Presidenti Meta pret në takim Këshilltarin e Këshillit Bashkiak të Nju-Jork, z. Mark Gjonaj

Presidenti Meta pret në takim Këshilltarin e Këshillit Bashkiak të Nju-Jork, z. Mark Gjonaj

Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta priti në një takim z. Mark Gjonaj, Këshilltar në Këshillin Bashkiak të Nju-Jork, i cili shoqërohej nga disa përfaqësues të diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Meta, duke shprehur mirënjohjen për kontributin e jashtëzakonshëm të diasporës shqiptare në SHBA, në ruajtjen e gjuhës, kulturës e traditave shqiptare, si dhe për forcimin e lidhjeve dhe të marrëdhënieve të shkëlqyera me popullin e institucionet amerikane, vlerësoi kontributin konkret të z. Gjonaj në këtë drejtim.

Presidenti Meta shprehu besimin se z. Gjonaj, si një përfaqësues dinjitoz i komunitetit tonë në Amerikë do të vijojë angazhimin e tij të palodhur për çështjen shqiptare, veçanërisht duke ndikuar në një vëmendje më të madhe të administratës amerikane për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, por edhe në sfidat euro-atlantike që po kalojnë shqiptarët në rajon.