Bashkëbisedimi i Presidentit Meta me gazetarët në qytetin e Fierit

Bashkëbisedimi i Presidentit Meta me gazetarët në qytetin e Fierit

Presidenti Meta: Është kënaqësi që të jemi sot këtu në qytetin e Fierit, për t’ju përgjigjur interesimit tuaj në lidhje me zhvillimet më të fundit.

Të gjithë e keni të qartë, se dy janë çështjet më të rëndësishme, në një plan imediat të përditshëm: përballimi i pandemisë, mbrojtja e shëndetit dhe jetës së qytetarëve, që është çështja më kryesore dhe më e rëndësishme dhe mbarëvajtja e zgjedhjeve të 25 prillit, që nuk janë vetëm një kryekusht për çeljen e negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, por sikurse e kam thënë më parë, janë një domosdoshmëri, për të rivendosur plotësisht në funksion sistemin demokratik dhe kushtetues në vend, për të rikthyer shtetin e së drejtës dhe për të garantuar realizimin praktik dhe të përditshëm të lirive dhe të drejtave të qytetarëve tanë sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Në këtë drejtim mbeten padyshim shumë sfida përpara. Është e rëndësishme gjithashtu të vlerësojmë rëndësinë e pjesëmarrjes së gjithë qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e  25 prillit.

E gjithë Europa pret me shumë vëmendje për mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve për të marrë vendimin e ardhshëm për çeljen e mundshme të negociatave, sepse e dimë që zgjedhjet sipas standardeve të dosjeve të Shijakut dhe të Dibrës kanë mbajtur peng integrimin europian të vendit.

Gjithashtu dhe mosndëshkimi dhe mos hetimi i krimeve elektorale të ndodhura dhe të denoncuara në mënyrë të shpejtë dhe në mënyrë pro aktive dhe të plotë.

Jam shumë i bindur se të gjithë e kanë kuptuar rëndësinë që ka ndërgjegjësimi i çdo qytetari.

Vota e qytetarit është fuqia e vërtetë në demokraci dhe këtë fuqi duhet ta respektojë dhe këtë fuqi jam i bindur se do ta tregojnë të gjithë  më 25 prill.

Pyetje: Më lejoni përpara se të bëj pyetjen, të shpreh një konsideratë të veçantë, në emrin tim personal, por edhe një pjese të madhe të kolegëve të mi për marrëdhëniet që ju keni me përfaqësuesit e medias, gjë e cila nuk ndodh me shumë politikanë të tjerë, pa përmendur emra. Për të gjithë këtë situatë politike, jemi në prag të zgjedhjeve, ka shumë debat, ka shumë polarizim. Pyetje ime është shumë konkrete dhe unë jam i bindur se ju do të jepni një përgjigje shumë të sinqertë. Mos vallë të gjithë aktorët politikë ku ju vendos edhe juve si President, jeni pjesë e mëkatit ose në thonjëza të kësaj situate?

Presidenti Meta: Presidenti ka qenë gjithmonë në anën e Kushtetutës, në anën e interesit publik, në anën e interesit të qytetarëve. Ka qenë gjithmonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Presidenti ka theksuar prej kohësh, që në themelet e krizës në të cilën jemi ne sot si shtet, si shoqëri, si ekonomi, qëndron kriza e legjitimitetit të institucioneve.

Kam qenë i hapur për t’ju nënshtruar dhe vetë si President zgjedhjes nga populli, pavarësisht nga mandati që ka kohën e tij, në çdo moment, për të dhënë dhe shembullin, që edhe Parlamenti, pushteti lokal edhe Presidenti të zgjidheshin nga populli.

T’i jepej fund kësaj situate jo funksionale dhe të kapjes së shtetit dhe të kontestimit të legjitimitetit të institucioneve prej vitesh dhe do të ishin çelur dhe negociatat me kohë.

Presidenti ka vetëm një votë, vota e tij është dhe duhet të jetë e barabartë me votën e qytetarit më të thjeshtë të Shqipërisë në skajet më të largëta, si në Vermosh, ashtu dhe në Konispol.

Presidenti do që t’i japë fuqi votës së çdo qytetari shqiptar. Do që çdo qytetar i Shqipërisë të ndërgjegjësohet, se vetëm përmes votës, ai arrin të hapë një rrugë të re për të ardhmen e tij, të fëmijëve të tij, të familjes së tij dhe të vendit tonë.

Gjithashtu vetëm përmes votës ai arrin  të ndëshkojë cilindo, i cili nuk ka mbajtur premtimet e tij dhe cilindo që bën një politikë të pamoralshme që nuk është në interesin e qytetarit, që nuk është në interesin e publikut, që nuk është në interesin tonë kombëtar.

