Presidenti Meta pritet nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev

Presidenti Meta pritet nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev

Baku, Azerbajxhan

Në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, zoti Ilham Aliyev.

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe ecurinë e tyre shumë të mirë në vitet e fundit.

Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Aliyev i ka dhënë projekteve të gazsjellësve TAP dhe IAP, nëpërmjet të cilave Shqipëria u bë pjesë e rrjetit të rëndësishëm të korridorëve botërore të energjisë.

Duke u ndalur në marrëdhëniet dypalëshe, të dy Presidentët ndanë mendimin se zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë.

Gjithashtu, Presidentët Meta e Aliyev vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë.

Presidenti Meta kërkoi gjithashtu që të shihej mundësia e heqjes së vizave nga Azerbajxhani për qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve.