Presidenti Meta pritet nga Kryeparlamentari hungarez László Kövér, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari

Presidenti Meta pritet nga Kryeparlamentari hungarez László Kövér, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryetari i Parlamentit të Hungarisë, László Kövér.

Duke u ndalur në miqësinë tradicionale midis dy popujve, Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e veçantë lidhur me mbështetjen që populli hungarez dhe udhëheqësit e tij i kanë dhënë shqiptarëve në momentet kyçe të historisë.

Presidenti Meta vlerësoi vëmendjen që Hungaria dhe Parlamenti hungarez i kushton marrëdhënieve me Shqipërinë, si dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e fortë e të qartë që i japin procesit të integrimit evropian të vendit.

Kryetari Kövér përshëndeti progresin e bërë nga Shqipëria në këtë drejtim dhe e siguroi Presisdentin Meta se Parlamenti hungarez do vijojë ta mbështesë Shqipërinë pa asnjë reservë në aspiratën e saj evropiane.

Bashkëbiseduesit vlerësuan rolin që mund të luajnë të dy parlamentet dhe në veçanti grupet parlamentare të miqësisë, për forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar dhe rritjen e shkëmbimeve në fusha të ndryshme me interes reciprok.