Kur flas për Referendum në 25 Prill, kam parasysh se është vënë në diskutimi e ardhmja europiane e Shqipërisë.

Ju do më thoni si e argumentoj unë këtë? Ju a them shumë thjeshtë. Në vitin 2006 u nënshkrua Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Serbia dhe Mali i Zi e nënshkruan këtë marrëveshje me BE dy vite më pas. Sot ne jemi të paktën shtatë vjet mbrapa Serbisë, që ka çelur negociatat që në vitin 2014 dhe jemi nëntë vjet pas Malit të Zi, që ka çelur negociatat në vitin 2012.

Është një humbje e jashtëzakonshme kohe, energjie, perspektive.

Gjithashtu transformimi real i shoqërisë sonë, që është i papranueshëm për çdo shqiptar. Ne nuk kemi pasur asnjë problem me Gjykatat Ndërkombëtare, nuk kemi pasur asnjë problem me fqinjët.

Përse ka ndodhur kjo? Për shkak të mungesës së vullnetit politik për të bërë ato reforma, të cilat fuqizojnë qytetarin, të cilat zvogëlojnë dhe mbajnë nën kontroll pushtetin e të zgjedhurve në vend.

Prandaj është momenti për Referendum, që e ardhmja e Shqipërisë, të mos diskutohet.

Vetëm një pjesëmarrje shumë masive e qytetarëve në këto zgjedhje, do të përmirësojë kredencialet demokratike të Shqipërisë, të cilat janë aq shumë të dëmtuara.

Mjafton të shikoni amendamentet e fundit të bëra nga Komisioni i Jashtëm i Parlamenti Europian për përforcimin e kushteve, që nga krimet zgjedhore të ndodhura që nuk do të amnistohen e gjithë problemet e tjera.

Liria e medias! Ju e dini se çfarë problemi i madh është, ju vetë e dini se në çfarë presioni jeni ju, apo pronarët e mediave tuaja, pikërisht për të instaluar një regjim të gënjeshtër, jo demokratik.

Një regjim ku pushteti kërkon t’i imponohet qytetarit dhe jo të respektojë qytetarin dhe të jetë nën kontrollin e tij dhe t’i nënshtrohet llogari dhënies.

Pyetje: Kryeministri Rama ka prezantuar sot kandidatët e 25 prillit, duke bërë ironi edhe me foton tuaj duke pirë. Si e komenti ju, a është një sulm..?

Presidenti Meta: Edhe sikur të isha duke pirë raki, nuk do ishte shqetësuar. Unë kokainën nuk e përdor, por do të jem një luftëtar i pashembullt ndaj çdo lloj politikani që përdor substanca narkotike dhe që del garant para mafies ndërkombëtare, për të pastruar lekët e saj në Shqipëri.

Pyetje: Në po të njëjtën deklaratë kryeministri Rama, ka vendosur përballë fotos suaj atë të ministres së Drejtësisë Gjonaj.. A keni komente për këtë ..?

Presidenti Meta: Pa asnjë diskutim që vetëm një falsifikatore si ajo mund të nxirrte, që noterizon të gjitha PPP-të dhe kapjet e koncesioneve. Pa asnjë diskutim, përgjigjen do ta marrin të gjithë në 25 prill, të gjithë autorët e Ramaformës.

Pyetje: Zoti President,  të gjitha forcat politike që do të garojnë në zgjedhjet e 25 prillit shpallen listat. Ky proces si asnjëherë më parë  është shoqëruar më pakënaqësi dhe hatërmbetje. Cili është mendimi juaj? Shumë figura me shumë kontribute në forcat politike janë larguar. Ndërsa të tjerë janë lënë në vende të pasigurta  për të fituar.!

Presidenti Meta: Unë besoj të demokracia direkte.  Ndaj kam qenë  i hapur prej kohësh, që edhe Presidenti të zgjidhet nga populli, dhe të pranoj çdo lloj vërdikti, që jep populli i Shqipërisë. Dua t’ju siguroj që populli shqiptar ka 1000 mije arsye për të shkuar të votojë këtë herë si asnjëherë tjetër.

Populli shqiptar do tregojë që është një popull shqiponjash, siç është në të vërtet dhe këtë gjë do e tregojë.

Në këto zgjedhje kemi një risi deri diku; Qytetarët kanë mundësi të shprehin preferencën për kandidatin, përveçse për partinë.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për çdo qytetar të Shqipërisë,  përveç zgjedhjes që bën për partinë apo  koalicionin që mendon se e përfaqëson më mirë, brenda listës të votojë apo të mbështesë kandidatin apo kandidaten që dëshiron dhe tek i cili beson se përfaqëson më mirë vlerat, integritetin dhe qw do të mbrojë të drejtat e tij, të komunitetit, interesin publik dhe kombëtar në Kuvendin e ardhshëm, pavarësisht nga renditja që kanë bërë kryetarët apo kryetaret e partive.

