Presidenti Meta viziton Komunën e Rozhajës si i Ftuar Nderi i veprimtarisë kulturore “Ora e Maleve 2018”

Presidenti Meta viziton Komunën e Rozhajës si i Ftuar Nderi i veprimtarisë kulturore “Ora e Maleve 2018”

Rozhajë, Mal i Zi

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta po zhvillon një vizitë pune në Komunën e Rozhajës në Malin e Zi, ku sot mori pjesë si i Ftuar Nderi në veprimtarinë kulturore dhe letrare të përvitshme “Ora e Maleve 2018”. Në këtë veprimtari ishin të pranishëm Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviç, Ministri i Infrastrukturës, Osman Nurkoviç, Kryetari i Kuvendit të Komunës Rozhajë, Amir Avdiç, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Boshnjakëve të Sanxhakut, Sulejman Uglanin, deputeti Ervin Ibrahimoviç, kryetarët e komunave nga Mali i Zi dhe Kosova, si dhe shumë bashkatdhetarë të Rozhajës e të zonave përreth.

Në fjalën e tij përshëndetëse si i Ftuar Nderi në tubimin tradicional të veprimtarisë kulturore e letrare kushtuar poezisë shqipe “Ora e Maleve 2018”, Presidenti Meta vuri në dukje se këtë vit kombi shqiptar feston dy ngjarje të rëndësishme,  550-vjetorin e largimit në përjetësi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit Skënderbeut si dhe 110-vjetorin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, si shenjë përbashkimi të shqiptarëve dhe lajtmotivi që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë më 1912-n. “Alfabeti dhe gjuha e bukur shqipe janë elementi më i rëndësishëm përbashkues i shqiptarëve kudo në botë.

Prandaj edhe këtu në Rozhajë, rëndësia më e madhe për të gjithë ne është ruajtja e gjuhës sonë të bukur shqipe. Edhe ky aktivitet  kulturor, i shërben këtij qëllimi.” – theksoi Presidenti Meta. “550-vjetori i largimit për në përjetësi të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, është ngjarja që e ka simbolizuar këtë Vit Mbarëkombëtar te të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë. Gjergji ynë i madh e shtroi rrugën e kombit tonë drejt Perëndimit duke përcaktuar identitetin tonë europian, në gjirin e familjes së madhe europiane, aty ku Shqipëria dhe shqiptarët aspirojnë të anëtarësohen së shpejti me merita të plota.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Shqiptarët në trojet e tyre në Mal të Zi, duhet të ndihen krenarë për kontributin e dhënë për çêshtjen kombëtare shqiptare, sepse vendi i tyre është në piedestalin e historisë sonë. Respektimi i pakicave kombëtare është një vlerë e shtuar për të gjithë ne.

Bashkëjetesa dhe fqinjësia e korë ne mes të shqiptarëve e malazezëve, si në Shqipëri e Mal të Zi, ashtu edhe në Kosovë, është një udhërrëfyes i mirë për bashkëjetesën me pakicat e minoritetet kombëtare në të gjithë rajonin tonë.

Shqiptarët në Mal të Zi kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë shtet, veçanërisht për Pavarësinë e tij si dhe për proceset integruese të Malit të Zi, në familjen euro-atlantike.” – nënvizoi mes të tjerash Presidenti Meta. Duke shtuar se është një kënaqësi e veçantë që nga ky takim tradiconal kulturor e letrar t’iu uroj banorëve të Rozhajës dhe të gjithë shqiptarëve kudo ku janë, Festën e Flamurit Kombëtar.

Presidenti i Republikës me këtë rast vlerësoi organizatorin e palodhur të tubimit, mësuesin e intelektualin Ali Daci me Titullin “Naim Frashëri” me movacionin: “Në shenjë vlerësimi për kontributin e çmuar si mësimdhënës i gjuhës shqipe, gazetar, shkrimtar e veprimtar i spikatur, si dhe për organizimin e veprimtarive kulturore në Rrozhajë, duke ruajtur e lartësuar traditat, doket dhe zakonet më të mira shqiptare”.]]>