Presidenti Meta në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”

Presidenti Meta në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”

Presidenti Meta në “Ditën Ndërkombëtare për t’i Dhënë Fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”: Kur deformohet e cenohet liria dhe të drejtat e gazetarëve, është cenuar vetë themeli i sistemit tonë demokratik!

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në kuadër të “Ditës Ndërkombëtare për t’i Dhënë fund Pandëshkueshmërisë së Dhunës ndaj Gazetarëve”, mikpriti sot në Institucion gazetarë, raportues terreni, redaktorë dhe kryeredaktorë të mediave të ndryshme dhe portaleve shqiptare, si dhe zëdhënës e atashe shtypi të ambasadave të huaja të akredituara në vendin tonë.

Presidenti Meta duke shprehur mirënjohjen, respektin dhe solidaritetin e plotë me të gjithë komunitetin e gazetarëve, për misionin, profesionalizimin dhe për mbrojtjen e fjalës së lirë, theksoi se: “Liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri vërtet demokratike. Kur deformohet dhe cenohet liria dhe të drejtat e gazetarëve, është cenuar vetë themeli i sistemit tonë demokratik.”

“Një solidaritet të veçantë shpreh sidomos për gazetarët e terrenit, për ata që raportojnë ngjarjet, faktet në mënyrë të menjëhershme duke sakrifikuar në çdo kohë, duke rrezikuar për shkak të ngjarjeve dhe karakterit të ndryshëm të tyre, gjithmonë në shërbim të lirisë, në shërbim të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të sistemit tonë demokratik.” – u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti Meta, duke nënvizuar rëndësinë ndërkombëtare të kësaj dite dhe nevojën për ruajtjen e respektimin e integritetit dhe profesionalizmin e gazetarëve, theksoi se: “Apeli im sot është inkurajim për të gjithë gazetarët që të vijojnë misionin e tyre, me guxim, pa u trembur e shantazhuar nga askush.”

Presidenti i Republikës ripërsëriti thirrjen e bërë edhe më parë publike drejtuar të gjitha institucioneve ligjzbatuese për të vepruar me shpejtësi për hetimin e zbardhjen e autorësisë dhe motiveve të sulmeve ndaj gazetarëve, fatkeqësisht të shpeshtuara, pasi çdo vonesë në këtë drejtim do të ndikojë negativisht në klimën e lirisë së shprehjes në vendin tonë.

“Mosndëshkimi i krimeve kundër gazetarëve duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë!

Asnjë gazetari në Shqipëri nuk duhet t’i rrezikohet jeta për të raportuar lajmet. Asnjë gazetari në Shqipëri nuk duhet t’i rrezikohet vendi i punës për të raportuar lajmin e vërtetë.

Sulmi me armë ndaj banesës së prindërve të gazetares, Klodiana Lala, kërcënimi me jetë i gazetarit, Julian Shota, apo moszbulimi i autorëve të rrahjes barbare të gazetarit Elvi Fundo e disa raste të tjera, janë ngjarje tepër të rënda që na ftojnë të gjithëve, veçanërisht organet e sundimit të ligjit, të hetojnë me shpejtësi, transparencë, në mënyrë të plotë e shteruese, për të vënë para ligjit këdo që qëndron pas tyre dhe të punojnë maksimalisht për parandalimin e rasteve të ngjashme në të ardhmen.

Dua të inkurajoj promovimin e një mjedisi pune sa më të sigurtë për gazetarët që ju ta kryeni misionin tuaj në mënyrë të pavarur dhe larg çdo ndikimi apo ndërhyrjeje të panevojshme.

Duhet të respektohet rigorozisht integriteti profesional dhe njerëzor i gazetarëve dhe askush të mos intimidojë dhe për asnjë arsye këtë integritet profesional dhe akoma më rëndë, personal!” – u shpreh Presidenti i Republikës.

“Raportimet se në dy vitet e fundit, të paktën 12 gazetarë kanë kërkuar azil në vendet e BE-së dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të rreziqeve të punës, ndërsa 34 të tjerë kanë kërkuar shtetësi në vende të tjera, janë tronditëse dhe alarmuese.

Gazetarët duhet të refuzojnë çdo përpjekje që synon të shkatërrojë gazetarinë serioze për ta zëvendësuar atë me ‘Fake News’. Humbja e gazetarisë së terrenit është goditje për fjalën e lirë.

Njëkohësisht problemet e gazetarëve janë në të gjithë botën prandaj është edhe kjo Ditë. Me këtë rast dua të dënoj me forcë vrasjen tronditëse të gazetarit Jamal Khashoggi në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll duke iu bashkuar thirrjes tuaj si përfaqësues të medias, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar, edhe unë nënvizoj rëndësinë e bëj thirrje që ky rast të kthehet në një shembull për një hetim gjithëpërfshirës, që do të vërë para përgjegjësisë të gjithë urdhëruesit dhe autorët e tij.

Shpresojmë që vitin tjetër të mos kemi raste të tilla dhe liria e medias e të drejtat e gazetarëve të shënojnë përparim!” – nënvizoi në përmbyllje të fjalës së Tij Presidenti Meta.