Prononcim i Presidentit Meta mbi situatën politike në vend

Prononcim i Presidentit Meta mbi situatën politike në vend

Durrës

Pyetje: Zoti Meta, si i komentoni zhvillimet e fundit politike? Protestat vazhdojnë, ka zëvendësime…

Presidenti Meta: Unë besoj vetëm te dialogu dhe vetëm te zgjidhja politike përmes një dialogu të përgjegjshëm dhe real për të rivendosur normalitetin e plotë kushtetues, institucional dhe demokratik të vendit. Besoj se pas vitit 1997 vendi ka bërë përparime të rëndësishme dhe i nxis e i inkurajoj të gjithë politikanët e përgjegjshëm kudo ku ata ndodhen, në mazhorancë apo në opozitë, të tregojnë që në këto 22 vite Shqipëria jo vetëm ka bërë përparime, por që edhe këto 22 vite nuk mund të shkojnë dëm për hir të kokëfortësive dhe të demonstrimeve të forcës përmes mitingjeve, dhe antimitingjeve të panevojshme. Aq më tepër që jemi edhe në prag të sezonit turistik, që dihet se është aq i rëndësishëm jo vetëm për Durrësin, por edhe tërë Shqipërinë dhe për ekonominë tonë. Kështu që unë besoj se ka një hapësirë të gjerë për të gjetur zgjidhjet e duhura dhe secili të reflektojë.

Pyetje: A mund të ndërhyjë Presidenti për të hapur një dialog meqenëse nuk po arrihet?

Presidenti Meta: Besoj se është detyrë e tyre që të tregojnë vullnet real për dialog dhe të heqin dorë nga përdorimi i forcës si dhe të udhëhiqen vetëm nga arsyeja dhe interesi i përbashkët.