunimi juaj me aktorë të ndryshëm, në nivel qendror dhe vendor, me partnerë dhe shoqata ndërkombëtare, për të siguruar burimet e nevojshme për sipërmarrjen shqiptare, i ka dhënë jetë nismave lokale, duke nxitur zhvillimin e komunitetit dhe rritjen ekonomike.

1671177893280

Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit ka dhënë një kontribut të rëndësishëm nëpërmjet zbatimit të projekteve, të cilat respektojnë parimet e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërtojnë kapacitetet lokale dhe nxisin mundësitë e punësimit.

Prej vitesh, turizmi kulturor dhe eko-turizmi janë konsideruar si zona potenciale për zhvillimin ekonomik të vendit, duke e vendosur përfundimisht Shqipërinë në hartat turistike, si një destinacion tërheqës për turistët nga e gjithë bota.

Një kontribut shumë i çmuar është dhënë në ruajtjen dhe promovimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet ndërthurjes së teknologjisë dhe trashëgimisë kulturore.

Një javë më parë bëra një vizitë në Shkodër, ku vizitova Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Fondi ka dhënë kontributin e tij të vyer në rivitalizimin e Muzeut.

Arkivi 157-vjeçar, tashmë i digjitalizuar, është një thesar i jashtëzakonshëm, që duhet të ruhet me fanatizëm dhe të promovohet me krenari brenda dhe jashtë vendit.

1671177893287 1

Në veçanti, dua të falënderoj Fondin Shqiptaro-Amerikan për kontributin e tij në përmirësimin e sistemit arsimor shqiptar; për mësimin digjital dhe mbështetjen e teknologjisë; për prezantimin e ideve novatore dhe programeve edukative, në përputhje me standardet më të mira të kohës sonë, për të rinjtë dhe profesionistët tanë.

Projektet e shumta, në mbështetje të arsimit dhe kërkimit shkencor kanë ofruar mundësi për intelektualët në Shqipëri dhe diasporë, duke rritur kapacitetet në sistemin e arsimit të lartë shqiptar dhe duke ndihmuar të rinjtë dhe akademikët tanë.

Ndihma dhe mbështetja juaj për këta të rinj, intelektualë dhe profesionistë, jo vetëm që i bën ata qytetarë të përgjegjshëm dhe kontribues në zhvillimin e vendit tonë, por edhe i përgatit si ambasadorët më të mirë të marrëdhënieve të shkëlqyera mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.

Duke ju falënderuar edhe një herë për këtë pritje, ju uroj suksese në vazhdimin e punës suaj në Shqipëri!

Jetë të gjatë miqësisë mes dy popujve dhe vendeve tona!

1671177893307 1