Presidenti Meta pritet nga Kryeministri hungarez Viktor Orbán, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari

Presidenti Meta pritet nga Kryeministri hungarez Viktor Orbán, në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari

Në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë edhe nga Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán, me të cilin zhvilloi një bisedë të gjatë e shumë miqësore.

Presidenti Meta i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Orbán për mbështetjen domethënëse e pa rezerva që ai i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë së zotit Orbán për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Presidenti Meta nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Edhe në takimin me Kryeministrin Orbán, Presidenti Meta shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Ndërsa, duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet. Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orbán.

Kryeministri Orbán e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy popujve.

Kryeministri Orbán shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet hungareze në të gjitha drejtimet ku Shqipëria shpreh interes.

Pas takimit që u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare në Hungari të Presidentit të Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta, kreu i shtetit shqiptar dhe kryeministri hungarez Viktor Orbán dhanë një prononcim për shtyp duke iu përgjigjur interesit të mediave të pranishme.

Presidenti Meta: Jam shumë i lumtur për këtë takim që pata me kryeministrin Orban për të konfirmuar edhe një herë miqësinë e shkëlqyer dhe tepër të fortë midis dy vendeve dhe kombeve tona, por njëkohësisht edhe marrëdhëniet mjaft premtuese për të ardhmen mes Shqipërisë dhe Hungarisë në të gjitha drejtimet.

Po kështu për ta falënderuar kryeministrin Orban për mbështetjen e palëkundur që Hungaria i jep së ardhmes evropiane të Shqipërisë. Me shumë kënaqësi presim kryeministrin Orban të rikthehet në Shqipëri dhe duhet të vijë patjetër në këtë Vit të Skënderbeut.

Kryeministri Orbán: Dëshiroj të shpreh lumturinë tonë për vizitën e Shkëlqesisë së Tij në Hungari, sepse është gëzim dhe respekt të presim Presidentin e Shqipërisë si vizitor në Budapest jo vetëm për arsye politike, por edhe personale, sepse e njohim njëri-tjetrin për më tepër se njëzet vite. Veteranët politikë e njohin njëri-tjetrin shumë mirë. Edhe në politikën moderne marrëdhëniet personale kanë rëndësi. Natyrisht që besimi mbështetet në marrëdhëniet ndër-shtetërore, por ai është i rëndësishëm edhe në marrëdhëniet ndër-personale gjithashtu. Kështu që të dy përpiqemi t’u shërbejmë popujve tanë në mënyrë që të krijojmë marrëdhënie të mira shqiptaro-hungareze.

E sigurova Shkëlqesinë e Tij se Hungaria është një nga mbështetëset kryesore të integrimit perëndimor të Shqipërisë, sidomos të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Hungaria dhe ne personalisht do të bëjmë çdo gjë për ta përshpejtuar atë proces, dhe t’ua bëjmë të qartë udhëheqësve evropianë se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian nuk është i rëndësishëm vetëm për Shqipërinë. Nuk është i rëndësishëm vetëm për rajonin, por është bindja ime personale se është i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Evropian, sepse Shqipëria si një vend i ri anëtar, mund t’i japë energji pozitive, ambicie dhe një shtysë të re Bashkimit Evropian, gjëra për cilat patjetër që kemi nevojë.

Prandaj shpresoj se ju do të keni një të ardhme të mirë dhe ne do të kemi gjëra të mira në të ardhmen për të bashkëpunuar mes Hungarisë dhe Shqipërisë, Presidentit i Shqipërisë, Hungarisë dhe udhëheqjes së shtetit.

Kështu që Shkëlqesia Juaj, faleminderit shumë që erdhët!

Presidenti Meta: Shumë faleminderit!