Presidenti i Republikës së Shqipërisë

1

Lajme

25-vjetori i çlirimit të Kosovës. Presidenti Begaj para Kuvendit të Kosovës: Të mbrojmë lirinë! Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit bëri thirrje për bashkëpunim mbarëshqiptarnë mbrojtje të lirisë së fituar me sakrifica sublime dhe për bashkëpunim me miqtë ndërkombëtarë dhe partnerët strategjikë.

Kreu i Shtetit përcolli urimin për këtë ditë të madhe, që e cilësoi përvjetor të shenjtë për shqiptarët.

Ai nderoi figurat e shquara të Kosovës, Ibrahim Rugovën, Adem Demacin, Adem Jasharin, e qindra luftëtarë të UÇK-së nga Kosova, Shqipëria e Diaspora, në sajë të të cilëve Kosova ia arriti kësaj dite.

2

Gjatë fjalës në Kuvend, Presidenti i Republikës u shpreh se Kosova nuk ishte vetëm, pasi veç mbështetjes nga Shqipëria, ajo pati në krah SHBA-në, Britaninë e Madhe, BE-në dhe NATO-n, mbështetësit e fuqishëm të kauzës së saj. Ishte kjo ndërhyrje që ndaloi spastrimin etnik, gjenocidin, dhe i dha të drejtën popullit që kërkonte lirinë, – u shpreh Presidenti Begaj.

”Ndërkombëtarët – theksoi ai, ishin hartuesit dhe zbatuesit e projektit të shtetformimit të Kosovës”.

Në kontekstin aktual gjeopolitik, përballë një fushate keqdashëse të Serbisë dhe aleatëve të saj për të penguar shtetin e ri të Kosovës, për të penguar ndihmën ndërkombëtare në bashkëjetesën shqiptaro-serbe, e për të njollosur luftën për çlirimin e Kosovës, Presidenti i Republikës u shpreh se sot kemi nevojë më shumë se kurrë për një manifest krenarie kombëtare.

“Në sfidat e kohërave, epokave dhe padrejtësive, shqiptarët e kanë të pacenueshëm shqiptarizmin, shqiptarët kanë nevojë për të ruajtur dhe forcuar kohezionin kombëtar dhe socio-kulturor edhe sot”, – u shpreh ndër të tjera Presidenti Begaj.

“Jemi të vetëdijshëm se kauza e Kosovës nuk ka përfunduar, por jemi të palëkundur në bindjen tonë se realiteti, Republika e Kosovës, e pavarur dhe sovrane, është e padiskutueshme dhe e patjetërsueshme. Kemi përgjegjësi për të ruajtur dhe forcuar paqen, sigurinë dhe zhvillimin. Aspiratat për integrimin Euroatlantik të faktorit shqiptar janë më të forta se kurrë. Do të punojmë fort për këtë objektiv” , – u shpreh Presidenti i Shqipërisë.

3

Nga Parlamenti i Kosovës, Presidenti Begaj deklaroi se shteti shqiptar e ndjen detyrë dhe mision të mbështesë çdo përpjekje të institucioneve të Kosovës.

Ai garantoi se Shqipëria do të punojë fort për të shfrytëzuar të gjitha kapacitet për të zgjeruar numrin e njohjeve, për të zbuluar të gjithë të vërtetën, ende të panjohur, të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë.

”Kosova nuk është vetëm. Kosova nuk do të jetë vetëm. Çdo betejë juaja, është beteja jonë! Çdo sukses juaji, është sukses i gjithë shqiptarisë!”, – deklaroi Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e mbajtur në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për 25-vjetorin e çlirimit.