Presidenti Meta pret në një takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë, z. Wolfgang Sobotka

Presidenti Meta pret në një takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë, z. Wolfgang Sobotka

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta priti sot në një takim Presidentin e Këshillit Kombëtar të Austrisë, z. Wolfgang Sobotka.

Kreu i Shtetit vlerësoi vizitën e tretë të z. Sobotka në Tiranë, si përfaqësues i një vendi mik që ka vendosur një gurthemel të rëndësishëm në historinë e shtetit shqiptar.

Presidenti Meta shprehu mirënjohjen për mbështetjen tradicionale të Austrisë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe e falënderoi për përkrahjen që vendi i Tij jep për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Gjithashtu Kreu i Shtetit e falënderoi z. Sobotka për kontributin e Austrisë në ndihmë të qytetarëve shqiptarë që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Presidenti Meta mirëpriti programin dypalësh për shkëmbimin e praktikave të punës mes dy parlamenteve, duke uruar që shembulli austriak të reflektohet sa më shpejt në punën e institucionit homolog shqiptar.