Presidenti Meta uron Presidentin Alain Berset me rastin e Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane

Presidenti Meta uron Presidentin Alain Berset me rastin e Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane

I nderuar Zoti President,

Më lejoni që me rastin e Ditës së Themelimit të Konfederatës Zvicerane, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të mira e të sinqerta për Ju dhe të gjithë qytetarët e Zvicrës.

Shpreh kënaqësinë për nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve e të bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik e kulturor. Në dy dekadat e fundit këto marrëdhënie janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, duke krijuar një bazament shumë të qëndrueshëm për të ardhmen e bashkëpunimit tonë.

Vlerësoj lart ndihmën që Zvicra i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që nga viti 1992 e në vijim, si përmes asistencës teknike, ashtu edhe nëpërmjet donacioneve apo investimeve të drejtpërdrejta. Mbështetja zvicerane, veçanërisht për qeverisjen demokratike, decentralizimin dhe rritjen e kapaciteteve lokale, apo në fushën e arsimit profesional, ka qenë domethënëse dhe ka ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik e social të vendit.

Përfitoj nga rasti gjithashtu të shpreh mirënjohjen edhe për mbështetjen dhe mundësitë që Zvicra i ka krijuar komunitetit shqiptar për t’u integruar dhe bërë pjesë e shoqërisë së saj. Ky komunitet është bërë sot një urë e fuqishme miqësie e bashkëpunimi dhe i ka dhënë një përmbajtje edhe më të madhe marrëdhënieve midis dy vendeve tona.

Me urimet më të mira për zhvillimin dhe përparimin e mëtejshëm të Zvicrës dhe qytetarëve të saj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta

]]>