Kjo mënyrë do të bëj që t’i jepet një mesazh i qartë kryetarëve dhe kryetareve të tw gjithë forcave politike,  se në përcaktimin e renditjes duhet të kenë parasysh autoritetin apo reputacionin që gëzojnë kandidatët e ndryshëm.

Unë nuk mund të hyj në çështje të caktuara që i përkasin forcave të ndryshme, sepse nuk është një zgjedhje e imja.

Më 25 prill keni shumë zgjedhje, kemi zgjedhje tradicionale, të reja dhe keni kandidatët e çdo zgjedhje që ju gjykoni se është më e mira për të ardhmen tuaj.

Shikojini me vëmendje, tani keni arsye më shumë për të shkuar dhe për të zgjedhur.

Por njëkohësisht dhe për të ndëshkuar, por edhe të zgjidhni  më të mirin apo më të mirën në listën e kandidatëve të forcave dhe koalicioneve, që ju preferoni. Mos e humbisni këtë mundësi.

Pyetje: Zoti President, a mendoni ju se  janë respektuar kërkesat e ndërkombëtareve për të pasur figura me integritet në këto lista..?

Presidenti Meta:  Unë mendoj se qytetarët e Fierit dhe të Shqipërisë, duhet të japin vlerësimin e tyre objektiv dhe tepër të përgjegjshëm përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.

Përmes përzgjedhjes jo vetëm të forcës politike apo koalicionit që ata dëshirojnë, por njëkohësisht edhe nëpërmjet kandidatit apo kandidates në atë listë, e cila përfaqëson më mirë interesat e tyre.

Të mos nisen automatikisht nga renditja që kanë bërë kryetarët për të treguar se ata janë të pavarur në gjykimet dhe vlerësimet e tyre.

Pyetje: Zoti President, shpesh herë në daljet tuaja jashtë Tiranës, keni përmendur faktin e shpopullimit, por referendumin, pra pjesëmarrja sa më e madhe e qytetarëve në votimet e 25 prillit. Mos vallë ia keni frikën ndonjë manipulimi të rezultatit të zgjedhjeve?

Presidenti Meta: Jo, absolutisht! Unë thjesht dua t’u kujtoj të gjithë qytetarëve të Shqipërisë se sa të rëndësishme janë këto zgjedhje për katër vitet që vijnë. Dhe jo për fatin e partive politike në Shqipëri, por sa të rëndësishme janë për njëqind vitet që vijnë dhe për fatin e Shqipërisë dhe për fatin e shqiptarëve.

Shpopullimi është një fakt real, kokëfortë, nuk është një shpikje, sepse në qoftë se për vendet e tjera flasim për largim, pra për vendet e rajonit tonë si Serbia, Bosnje dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, këtu shifrat janë të frikshme.

Janë statistikat ndërkombëtare, nuk janë të miat.

Ne jemi një vend që edhe në kushte pandemie, jemi afwr me Sirinë apo jo, dhe me vende të tjera që janë në konflikt e në luftë, për t’u larguar nga vendi.

Konkretisht për 1 mijë banorë: Në qoftë se largohet një qytetar nga Serbia, këtu largohen dymbëdhjetë. Është shumë!

Në qoftë se largohet një nga Bosnja dhe Hercegovina, këtu largohen tetëmbëdhjetë.

Largohet një nga Mali i Zi, këtu largohen shtatëmbëdhjetë.

Largohet një nga Maqedonia e Veriut, këtu largohen gjashtë.

Largohet një nga Kosova, këtu largohen më shumë se katër.

A ka kuptim? A ka arsye? A ka kuptim të punojnë ende sot pogradecarët, korçarët, librazhdiotët nga Rrajca e nga Përrenjasi të shkojnë e të punojnë akoma në Maqedoninë e Veriut pas tridhjetë vitesh? Po të shohim se sa jep Maqedonia e Veriut për Bujqësinë, dhe sa japim ne për bujqësinë do ta shikojmë përgjigjen e kësaj pyetjeje.

Kështu që është e rëndësishme të adresohet çështja e shpopullimit fuqimisht edhe më 25 prill.

