Spiro Koçi- Këshilltar Diplomatik

Spiro Koçi Ambasador Koçi e ka filluar karrierën diplomatike në vitin 1993. Ai ka shërbyer në detyra të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit.

Në vitet 2010-2015, Spiro Koçi shërbeu si Ambasador, Përfaqësues i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së OKB-së në Vienë, UNODC-së, UNIDO-s, IAEA-s, CTBTO-së, OSBE-së dhe IACA-s. Gjatë qëndrimit në Vienë, ai ka drejtuar një numër forumesh dhe grupimesh në kuadër të OKB-së dhe OSBE-së. Roli i tij i rëndësishëm në Procesin Helsinki 40+ dhe në procesin e vendim-marrjes për dislokimin e Misionit Special të Monitorimit të OSBE-së në Ukrainë, janë disa shembuj që demonstrojnë kontributin e tij në promovimin e rolit të Shqipërisë për paqen dhe sigurinë në Evropë dhe në Ballkan.
Si Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Serbi në vitet 2007-2008, Amb. Koçi ka përcjellë nga afër negociatat “Ahtisari” për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që kulmuan me pavarësinë e saj në Shkurt 2008.
Spiro Koçi ka shërbyer për një kohë të gjatë e në periudha të ndryshme si Drejtor dhe Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme për çështjet e integrimit euroatlantik dhe marrëdhënieve shumëpalëshe. Në këto kapacitete ka qenë pjesë e delegacioneve zyrtare në një numër Samitesh dhe Ministerialesh që kanë shënuar zhvillimet politike dhe proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë e rajonit.
Gjatë viteve 2015-2019, Z. Koçi punoi në pozicione të larta drejtuese në aparatin qëndror të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Prej dt. 1 Qershor 2019, Spiro Koçi është emëruar Këshilltar Diplomatik i Presidentit të Republikës.
Ambasadori Spiro Koçi është një nga themeluesit dhe anëtar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë.
Spiro Koçi është i martuar me Znj. Dolores Koçi dhe është baba i dy vajzave, Katerinës dhe Laurës.