Presidenti Meta mori pjesë në paraqitjen e Indeksit Botëror të Paqes 2018

Presidenti Meta mori pjesë në paraqitjen e Indeksit Botëror të Paqes 2018

Presidenti Meta në paraqitjen e Indeksit Botëror të Paqes 2018: Duke investuar te të rinjtë tanë, ne kemi investuar për të ardhmen e shoqërisë e për paqen e saj.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në paraqitjen e raportit mbi Indeksin Botëror të Paqes 2018, një veprimtari e organizuar në Universitetin “Zoja e Këshillit të Mirë” nga Qendra Evropiane e Shkencës për Paqe, Integrim dhe Bashkëpunim (CESPIC).

Në këtë konferencë ku ishin të pranishëm, koordinatori i OKB-së, Brian Williams, Nunci Apostolik Imzot Brown, Ambasadorët e Italisë, Holandës dhe Slovakisë, Rektori i Universitetit “Zoja e Këshillit të Mirë”, si dhe Rektori i Universitetit Shtetëror të Tiranës, pedagogë e studentë, u prezantuan gjetjet e Indeksit Botëror të Paqes nga Steve Killelea, themeluesi dhe drejtuesi i Institutit për Ekonomi dhe Paqe, dy herë kandidat për çmimin Nobel për Paqen.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta theksoi ndër të tjera se: “Familja, shkolla dhe të rinjtë janë themeli i të gjitha shoqërive dhe perspektiva e së ardhmes”.

Fjala e plotë e Presidentit të Republikës:

“Është një kënaqësi e veçantë që të marr pjesë në një prezantim të tillë! Aq më tepër nga një personalitet i tillë botëror, i cili vjen për herë të parë në Shqipëri dhe që me prezantimin e studimit të tij na ngacmon të gjithëve për të punuar më shumë për paqen.

Forcimi i bashkëpunimit midis shteteve të botës me qëllim zhvillimin ekonomik dhe në mënyrë të veçantë ruajtja e paqes në botë, ishin rruga dhe shpresa e vetme për një paqe të qëndrueshme e për një botë më të mirë për mbarë njerëzimin mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Organizata e Kombeve të Bashkuara lindi si mekanizëm për ruajtjen e Paqes dhe Sigurisë në botë me parimet e saj dhe padyshim që të gjitha përpjekjet e përbashkëta të kombeve në këtë drejtim, për të krijuar më shumë besim mes tyre, në përpjekje për të garantuar jo vetëm paqen, por edhe dinjitetin njerëzor e vlerat e të drejtat themelore të njeriut, për të garantuar barazinë mes vetë kombeve e respektin reciprok, pavarësisht forcës e madhësisë së tyre.

Është e vërtetë se bota sot është më e paqtë se 70 vjet më parë, pavarësisht nga treguesit relativë të përmirësimeve apo përkeqësimeve, dhe që pas viteve 90-të, ka më shumë shoqëri demokratike e vende në demokraci, ashtu sikurse rreziqet dhe sfidat që kemi përballë janë të shumta, janë edhe të reja e të panjohura më parë dhe paqja në botë mbetet gjithmonë e brishtë dhe e kërcënuar, ndaj ajo asnjëherë nuk duhet të merret e mirëqenë dhe duhet punuar seriozisht në drejtim të saj.

Evropa dhe mbarë bota po përjetojnë sot ndryshime dhe zhvillime politike, kulturore, sociale dhe lëvizje demografike, dhe disa prej këtyre ndryshimeve është vështirë për t’i ndalur, pasi përpjekjet për t’i ndalur mund të krijojnë konflikt e përplasje, ndërkohë që është detyra jonë që nuk është e lehtë, për të pranuar apo për t’iu përshtatur me parimet dhe vlerat universale të demokracisë e të drejtave të njeriut.

Nënë Tereza thonte: ‘Çfarë mund të bësh për të promovuar paqen në botë? Shko në shtëpi dhe duaje familjen tënde’! Besoj se kjo është një thënie tepër e mençur që secili të japë kontributin e vet, në familjen e vet,në komunitetin dhe vendin e tij dhe në rajonin e tij.

