Fjala e Presidentit Meta në Konferencën Rajonale “Roli i Fesë në Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor”

Fjala e Presidentit Meta në Konferencën Rajonale “Roli i Fesë në Shoqëritë e Ballkanit Perëndimor”

Është kënaqësi e veçantë për mua të bëhem pjesë e Konferencës Rajonale ‘Roli i Fesë në Ballkanin Perëndimor’ organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe partnerët e saj, të cilët gjej rastin t’i falënderoj!

Jam krenar që jam Presidenti i një shteti që në themelet e veta ka bashkëpërfshirjen, bashkëjetesën dhe harmoninë fetare, dhe i një populli që ndër shekuj, këtë ka patur dhe pikën e vet më të fortë.

Harmonia fetare është ndër vlerat më të vyera të Shqipërisë, e trashëguar nga kombi ynë ndër shekuj, e mbartur dhe forcuar nga qytetarët tanë dhe që u takon brezave të ardhshëm ta forcojnë dhe ta ruajnë atë si sytë e ballit.

U takon historianëve dhe studiuesve vendas dhe nga bota që rastin e besimeve dhe harmonisë fetare ndërshqiptare ta studiojnë dhe elaborojnë si një model dhe histori suksesi si rrallë të tjera në mbarë botën.

Megjithatë, historia jonë ka njohur dhe periudha të një errësire të thellë antifetare. Me privimin e të gjitha lirive politike e demokratike erdhi edhe ndalimi totalitar ateist kundër të drejtës universale të besimit në Zot si në asnjë vend tjetër ish-komunist.

Epoka e kultit të individit mbi atë të Zotit dhe integritetit njerëzor solli mënxyra të mëdha për popullin tonë. Falë Zotit, ajo histori kriminale e asaj errësire ka mbaruar njëherë e përgjithmonë.

Historia nuk na shërben vetëm për kujtesë, ajo na shërben ne dhe brezave që vijnë për të mos lejuar më kurrë një Shqipëri totalitare, ateiste, ku vritet liria dhe shuhet shpresa.

Rolin më të rëndësishëm në këtë histori suksesi dhe krenarie të veçantë e kanë krerët dhe besimtarët e bashkësive tona fetare të gjithë së bashku.

Kujtojmë të gjithë ata që kontribuan, që nga rilindasit e vërtetë të kombit tonë, themeluesit e shtetit shqiptar, e deri tek udhëheqësit e sotëm të bashkësive tona fetare.

Udhëheqësit e bashkësive tona fetare, në punën e tyre të përditshme, nga angazhimi në bashkësitë e tyre, por edhe në Këshillin Ndërfetar, janë shembull për shoqërinë dhe klasën politike për sjelljen reflektuese, dialogun, bashkëpunimin, si rruga e vetme në zgjidhjen e konflikteve, qofshin ato shoqërore apo politike.

Edhe kohët e fundit, drejtuesit e bashkësive të ndryshme fetare si edhe Këshilli Ndërfetar Shqiptar kanë bërë thirrje të qarta e plot përulësi për zgjidhje të situatës politike në vend, për reflektim, dialog e bashkëpunim, duke shpallur edhe ditë agjërimi dhe lutjeje për zgjidhje paqësore të konfliktit politik.

Shfrytëzoj këtë rast të inkurajoj të gjitha bashkësitë fetare të vazhdoni me lutjet tuaja për të mirën, begatinë dhe të ardhmen e Shqipërisë dhe qytetarëve tanë.

Si President i Republikës nuk do resht kurrë së shprehuri mirënjohjen time të thellë ndaj udhëheqësve fetarë të cilët nuk janë më midis nesh, por kanë kontribute mjaft të mëdha për këtë bashkëjetesë të mrekullueshme që ne kemi sot.

Nesër na ndajnë 20 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës. Historia e ish-Jugosllavisë dhe e shpërbërjes së saj të dhunshme me qindra mijëra viktima, ku konfliktet etno-fetare u kthyen në burim tragjedish dhe ku gjenocidi arrit kulmin në mes të Europës duhet të na bëjnë të mos harrojmë dhe reflektojmë.

Popujt e dalë prej atyre konflikteve sot gëzojnë lirinë, demokracinë dhe të drejtën e tyre për të besuar dhe jetuar në vende demokratike. Ky reflektim duhet të na bëjë të kthejmë kokën pas për të mos e përsëritur më tragjedi të ngjashme.

Në ditët e sotme i takon institucioneve tona shtetërore të tregojnë mbështetje ndaj bashkësive fetare duke siguruar për to sa më shumë nisma mbështetëse si financiare nga buxheti i shtetit, ashtu edhe më gjerë, duke shtuar përpjekjet për kthimin e pronave bashkësive fetare, në mënyrë që ato të shtojnë burimet dhe forcojnë pavarësinë e tyre, por njëkohësisht të evitojnë ndikime të padëshirueshme nga jashtë.

Me atributet e mia si President i Republikës do të bëj gjithçka për mbrojtjen e të gjitha të drejtave të bashkësive fetare si dhe për të bashkëpunuar që të gjithë, në mënyrë që sa më shpejt të realizohet kthimi dhe kompensimi i pronave të tyre me ligj të veçantë si një detyrim ndaj të shkuarës dhe angazhim për të ardhmen, në mbrojtje të drejtës së besimit dhe forcimin dhe promovimin e mëtejshëm të harmonisë fetare në Republikën e Shqipërisë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Besimi dhe harmonia fetare përbëjnë pikënisjen për dialogun ndërfetar dhe kjo e fundit forcon kulturën e përgjithshme të tolerancës në shoqërinë tonë dhe njëkohësisht ajo na bën më të ndërgjegjshmë, më të mirë dhe na bën më të përgjegjshëm për domosdoshmërinë e njëri-tjetrit dhe bashkëpunimit midis të gjithëve.

Ndaj edhe vlerësoj se kjo konferencë shërben më së miri në këtë aspekt, duke sjellë në vëmendje rëndësinë dhe rolin e fesë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo punë e juaj e vyer duhet të na shërbejë si reflektim dhe motivim për të ardhmen, për fëmijët dhe për qytetarët tanë, për progresin dhe mirëqenien e përbashkët, për sigurinë publike dhe rajonale të të gjithë qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Konferenca dhe diskutime të këtij lloji janë një pasqyrë reale edhe e harmonisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shpalos edhe më gjerë tek partnerët tanë ndërkombëtarë këtë vlerë të vyer, këtë forcë dhe ndikimin e besimit në vendin tonë dhe harmonizimin e saj me vendet fqinje.

Sfidat e rajonit tonë janë ato të anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian, për progresin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë, por nuk duhet të harrojmë që në epokën e globalizmit të shpejtë dhe galopant, asnjë nga ne nuk është imun ndaj rreziqeve dhe kërcënimeve të reja të kohëve që po jetojmë.

Për këtë arsye konferenca të tilla rajonale mbi besimin si virtytin më të lartë njerëzor le të na shërbejnë si momente të rëndësishme reflektimi të përbashkët.

Ju uroj punë të mbarë në këtë konferencë dhe suksese të mëtejshme dhe dua shumë që lutjet tuaj të dëgjohen nga të gjithë!