Presidenti Meta vlerëson fituesit e Olimpiadës Mbarëkombëtare të Matematikës dhe nderon personalitete të sportit në Berat

Presidenti Meta vlerëson fituesit e Olimpiadës Mbarëkombëtare të Matematikës dhe nderon personalitete të sportit në Berat

Gjatë vizitës në Berat, Presidenti i Republikës mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar në Pallatin e Kulturës ku u dhanë çmimet për fituesit e Olimpiadës Mbarëkombëtare të Matematikës me pjesëmarrjen e fëmijëve nga të gjitha trevat shqiptare, teksa “Qendra Kulturore e Fëmijëve të Durrësit” i akordoi Titullin “Mik i Fëmijëve” “Për kujdesin e treguar ndër vite dhe kontributin e dhënë, në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, si qytetarë të denjë të Bashkimit Evropian”.

Duke u ndarë çmimet fituesve, Presidenti Meta u shpreh: “99 pikë dhe një buqetë me lule, njëqind! Përgëzoj të gjitha ato që kanë marrë pjesë në këtë Olimpiadë dhe që janë fitues, sepse të gjitha kanë kaluar garat e mëparshme e të vështira.

Mendoj se ju duhet të jeni modele të shkëlqyera për të gjithë nxënësit, për të gjithë fëmijët, sepse kush i shmanget matematikës kërkon një jetë të lehtë, por jeta është e vështirë. Dhe për ta fituar çdo betejë matematika është shumë e rëndësishme, sepse është baza e të gjitha shkencave dhe disiplinave më të rëndësishme. Dhe pa zhvilluar edhe më tej këtë disiplinë, pas asnjë diskutim do ta kemi më të vështirë t’i fitojmë sfidat e së ardhmes.

Në mënyrë të veçantë një falënderim për të gjithë mësueset e mësuesit, të cilët me pasionin e tyre, përpiqen ta bëjnë matematikën sa më tërheqëse dhe sa më interesante për të gjithë fëmijët, sepse mendoj se edhe mësuesit kanë një rol të rëndësishëm për ta bërë matematikën sa më të bukur dhe sa më mëgjepsëse. Padyshim që për këtë ne u jemi shumë mirënjohës të gjithë atyre.

U sigurova që Berati kishte dalë fitues me meritë të plotë e të padiskutueshme ngaqë ndodh rrallë për të marrë 99 pikë. Kjo është një kënaqësi e madhe dhe një duartrokitje për të gjithë mësueset e fëmijët e Beratit. Urime të gjithëve dhe jam shumë i kënaqur që fëmijët që kanë ardhur nga trevat shqiptare kanë qenë mysafirë te bashkëmoshatarët e tyre beratas, sepse kjo do të thotë matematikë, por edhe miqësi. Ta ndieni njëri-tjetrin më pranë edhe përmes matematikës.”

Ndërsa në Bashkinë e qytetit, në prani të përfaqësuesve të Parlamentit, pushtetit vendor, autoriteteve fetare dhe qytetarëve beratas, u zhvillua ceremonia e dhënies së dekoratave për disa nga sportistët më të shquar të Beratit, ku Presidenti i Republikës vlerësoi me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” peshëngritësin dhe trajnerin Vasil Hoço, futbollistin e paharruar, tashmë edhe ai trajner Përparim Kovaçi, ping-pongistin Ilir Shabanaj dhe volejbollisten e njohur e ekipit të ‘Tomorit’, Ollga Gjoku.

Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës iu drejtua të pranishmëve duke u shprehur: “Është një kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në qytetin e Beratit për disa veprimtari mjaft domethënëse, të cilat e bëjnë atë një qytet edhe më të rëndësishëm në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar, sikurse ishte sot edhe Maratona e Beratit, por edhe Olimpiada Mbarëkombëtare e Matematikës!

Me këtë rast është kënaqësi të takohem me përfaqësues të një komuniteti mjaft të rëndësishëm e të spikatur të Beratit, që është ai i sportit. Besoj se më shumë vëmendje ndaj sportit, Berati i ka të gjitha mundësitë, sepse nuk i kanë munguar asnjëherë talentet, për të luajtur një rol edhe më të rëndësishëm në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndaj ne sot, duke shfrytëzuar këtë mundësi, nderojmë disa nga modelet më të mira në të kaluarën e Beratit në sport, disa nga modelet më të suksesshme.

