Presidenti Meta uron Gjeneral Tod D. Wolters për zgjedhjen Komandant i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Europë

Presidenti Meta uron Gjeneral Tod D. Wolters për zgjedhjen Komandant i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Europë

I nderuar Gjeneral Tod D. Wolters,

Para së gjithash, si Kryetar i Shtetit dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, dëshiroj t’ju uroj përzemërsisht suksese në funksionin dhe sfidën më të lartë, si Komandant Suprem i Aleancës së Atlantikut të Veriut në Europë.

Jam shumë i sigurt, se eksperienca dhe lidershipi juaj i mirënjohur si Komandant i Komponentit Ajror të NATO-s, si dhe karriera Juaj e spikatur në Forcat e Armatosura të SHBA-së, do të shërbejnë si një vlerë e shtuar në forcimin e solidaritetit si dhe përkushtimin e 29 vendeve tona për të ndërtuar dhe zhvilluar kapacitete të afta dhe të besueshme për t’u përballur me rreziqet dhe sfidat e shekullit XXI.

Me këtë rast, Ju siguroj për mbështetjen dhe angazhimin Republikës së Shqipërisë për të vazhduar bashkëpunimin dhe përmbushur detyrimet në kuadrin e NATO-s, dhe posaçërisht për ta finalizuar projektin e përbashkët për bazën Ajrore të Kuçovës, etj.

Duke përfunduar, dëshiroj t’ju shpreh konsideratat e mia personale, që patëm mundësi të takohemi dhe të ndajmë këndvështrime në zyrën time më 24 janar 2019, në Tiranë, dhe mbetem i dëshiruar për t’u takuar së shpejti në funksionin që sapo keni marrë.

Sinqerisht

Ilir Meta