Presidenti Meta pritet në takim nga Kryeministri i Kroacisë, z. Andrej Plenković

Presidenti Meta pritet në takim nga Kryeministri i Kroacisë, z. Andrej Plenković

Zagreb, Kroaci

Në vijim të vizitës së Tij shtetërore në Zagreb, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta u prit në një takim të veçantë nga Kryeministri i Kroacisë, Sh.T.Z. Andrej Plenković.

Kreu i Shtetit e falënderoi Kryetarin e Qeverisë kroate për mbështetjen e shkëlqyer dhe pa rezerva që Kroacia i ka dhënë rrugëtimit europian të Shqipërisë.

“Marrja e Presidencës së BE-së për herë të parë nga Kroacia dhe qëndrimi i saj pro zgjerimit, është një mundësi e shtuar për Shqipërinë dhe rajonin në funksion të perspektivës europiane”, – nënvizoi Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit theksoi se: “Do të dyfishojmë e trefishojmë përpjekjet tona në javët që vijnë, në muajt që vijnë, në mënyrë që Samiti i Zagrebit në maj 2020 të rezultojë me një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian”.

Presidenti Meta dhe Kryeministri Plenković ndanë të njëjtin qëndrim se integrimi europian i Shqipërisë dhe rajonit është e vetmja alternativë e së ardhmes sonë të përbashkët.

Liderët ranë dakord se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve duhet të ngrihet në të njëjtin nivel me partneritetin strategjik dhe bashkëpunimin e shkëlqyer politik.

Presidenti Meta theksoi se lidhja direkte ajrore Tiranë-Zagreb do t’i shërbente forcimit të këtij bashkëpunimi, si dhe ndërlidhjes mes nesh.

Një tjetër projekt ambicioz është ndërtimi i gazsjellësit Adriatiko-Jonian IAP, si zgjatim i TAP-it, që do të ndërlidhë më shumë vendet tona në fushën energjitike dhe do të diversifikojë burimet e energjisë.

Presidenti Meta shprehu gjithashtu kënaqësinë që komuniteti shqiptar në Kroaci përfaqësohet në Parlamentin kroat me deputeten, znj. Ermine Lekaj Prljaskaj, një tjetër tregues i lidhjeve të forta tradicionale shqiptaro-kroate.

Gjatë takimit, Kreu i Shtetit vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e liberalizimit sa më parë të vizave mes BE-së dhe Kosovës për t’i dhënë fund izolimit të pamerituar të qytetarëve të saj.