Kur isha i vogël, kuptohet shumë i dhënë pas Tomorit, për arsyet që i dini ju, mbaj mend një këngë: ‘Jani Kaç, Jani Kaçi, ki kujdes nga ai Kovaçi! Po t’u afrua në zonën e rreptësisë, të mori gjysmën e revanisë’. Dhe vërtet Përparim Kovaçi është një nga modelet më të shkëlqyera, më të suksesshme, që ka dhënë kontribute të shkëlqyera për futbollin në Berat. Ka qenë ndër golashënuesit më të mirë të kampionateve kombëtare. Sot ende është një model që mund të frymëzojë shumë të rinj dhe sidomos shumë fëmijë drejt fushës së blertë. Ndaj edhe unë kam kënaqësinë që të jem sot bashkë me ju për të shprehur nderimin dhe dashurinë më të madhe për Përparim Kovaçin.

Njëkohësisht është kënaqësi të nderojmë sot një ping-pongist që u bë kampion që kur ishte fëmijë, 15 vjeç, Ilir Shabanajn, i njohur në nivel kombëtar e me arritje edhe në nivel ndërkombëtar, dhe po kështu ta mbështesim në punën e pasionin e tij në përgatitjen e sportistëve të rinj në të ardhmen. Aq më tepër që unë ping-pongun e kam me shumë pasion dhe nuk jam i keq, jam i mirë.

Një voljebolliste cilësore që ka nxjerrë qyteti juaj, e cila ka qenë edhe kapitenia e skuadrës së ‘Tomorit’ duke e çuar drejt rezultateve të larta edhe në nivele kombëtare kur dihet se volejbolli ka qenë një sport mjaft konkurrues në Shqipëri, është Ollga Gjoku, dhe është kënaqësi për mua që të nderojmë këtë personalitet, dhe po kështu të kërkojmë një përkrahje më të madhe për sportet e lojërave me dorë, sepse janë sporte mjaft të shëndetshme, zhvillojnë fëmijët e të rinjtë fizikisht, por edhe nga pikëpamja e mendjes, intelektuale dhe nuk kërkojnë shumë shpenzime e investime. Me pak mbështetje janë sporte, të cilat mund të na kthejnë në kohët e dikurshme të lavdishme.

E mbani mend të gjithë ‘Dinamon’ në volejboll për femra apo ‘Partizanin’ në basketbollin e meshkujve në nivelet më të larta të Evropës. Jo vetëm ato, por edhe shumë ekipe anembanë vendit që konkurronin denjësisht.

Tani të fundit, por jo më të parëndësishmin, do të thoja që është konflikt interesi: Vasil Hoçon. Meqenëse jam marrë për pak kohë me peshëngritje, e kam njohur nga afër dhe e kam ndjekur në shumë gara këtu Vasil Hoçon, një kampion dhe rekordmen absolut në peshat e lehta. Ende ka rekorde të paprekura me një bilanc mjaft pozitiv edhe në garat ndërkombëtare. Atëherë ekipi i ‘Tomorit’ ka qenë shumë konkurrues: Vasili, vëllai i tij Mihali, e shumë të tjerë me trajnerin e jashtëzakonshëm Fehmi Telegrafi, një trajner dhe edukator i vërtetë.

Ashtu sikurse peshëngritja, ishte edhe mundja, ku Berati ka pasur kampionë absolutë dhe natyrisht që sportet e forcës në Berat duhet të rivitalizohen. Kështu që mendoj se duke nderuar sot zotin Vasil Hoço, t’u kërkojmë edhe të gjithë atyre që merren me këto sporte, njerëzve që kanë përvojën, duke shfrytëzuar modele të tilla, të arrijmë që t’i angazhojmë të rinjtë e fëmijët me sport, sepse kjo i bën të fortë për të ardhmen, të shëndetshëm, por i shkëput nga tundimet e ndryshme, nga të cilat janë të kërcënuar vazhdimisht të rinjtë në botën e sotme. Nuk ka ilaç më të mirë se sa sporti. Nuk ka asnjë alternativë më të mirë se sa sporti për t’i socializuar fëmijët, për t’i edukuar e për t’u dhënë shpirtin e garës, për t’i mësuar të jenë të organizuar, për t’i mësuar edhe me humbjen e për të mësuar edhe nga humbja, që të shkojnë te fitorja.

Mendoj se këto katër modele që ne nderojmë sot janë vërtet figura që kanë bërë krenarë të gjithë qytetarët e Beratit dhe që besojmë se do të frymëzojnë shumë të rinj e fëmijë në të ardhmen, në mënyrë që ‘Tomori’ siç është një mal i pakrahasueshëm, të jetë edhe në sporte një emër mjaft i fuqishëm e konkurrues.”

]]>