Presidenti Meta priti në takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. George Tsereteli

Presidenti Meta priti në takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, z. George Tsereteli

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Presidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Sh.T.Z. George Tsereteli, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Asamblesë, z. Roberto Montanella.

Presidenti Meta vlerësoi punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për paqen, stabilitetin dhe demokracinë nëpërmjet mbrojtjes, respektimit dhe promovimit të standardeve më të larta për forcimin e institucioneve demokratike, të drejtat e njeriut, dhe fusha të tjera të sigurisë.

Presidenti vuri në dukje se Shqipëria mbështet të gjitha aktivitetet e OSBE-së dhe jep kontributin e saj modest por të vendosur.
Kreu i Shtetit theksoi se vëmendja është përqëndruar në zbatimin e reformave në fusha kyçe që lidhen me përparimin drejt integrimit evropian, duke shpresuar që në qershor Këshilli Evropian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Ndër sfidat e afërta, Presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e përparimit me reformën zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR. “Është tejet e rëndësishme që Shqipëria të përmbyllë një herë e mirë kapitullin e zgjedhjeve me probleme”, – theksoi Kreu i Shtetit.