Presidenti Meta mori pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit

Presidenti Meta mori pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Samitin e radhës së Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit, që u zhvillua në Shkup të Maqedonisë. Të ftuar të veçantë në këtë Samit ishin Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, si dhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta vlerësoi ndër të tjera se, së bashku kemi shfrytëzuar çdo moment për t’u angazhuar në një dialog të drejtpërdrejtë, megjithëqë jo gjithmonë kemi rënë dakord.

Duke iu referuar abicjes së përbashkët të integrimit evropian për krijimin e një klime të besimit reciprok dhe të mirëkuptimit, Presidenti Meta theksoi gjithashtu se, fatkeqësisht, në muajt e fundit kemi parë kthim mbrapa tek retorikat dhe veprimet provokuese, të cilat sidoqoftë kanë qenë të izoluara.

Kreu i Shtetit shprehu mbështetjen e ambicjes për integrimin në NATO për të gjitha vendet e rajonit që e aspirojnë dhe nënvizoi se anëtarësimi i Shqipërisë në Aleancën Transatlantike nuk është kundër ndonjë vendi tjetër në rajon, por për të forcuar arkitekturën e sigurisë së rajonit, që ende është i paqendrueshëm.

Gjithashtu, Presidenti Meta shprehu shqetësismin për presionin e intenifikuar nga aktorë jashtë rajonit që shoqërohet me retorikë kundra NATO-s dhe BE-së dhe që synon të destabilizojë rajonin.

Presidenti Meta bëri thirje për një vëmendje dhe angazhim më të madh e të koordinuar të BE dhe NATO-s, në funksion të një perspektive të qartë evropiane, si dhe për një mbështetje efektive politike, ekonomike dhe financiare për ta realizuar këtë perspektivë një një kohë sa më të shkurtër.

Duke u ndalur tek procesi i integrimit evropian, Presidenti Meta theksoi se integrimi i rajonit në BE nuk është vetëm një ambicie e përbashkët por garantuesi më i mirë i paqes, stabiliteti dhe prosperitetit, në interes të rajonit por dhe në interesin më të mirë të vetë Bashkimit Evropian.

Në fund të Samitit, Krerët e Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit të pranishëm miratuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan nevojën e një sinergjie më të madhe në iniciativat rajonale dhe mekanizmat për të ndërtuar një rajon gjithëpërfshirës.

Ata i bënë thirrje gjithashtu BE-së për të vijuar mbështetjen për zhvillimin e integrimit ekonomik ndër-rajonal në mënyrë që të rrisë interesin e tregut rajonal dhe vijuar me rritjen ekonomike.

Samiti i ardhshëm i Procesit të Brdo-Brijunit do të organizohet nga Presidenti Meta në Shqipëri, gjatë vitit 2019.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

I nderuar mikpritës, President Ivanov,
I nderuar President Tusk,
I nderuar Kryeministër Borisov,
Të nderuar Kolegë,

Më lejoni që t’ju bashkohem edhe unë dhe të falënderoj Presidentin Ivanov për mikpritjen miqësore.

Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Presidentin Tusk dhe Kryeministrin Borisov, për praninë e tyre këtu. Prania dhe mbështetja juaj është shumë domethënëse, veçanërisht në këtë moment kur priten takime të rëndësishme, përfshirë Samitin e Sofjes dhe takimin e Këshillit të BE-së në qershor.

E kemi theksuar në të gjitha rastet që bashkëpunim rajonal është përmirësuar në mënyrë drastike dhe kemi parë rezultate në shumë fusha.

Kemi përdorur çdo rast për t’u angazhuar në dialog të drejtpërdrejtë, megjithëse jo gjithmonë kemi rënë dakord.

Kemi bërë të mundur që përmes ambicies së përbashkët për integrimin evropian të krijojmë një klimë më të mirë të besimit reciprok dhe mirëkuptimit, kyç kjo për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë.

Por, fatkeqësisht në muajt e fundit janë kthyer në vëmendjen tonë retorika provokative e veprime shumë të rrezikshme, të cilat fatmirësisht kanë mbetur të izoluara.

Gjithashtu, anëtarësimi ynë në Aleancën Transatlantike nuk është drejtuar kundra ndonjë vendi apo rajoni tjetër, por për të forcuar sigurinë e arkitekturës së sigurisë në një rajon ende të brishtë.

Disa presione që vijnë nga jashtë rajonit tonë janë të shoqëruara me retorikë anti NATO dhe anti BE, si dhe si nxitëse të konflikteve dhe ndarjeje etnike, duke kërkuar që ta destabilizojnë rajonin.

Besoj fort se vendet tona nuk duhet të bien pre e këtyre lloj sportesh, të cilat nuk kanë fitues, por vetëm humbës.

Në këtë situatë, bëj thirrje për një vëmendje dhe angazhim të përbashkët nga BE dhe NATO, që rajoni të ketë një perspektivë të qartë evropiane, si dhe një mbështetje efektive politike, ekonomike e financiare, që do ta realizonte në kohën më të shkurtër të mundshme këtë perspektivë.

Së dyti, më lejoni që të përmend çka unë konsideroj si arritje të rëndësishme në rajon:

Gjithashtu, përgëzoj angazhimin e Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç, për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, duke përfshirë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.

Dëshiroj të shpreh mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si një arritje strategjike për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e fuqishme e politikës së dyerve të hapura të NATO-s për rajonin tonë.

Së treti, dëshiroj të ndalem tek procesi i integrimit evropian.

Të gjithë biem dakord që strategjia e zgjerimit të Komisionit Evropian rikonfirmoi një perspektivë të qartë evropiane për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sikurse pohoi edhe Presidenti i Komisionit Evropian Juncker, dhe sot Presidenti i Këshillit, miku ynë Donald Tusk, një rajon i ankoruar në BE, është jo vetëm aspirata jonë e përbashkët, por është edhe garancia më e sigurtë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin tonë.

Ky është interesi më i mirë i këtij rajoni, dhe ky është interesi më i mirë për Bashkimin Evropian.

Vendi im dhe Maqedonia fqinje morën së fundmi një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit nga Komisioni Evropian.

Vendimi i Këshillit të qershorit do të jetë me rëndësi strategjike për secilin prej proceseve tona, por edhe për rajonin në tërësi.

Të tillë e konsideroj edhe një vendim të merituar për liberalizimin e vizave me Kosovën, qytetarët e së cilës mbeten të vetmit të privuar nga kjo e drejtë në rajon.

Po kështu i bëj jehonë mesazhit të përsëritur të partnerëve tanë evropianë, se anëtarësimi në BE duhet të jetë një zgjedhje e qartë e vendeve tona.

I vetmi presion që mund të diktojë këtë zgjedhje është vizioni për të ardhmen ndërtuar mbi mësimet e nxjerra nga historia.

Në mbyllje dëshiroj të falënderoj dy kolegët tanë të nderuar Kolinda dhe Borut, për mbështetjen e fuqishme dhe angazhiin ndaj rajonit të Ballkanit Perëndior, si dhe në kuadër të proceseve të integrimit Evropian dhe Euroatlantik.

Me shpresën për më shumë lajme dhe vendime të mira në javët dhe muajt që vijnë, jam i gëzuar që takimi tjetër i yni do të zhvillohet në vendin tim, Shqipëri, në vitin e ardhshëm.

Faleminderit !