Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta në Konferencën e përbashkët për Shtyp me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Stevo Pendarovski

Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta në Konferencën e përbashkët për Shtyp me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Sh.T.Z. Stevo Pendarovski

Pyetje (Eljamonda Zotka, TV Klan): Pyetje për të dy Presidentët. Pyetja e parë për Presidentin e Maqedonisë së Veriut: Disa muaj përpara mbledhjes së Këshillit Europian, ju deklaruat se duhej të ndahej vendimarrja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për hapjen ose jo të negociatave. Tashmë që vendimi u morr, a mendoni se ju kishit të drejtë dhe Maqedonia e Veriut u penalizua pikërisht sepse vendimmarrja u morr për të dy vendet së bashku.

E njëjta pyetje edhe për zotin Meta, por desha t’ju pyes gjithashtu se si e shikoni ju reagimin që pati qeveria e Maqedonisë së Veriut pas vendimmarrjes së Këshillit Europian, që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme dhe qëndrimi i qeverisë shqiptare, që e quan atë përgjegjësi të Bashkimit Europian dhe jo personal.

Presidenti Meta: Lidhur me pyetjen tuaj, besoj se ju e mbani mend që unë në mënyrë të vazhdueshme gjatë zhvillimeve të ndezura politike, sidomos në muajt maj-qershor, por edhe më pas, në korrik apo në gusht, kam bërë të gjitha përpjekjet dhe të gjitha apelimet e mia që të ishin më reflektues ndaj disa standardeve dhe kritereve, të cilat nuk ishin të panjohura ndaj nesh nga përfaqësues të BE-së, në veçanti nga përfaqësues zyrtar të Bundestagut, që është institucioni suprem në Gjermani që vendos për çështjet e zgjerimit.

Kam theksuar vazhdimisht se është shumë e rëndësishme që të përfitojmë nga situata më e avantazhuar në të cilën ndodhet Maqedonia e Veriut, në mënyrë që të dy vendet tona të përfitojnë çeljen e negociatave dhe të japin disa zgjidhje të brendshme që ishin të domosdoshme, në mënyrë që ta lehtësojmë një vendimmarrje në interes të dy vendeve tona dhe jo të ndodhë e kundërta, pra të vështirësohet çelja e negociatave edhe për Maqedoninë e Veriut.

Unë dua t’i shpreh edhe njëherë mirënjohjen Bundestagut gjerman, që pavarësisht nga mosdëgjimi nga ana jonë i këshillave të vazhdueshme, sistematike të tyre, për të lehtësuar dhe vendimmarrjen e tyre, por dhe të udhëheqësve të BE-së, përsëri arritëm të bëjnë një invencion me qëndrimin zyrtar që mbajtën në Bundestag, për të hapur rrugën për të dy vendet për çeljen e negociatave, natyrisht duke bërë dhe një dallim të qartë midis progresit të Maqedonisë së Veriut dhe progresit që do të duhet të realizojë Shqipëria deri në hapjen reale të negociatave.

Kam theksuar pas kësaj se është shumë e rëndësishme që vendet e tjera që kanë një skepticizëm në raport me vendin tonë, për aspekte të caktuara, të cilat nuk kanë qenë të panjohura për ne, qoftë pretendimet e Holandës për një kohë të vazhdueshme, por njëkohësisht edhe të Francës, sidomos për çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe të azilkërkuesve, t’i bashkohen kësaj qasjeje të Bundestagut gjerman, që të hapej drita jeshile dhe për vendin tonë dhe ndërkohë le të jenë të qarta dhe detyrimet që ne duhet të përmbushim, në mënyrë që ky proces të vazhdojë.

Tani jemi në këto kushte që askush nuk do të dëshironte një situatë të tillë, por sikurse e tha dhe Presidenti Pendarovski, mesazhi ynë është dhe do të jetë shumë i qartë: Ne kemi vetëm një alternativë dhe shohim vetëm një alternativë dhe punojmë vetëm për një alternativë, që është anëtarësimi i vendeve tona në BE dhe njëkohësisht anëtarësimi i gjithë Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo është e vetmja e ardhme e sigurt jo vetëm për vendin tonë, por edhe për vetë BE-në dhe për të gjithë kontinentin.

Në këtë drejtim, është e rëndësishme të reflektojmë të gjithë. Kemi një reflektim në Maqedoninë e Veriut përmes një zgjidhje të caktuar politike. Kjo është zgjidhja e tyre, tregon dhe pjekurinë e tyre politike dhe demokratike. Natyrisht që dhe tek ne ka mjaft rëndësi të kemi një reflektim të menjëhershëm dhe lexojmë me vëmendje të gjitha ato detyrime që duhet t’i kishim përmbushur dhe që duhet t’i përmbushim.

