Presidenti i Republikës së Shqipërisë

2.1.2

Lajme

Presidenti Begaj zhvillon në Berlin një takim me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Gjermani

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot në Berlin një takim me përfaqësues të Diasporës shqiptare në Gjermani.

2.2.2

Figura të suksesshme në fusha të ndryshme, si: sipërmarrës, mjekë, artistë, arsimtarë dhe aktivistë të organizatave të të rinjve e njohën Kreun e Shtetit me përvojat e tyre të bashkëpunimit me komunitetin shqiptar dhe qytetarët gjermanë.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, shprehu përgëzime për arritjet e gjithsecilit dhe vlerësoi arritjet e tyre personale, të cilat i quajti krenari kombëtare.

2.2.3

Gjithashtu, Presidenti ftoi sipërmarrësit shqiptarë të ndihmojnë më shumë për kauzat e shqiptarëve, në veçanti për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë, apo të Diasporës së re, siç konsiderohet tashmë komuniteti i të ikurve pas viteve’90 në shtetet evropiane.

Presidenti i Republikës vlerësoi nismat e ndërmarra për hapjen e shkollave shqipe, vullnetarizmin e mësuesve të gjuhës shqipe dhe, gjithashtu, nxiti forcimin e këtij bashkëpunimi, në mënyrë që brezat e ardhshëm, krahas gjuhës gjermane dhe integrimit me kulturën vendase, të mos harrojnë gjuhën amtare dhe identitetin kombëtar.

2.2.4

Për sa i përket ndërveprimit mes të rinjve, Presidenti vlerësoi iniciativat e studentëve që shkollohen në universitetet e Gjermanisë, ndërsa u shpreh se Shqipëria i mban gjithmonë dyert hapur për ata që do të dëshirojnë të kthehen e të investojnë në vendlindje dijet e marra në Perëndim.

Ky takim u koordinua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin.

2.2.5