Presidenti Meta në Bashkinë Divjakë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”

Presidenti Meta në Bashkinë Divjakë në kuadër të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”

Presidenti Meta në Bashkinë Divjakë: Të rinjtë mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për ndërgjegjësimin e të gjithë qytetarëve për t’u bërë dhurues të rregullt të gjakut.

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta vizitoi sot Bashkinë e Divjakës në kuadër të nismës së ndërmarrë prej Tij dhe të “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”.

Së bashku me Kryebashkiakun Fredi Kokoneshi, Presidenti Meta u ndal në Qendrën Kulturore të Bashkisë së Divjakës, ku u dhurua gjak nga shumë qytetarë, punonjës të administratës dhe të institucioneve të tjera vendore në varësi të kësaj bashkie.

Duke i falënderuar kryebashkiakun dhe dhuruesit e gjakut për veprën e tyre fisnike e humaniste, si dhe që iu përgjigjën menjëherë thirrjes së “Aleancës për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti Meta theksoi se kjo seancë “ka për qëllim t’u vijë në ndihmë kryesisht të sëmurëve talasemikë, kronikë, atyre që kryejnë ndërhyrje kirurgjikale apo që pësojnë aksidente.”

Duke iu drejtuar kryesisht banorëve të zonës së Divjakës dhe drejtuesve vendorë, Presidenti Meta vuri në dukje se: “Fatkeqësisht, zona juaj ka përqindjen më të lartë të talasemikëve në vendin tonë: 7,3%. Kjo do të thotë që nevoja për gjak është e vazhdueshme.

Kjo na vendos përpara përgjegjësisë, solidaritetit dhe humanizmit për të ndihmuar këta të sëmurë duke dhuruar gjak rregullisht dhe jo në mënyrë sporadike. Ky është edhe një nga objektivat kryesore të ‘Aleancës për Dhurimin e Gjakut’: 100% dhurim vullnetar e falas të gjakut duke rritur veçanërisht numrin e dhuruesve të rregullt.”

Apeli i Presidentit të Republikës me këtë rast ishte: “Dëshiroj t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të shëndetshëm të zonës së Divjakës, Lushnjës, Fierit, Beratit, zona ku përqindja e talasemisë është më e lartë, të bëhen dhurues të rregullt të gjakut për të ndihmuar të gjithë bashkëqytetarët e tyre.

Po kështu, ju bëj thirrje të konsultohen me mjekë dhe të bëjnë analizat përkatëse për të parë nëse janë mbartës të talasemisë apo jo. Është thelbësore të kemi një politikë të fortë parandalimi të sëmundjes duke filluar nga informimi i të rinjve tek konsultat e analizat e domosdoshme mjekësore.”

“Është shumë e rëndësishme t’u japim informacion fëmijëve dhe të rinjve, që në bankat e shkollës, mbi gjakun, talaseminë, parandalimin e saj, nevojën e dhurimit të gjakut etj, në mënyrë që të ulim numrin e të sëmurëve me talasemi. Duhet të punojmë të gjithë së bashku dhe të ndërmarrim fushata të vazhdueshme ndërgjegjësimi mbi këtë çështje me rëndësi jetike.

Jam i bindur që të rinjtë do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për këtë kauzë jashtëzakonisht humane”, – u shpreh Presidenti i Republikës.