Ambasadori i Kosovës, Sh.T.Z. Skënder Durmishi i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Ambasadori i Kosovës, Sh.T.Z. Skënder Durmishi i paraqet Letrat Kredenciale Presidentit Meta

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në takim Ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës  në Tiranë, Sh.T.Z. Skënder Durmishi, me rastin e paraqitjes së Letrave Kredenciale.

Presidenti Meta e uroi Ambasadorin Durmishi për detyrën dhe e siguroi për mbështetje në përmbushjen me sukses të misionit të tij në Shqipëri.

Kreu i Shtetit vlerësoi përvojën e Ambasadorit Durmishi dhe shprehu besimin se, përpjekjet e tij do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Presidenti Meta theksoi se, Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht në lehtësimin e çdo pengese burokratike, që ekziston në zhvillimet në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe të gjitha sferat e tjera të jetës.

Presidenti Meta theksoi se, së bashku duhet të punojmë në forcimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, si dhe në rrugën e integrimeve europiane të dyja vendeve tona.