Presidenti Meta priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Stef Blok

Presidenti Meta priti Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Stef Blok

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, Sh.T.Z. Stef Blok.

Presidenti Meta vlerësoi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Holandës, veçanërisht ndihmën në fushën e sundimit të ligjit dhe rritjen e investimeve holandeze në vendin tonë.

Presidenti inkurajoi bashkëpunim më të ngushtë mes agjencive lizgjzbatuese të të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar, që siç theksoi: “Nuk duhet lejuar të penalizojë shqiptarët e ndershëm që punojnë dhe jetojnë në vendet e BE-së”.

Kreu i Shtetit theksoi se: “Integrimi europian është projekti më strategjik i Shqipërisë, duke shpresuar që qershori i ardhshëm të shënojë çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”.

“Kur mbeten dhe pak muaj deri në vendimmarrjen e Këshillit Europian, përparimi me shpejtësi, vendosmëri dhe rezultate bindëse në reformat kyçe, veçanërisht të lidhura me sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, kërkon angazhim dhe përgjegjshmëri maksimale të të gjitha institucioneve të vendit”, – u shpreh Presidenti Meta.

Duke u ndalur në zhvillimet në rajon, Kreu i Shtetit theksoi se mbështet plotësisht çdo proces që i kontribuon paqes, sigurisë, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal në frymën europiane të bashkëjetesës, sikundër ishte dhe ratifikimi në Parlamentin maqedonas i Marrëveshjes së Prespës.