Presidenti Meta uron Presidentin Pendarovski me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

Presidenti Meta uron Presidentin Pendarovski me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut

I nderuar Zoti President,

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, kam kënaqësinë e veçantë që të përcjell, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e të përzemërta për Ju dhe të gjithë qytetarët e vendit tuaj mik.

Jam i lumtur të konstatoj se, falë edhe vizionit dhe interesave të përbashkëta europiane dhe euroatlantike, në tre dekadat e fundit ne kemi ndërtuar marrëdhënie shumë të mira të fqinjësisë e të bashkëpunimit në të gjitha fushat, në interesin më të mirë të të dy vendeve tona dhe qytetarëve të tyre.

Shpreh bindjen se një ndikim shumë të madh në forcimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona ka luajtur dhe luan adresimi dhe përmirësimi i vazhdueshëm i marrëdhënieve ndëretnike mes shqiptarëve e maqedonasve. Shqiptarët në Maqedoni dhe komuniteti maqedonas në Shqipëri janë vlera dhe ura të forta miqësie e bashkëpunimi.

Përfitoj nga rasti t’Ju uroj gjithashtu për realizimin me sukses të zgjedhjeve parlamentare të korrikut të kaluar, të cilat me siguri do t’i japin një shtysë mjaft pozitive procesit të integrimit europian të vendit tuaj, duke i shërbyer në këtë mënyrë edhe forcimit të sigurisë, paqes e prosperitetit të të gjithë rajonit.

Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta