Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i përgjigjet interesimit të mediave për çështje të ndryshme të aktualitetit

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i përgjigjet interesimit të mediave për çështje të ndryshme të aktualitetit

Pyetje: Zoti Meta, si e komentoni shtyrjen nga Kuvendi të shqyrtimit të ligjit të dekretit tuaj për Teatrin Kombëtar?

Presidenti Meta: Kuvendi është sovran për të vendosur sipas procedurave e përgjegjësive të veta, dhe unë nuk kam asnjë koment për këtë çështje.

Pyetje: Në rast se mazhoranca do të rrëzojë dekretin në seancën e 20 shtatorit, cili do të jetë hapi që ju do të ndërmerrni?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj vendimet e Kuvendit, përveçse do të dëshiroj t’i uroj Kuvendit punë të mbarë, meqenëse sapo ka riçelur punimet dhe të theksoja rëndësinë e një bashkëpunimi sa më të përgjegjshëm, sidomos përsa u takon të gjitha atyre detyrimeve dhe angazhimeve që ka Shqipëria edhe në kuadër të procesit të integrimit europian.

Pyetje: Zoti Meta, opozita kërkon ndryshimin e Kushtetutës për të realizuar vetting-un edhe në politikë. Ju si e shihni këtë nismë?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment për këto nisma, por shpresoj në një bashkëpunim dhe në një lexim të përbashkët të atyre sfidave, me të cilat duhet të përballohet politika shqiptare në mënyrë të bashkuar, për të garantuar pikërisht çeljen e negociatave për anëtarësim vitin e ardhshëm.

Pyetje: Për sa i përket hedhjes së shortit, Kryetari i Parlamentit zoti Gramoz Ruçi është shprehur se nëse ju nuk e hidhni, do të jetë ai që do ta bëjë. A do ta hidhni shortin?

Presidenti Meta: Nuk kam asnjë koment. Unë kam zbatuar dhe do të zbatoj gjithnjë ato detyrime kushtetuese dhe ligjore që ka Presidenti.