Pyetje: Zoti Meta jemi në fushatë zgjedhore, jemi në atë që është konsideruar si djepi i LSI-së. Doja të bëja një ndërhyrje përpara pyetjes: Duke qenë se Fieri është konsideruar djepi i LSI-së, mua dhe pjesës kryesore të qytetarëve u vjen ndërmend themeluesi, ose kontribuesi kryesor, i ndjeri Dritan Prifti. Unë doja të dija, pavarësisht se ju keni kaluar disa palë zgjedhje që prej asaj kohe, a mendoni se do të jeni më të fuqishëm në këtë zgjedhje që nga ajo kohë? Apo jeni në ato nivele? E kam fjalën për numrin e deputetëve.

Presidenti Meta: Kur të vijë kryetarja e LSI-së bëjani këtë pyetje dhe do ta merrni përgjigjen ballore.

Kjo nuk është një çështje që mua më intereson.

Unë kam krijuar një forcë politike dhe nuk kam ndërruar parti politike. Kam krijuar një forcë të re politike për të zhbllokuar rrugën evropiane të Shqipërisë që ishte bllokuar në atë kohë me një kryeministër, i cili e kishte mendjen për të shkuar nëpër buzuke në Greqi e për të shkuar nëpër kazino në Austri, i cili bllokoi integrimin europian të Shqipërisë, që e zhbllokoi themelimi i LSI-së dhe rotacioni që solli nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit.

Nuk kam themeluar një parti as për t’u bërë vetë deputet, as për të bërë ndonjë tjetër deputet, por për të zhbllokuar integrimin evropian të Shqipërisë. E kisha vënë veten time në një vend të sigurt në 2005-n, siç bëjnë zakonisht kryetarët e partive, se ishte edhe mazhoritar, edhe proporcional, por e kam vënë në mazhoritar, në zonën më të majtë të Shqipërisë, që ka qenë atëherë Skrapari se tani nuk e di mirë se si janë statistikat kundër qeverisë dhe kam fituar me dy të tretat, sepse ky  është morali im politik. Unë u nënshtrohem sfidave, i nënshtrohem verdiktit të popullit. Ky ka qenë përpara, ky është edhe sot si President.

Kam dy vite që ju them: Kjo krizë nuk zgjidhet duke kapur shtetin!

Sepse do të shtohen kushtet siç janë shtuar.

Kjo është krizë legjitimiteti të institucioneve. Prandaj hajdeni në zgjedhje të gjithë! Më fusni edhe mua në zgjedhje, edhe pse unë jam i zgjedhur praktikisht nga Partia Socialiste apo jo! Hajde futemi të gjithë në zgjedhje! Ta zgjidhë populli dhe unë besoj se populli shqiptar do t’i japë një zgjidhje shumë demokratike dhe do t’u japë një leksion të gjithë atyre që na dinë se jemi popull sorrash dhe nuk jemi popull shqiponjash!

Pyetje: Zoti President ju gjithmonë keni pretenduar se keni mbrojtur Kushtetutën?

Presidenti Meta: Nuk kam pretenduar. Kam qenë! Jam dhe do të jem! Dhe kam qenë mbrojtës i Kushtetutës edhe kur kam qenë kryeministër, edhe kur kam qenë në opozitë. Kemi bërë edhe grevë urie kur u shkel Kushtetuta e popullit në 2008-n, dhe ajo na ka sjellë në këtë situatë, kur nuk kemi deputetë përfaqësues të popullit aty, por kemi servilë kryetarësh. Prandaj populli i Shqipërisë të marrë pjesë në këto zgjedhje! Të zgjedhë forcën apo koalicionin që dëshiron, por edhe të japë një mesazh duke zgjedhur kandidatët më të mirë në ato lista.

Pyetje: A keni një peng ju para popullit shqiptar?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë peng, sepse çdo vendim që kam marrë, e kam marrë me bindjen më të mirë se i kam shërbyer Shqipërisë.

Do t’i shërbej Shqipërisë me devotshmërinë maksimale në çdo detyrë që të jem duke qenë edhe qytetari më i thjeshtë i Shqipërisë.

E kam ndarë fatin tim me Shqipërinë dhe do ta ndaj gjithmonë me Shqipërinë dhe me shqiptarët dhe në mes të tyre!

Pyetje: Zoti President, pyetja ime e fundit është: Përse kryeministri Rama ju konsideron ju që doni të sfidoni reformën në drejtësi?

Presidenti Meta: Ç‘mund të presim ne nga një njeri që u thotë shqiptarëve: Këtu më keni mua deri më 2030-n?!

Në qoftë se ju e duroni deri më 25 prill, durojeni edhe pak! S’ka problem, por një njeri që thotë gjëra të tilla, kuptohet se ka probleme të mëdha dhe ka nevojë për kontrolle shëndetësore serioze. Gëzohemi që ka afruar edhe ekspertë nga shëndetësia dhe ata tregojnë kujdes edhe për gjendjen e tij shëndetësore.