Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Sh.T.Z. Jens Stoltenberg

Pyetje-përgjigjet e Presidentit Meta gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Sh.T.Z. Jens Stoltenberg

Gazetarja Erisa Zykaj: A ndatë me zotin Stoltenberg gjatë takimit shqetësimin për krizën politike në Shqipëri dhe cila mendoni se është zgjidhja për kapërcimin e kësaj krize?

Presidenti Meta: Kemi diskutuar me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s mbi rëndësinë e vazhdimit të procesit të zgjerimit të BE-së në rajonin tonë, sepse NATO dhe BE janë komplementare me njëra-tjetrën.

Në këtë drejtim, të dy kemi shprehur zhgënjimin tonë me vendimin e fundit të Këshillit të BE-së për të mos çelur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Por, siç e theksuam së bashku me Presidentin e Maqedonisë së Veriut dy ditë më parë në Tiranë, ne jemi të vendosur për të dyfishuar përpjekjet me qëllim që të vazhdojmë të synojmë këtë objektiv strategjik të dy vendeve tona, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe të punojmë ngushtë me të gjitha vendet anëtare të Unionit për të adresuar të gjitha shqetësimet e tyre.

Sa i përket situatës politike në Shqipëri, mendoj se duhet të marrim në konsideratë mesazhin mjaft të drejtë, që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dha në vizitën e tij të fundit, gjatë pranverës, në Tiranë ku nënvizoi nevojën e dialogut dhe theksoi se demokracia është në zemër të NATO-s.

Jam i bindur se do t’i dyfishojmë përpjekjet tona duke punuar në këtë drejtim dhe duke qenë se jemi anëtarë të besueshëm të NATO-s, të jemi gjithashtu së shpejti të besueshëm në vazhdimin e rrugëtimit tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.