Ato të gjitha janë në rezolutën e Bundestagut gjerman. Duhet të forcojmë raportet dhe bashkëpunimin me vendet që kanë qenë më kritike, përfshirë Francën, Holandën, Danimarkën, Spanjën apo çdo vend tjetër. Duhet t’i bindim për seriozitetin tonë, për të adresuar shqetësimet e tyre. Nuk mjafton të themi që Franca apo Holanda ka këto probleme të brendshme dhe po na përdor ne, në rast se ne jemi një burim i shqetësimeve të brendshme të tyre, përsa i takon emigracionit, azilkërkuesve, përsa i takon dhe problemeve të krimit të organizuar, në veçanti përsa i takon Holandës.

Ne duhet të reagojmë me shumë përgjegjshmëri dhe në mënyrë mjaft të besueshme, në mënyrë që të gjitha këto shqetësime të shuhen në javët dhe muajt që vijnë. Ndërkohë duhet të bëjmë të qartë se ndërsa jemi të gatshëm dhe të angazhuar të përmbushim çdo detyrim në këtë proces, që ecën drejt çeljes së negociatave dhe anëtarësimit në BE, çdo ide tjetër dhe informale qoftë, për çdo alternativë tjetër për vendet tona dhe për Ballkanin Perëndimor, është e papranueshme dhe është e padobishme, jo vetëm për vendet tona, por për vetë BE-në dhe për të ardhmen e Europës së Bashkuar. Faleminderit!

Pyetje (Muhamed Veliu Top Channel): Ditët e fundit ne po shikojmë që po qarkullon ideja se Franca po kërkon një partneritet special për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë. A është kjo një zgjidhje e duhur dhe a duhet të pranohet nga Maqedonia e Veriut dhe nga Shqipëria?

Presidenti Meta: Besoj se u shpreha qartë se çdo ide informale që mund të paraqitet apo parashtrohet si një alternativë për të zëvendësuar procesin e anëtarësimit të vendeve tona dhe të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian është e pakuptimtë dhe e papranueshme për arsye se tashmë dihet që gjithë ky progres i madh që është bërë në këtë rajon është bërë nën frymëzimin e përbashkët të integrimit europian të të gjitha vendeve tona.

Së dyti, ne tashmë jemi një rajon i rrethuar nga Bashkimi Europian dhe nga NATO-ja. Kështu që e vetmja perspektivë dhe e vetmja zgjidhje është vazhdimi i këtij procesi të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe të anëtarësimit të vendeve tona.

Për mua është e drejtë, është legjitime kërkesa e çdo udhëheqësi të vendeve të Bashkimit Europian për të kërkuar nga çdo vend që dëshiron të përfshihet në procesin e zgjerimit dhe të anëtarësohet, që përveç të drejtave që fiton nga etapat e ndryshme të këtij procesi, t’u qëndrojë fort edhe detyrimeve.

Kjo është një e drejtë legjitime pasi jemi ne që kemi kërkuar të hymë në familjen e Bashkimit Europian dhe ne dimë se atje ka disa rregulla. E dimë se ka disa kritere: kriteret e Kopenhagenit që duhen përmbushur dhe në këtë drejtim çdo qëndrim që inkurajon vendet tona për t’u qëndruar e përmbushur detyrimet që burojnë nga ky proces, është mëse legjitim dhe i pranueshëm.

Është detyra jonë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha vendet dhe në veçanti me ato që janë edhe më kritike për të demonstruar përgjegjshmërinë dhe besueshmërinë tonë si anëtarë të denjë në të ardhmen të kësaj familjeje të madhe.

Unë besoj se edhe Franca, por edhe vende të tjera, aq më tepër Franca si një ndër themelueset kryesore të Bashkimit Europian do t’u qëndrojë të gjitha angazhimeve të saj strategjike përsa i takon Ballkanit Perëndimor, të ndërmarra gjatë këtyre dekadave, ku kontributi i saj ka qenë mjaft i spikatur për stabilitetin, për sigurinë dhe për arritjet pozitive të këtij rajoni, që duhet të konsolidohen edhe më tej dhe mund të konsolidohen vetëm nëpërmjet vazhdimit të procesit të zgjerimit dhe të anëtarësimit të vendeve tona në Bashkimin Europian.