Prononcimi për median i Presidentit Meta në zonën e ish-Kënetës në Durrës

Prononcimi për median i Presidentit Meta në zonën e ish-Kënetës në Durrës

Pyetje: Shumë banorë që kanë mbetur jashtë për shkak të dëmtimeve të shtëpive të tyre janë siguruar nga autoritetet se brenda disa orëve do të zgjidhej situata e tyre. Çfarë ka ndodhur me ata njerëz?

Presidenti Meta: Në radhë të parë ne erdhëm për të parë se si po vijojnë punimet e kërkim-shpëtimit, sepse kuptohet që është një situatë mjaft kritike. Është e qartë që puna vazhdon pa u ndalur.

Së dyti, patjetër që të gjitha ato kërkesa që këto familje kanë pasur besoj se tashmë janë realizuar. Duhet të jemi në vazhdimësi me ata për t’i mbështetur në këtë situatë tepër dramatike, kur ata edhe nuk mund të shkëputen nga ky vend, ku po përpiqen me shpresë të gjejnë të afërmit e tyre.

Pyetje: Zoti President, a ishte i përgatitur vendi ynë për emergjenca të tilla. A kemi ekipe të përgatitura për të ndërhyrë e për të shpëtuar jetë njerëzish?

Presidenti Meta: Kjo është një eksperiencë jashtëzakonisht e vështirë tragjike, e pandodhur. Sepse nuk ka ndodhur një fatkeqësi natyrore e këtyre përmasave. Nuk ka qenë një eksperiencë e dëshiruar. Ka qenë një eksperiencë e pashmangshme për arsye madhore. Tani është e rëndësishme ta përballojmë me të gjitha mundësitë dhe të gjitha fuqitë, duke përmirësuar edhe mekanizmin e organizimit dhe funksionimit në mënyrë të vazhdueshme, pasi gjithmonë do të ndeshemi me probleme të reja. Sigurisht për fat të mirë kemi arritur të kemi mbështetje të konsiderueshme të specializuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe shpresojmë të vazhdojmë të kemi edhe një mbështetje më të madhe sa i takon jo vetëm ndihmës humanitare sa i takon emergjencës në ditët e në javët që vijnë, por edhe të një ndihme më të programuar për rikuperimin e pasojave afatgjata që ka lënë ky tërmet ndër mijëra familje.

Pyetje: A do ta thërrisni mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare zoti President? Dhjetëra banorë të tjerë kanë frikë të kthehen në banesat e tyre.

Presidenti Meta: Tani nuk është momenti për t’i shkëputur të gjithë drejtuesit nga puna dhe nga përkushtimi, pasi dihet që jemi në kushtet e emergjencës. Secili po bën dhe do të bëjë detyrën e tij sa më mirë që të jetë e mundur dhe më pas mund të bëjmë patjetër dhe do t’i bëjmë të gjitha konkluzinet, përllogaritjet edhe reflektimet e duhura për të ardhmen.

Pyetje: Qytetarët janë në panik pas tërmeteve të fundit zoti President.

Presidenti Meta: Unë shpresoj që të keqen ta kemi lënë pas, por të gjithë me kurajo, me qetësi dhe me solidaritet do ta përballojmë këtë situatë dhe duhet të shohim me guxim përpara pavarësisht nga dhimbja e jashtëzakonshme.

Pyetje: A i ka vendi ynë kapacitet e duhura për ta përballuar mirë këtë situatë?

Presidenti Meta: Unë mendoj se Shqipëria ka vënë në dispozicion të gjitha ato kapacitete që ka pasur mundësi për momentin dhe duhet të punojmë për t’i rritur kapacitetet tona në të ardhmen bazuar edhe në përvojën e kësaj tragjedie dhe të kësaj eksperience jashtëzakonisht të vështirë.

Pyetje: A mos ndoshta kjo tragjedi që prodhoi kaq shumë viktima është një leksion i mirë për të ardhmen pasi u panë shumë defekte në mënyrën se si ishin organizuar të gjitha strukturat?

Presidenti Meta: Nuk mund të flasim ende për këto aspekte, sepse jemi ende në kërkim të qytetarëve të tjerë që ndodhen nën rrënoja dhe duhet t’u përgjigjemi kërkesave imediate të mijëra familjeve që kanë nevojë për strehim, që kanë nevojë për ushqime dhe për kujdes social në këto ditë të vështira.

Pyetje: Meqë jemi te ndihmat, te dhënia e ndihmës së mbijetuarave e të atyre mijëra qytetarëve që kanë nevojë për çadra, strehim dhe ushqim, çfarë keni konstatuar deri më tani zoti President? A po u jepet ndihma e domosdoshme, e nevojshme të gjithë këtyre qytetarëve në aspektin e strehimit dhe ushqimit?

Presidenti Meta: Mendoj se, aty ku kam qenë, po bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme, megjithatë edhe ju jeni në terren vazhdimisht dhe keni vlerësimet dhe konstatimet tuaja. Por ky është një mekanizëm që duhet të përmirësohet çdo ditë, sepse përballimi i krizës nuk është i lehtë dhe nuk është çështje ditësh. Në ditët që vijnë do të përballohemi me sfida të tjera. Faleminderit!