Familja, shkolla dhe të rinjtë janë themeli i të gjitha shoqërive dhe perspektiva e së ardhmes.

Duke investuar tek të rinjtë tanë është një investim i sigurt për të ardhmen e shoqërisë, për paqen, sepse ata janë grup-mosha më delikate dhe më e ekspozuar ndaj veseve dhe fenomeneve negative sociale.

Mungesa e besimit për të ardhmen, shkollimi i pjesshëm dhe sipërfaqësor shkaktojnë trauma, probleme e përplasje sociale e sjellin edhe më pak paqe të sigurtë, mirëqenie e stabilitet.

Ndaj është detyrë parësore investimi në politikat zhvillimore ndaj aftësive, prirjeve dhe nismave të tyre për të krijuar kështu mundësinë e qetësisë dhe paqes në vend. Dhenjë nga elementet ishte investimi në kapitalin njerëzor kune kemi gjithashtu shumë për të bërë.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm, për të zhvilluar e forcuar paqen, është lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Prezenca serioze e krimit të organizuar dhe korrupsionit në një vend do të thotë jo vetëm kërcënim i sigurisë, por edhe rritje të shpenzimeve për sigurinë e brendshme, duke hequr mundësinë për të investuar në shumë fusha të tjera si edukimi, kultura apo infrastruktura, ku duhet të investojmë vazhdimisht në mënyrë që të garantojmë rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe stabilitetin e vendit dhe kështu të forcojmë vazhdimisht paqen.

Siç e vërteton edhe studimi i paraqitur, një vend në paqe është një vend me një rritje ekonomike të qëndrueshme, të vazhdueshme, me mirëqenie të lartë dhe me rritje të të ardhurave për frymë të popullsisë. Nuk mjafton vetëm rritja e qëndrueshme ekonomike, por ajo duhet të jetë sa më gjithëpërfshirëse, pasi mirëqenia është garancia më e madhe e paqes, ndërsa varfëria është një nga armiqtë e paqes dhe pabarazia ekonomike në rritje përbën rrezikun më të madh për paqen në çdo vend dhenë çdo rajon.

Ndaj paqja dhe fuqizimi ekonomik, shkojnë pothuajse në të njëjtin drejtim.

Besimet fetare kontribuojnë në ndërtimin e paqes duke ndikuar në klimën morale-shoqërore-politike, përmes forcimit të frymës së bashkëpunimit mes komuniteteve të ndryshme.

Aktorët fetarë janë një forcë e madhe për drejtësi sociale, për shoqëritë dhe për paqen.
Konfliktet e ashtuquajtura fetare sot në botë, siç e dini shumë mirë edhe nga konfliktet jo të largëta në kohë në rajonin tonë, nuk janë konflikte të besimeve, por konflikte, të cilat keqpërdorin një besim të caktuar për të arritur qëllime politike, hegjemoniste apo ekonomike.

Asnjë fe e madhe nuk predikon pjesëmarrje dhe nuk është burim i konfliktit, por secila prej tyre është një forcë në krijimin e paqes.

Bashkësitë fetare dhe liderët e institucionet fetare mund të ndërmjetësojë në situatat e konfliktit dhe të shërbejë si një lidhje komunikimi jo vetëm për të ulur tensionet, por edhe të ndërgjegjësojnë ndjekësit e tyre për karakterin e vërtetë të konfliktit.

Shqipëria për fat të mirë, mbetet dhe është e vendosur të vazhdojë të jetë model i paqes dhe i harmonisë mes komuniteteve fetare.

Ne jemi shumë krenarë që kjo vlerë historike dhe kombëtare ruhet dhe forcohet larg influencave dhe tendencave të huaja për to dhe për populli tonë.

Evropa dhe bota sot po përjetojnë ringjalljen dhe rritjen e rrymave populiste, nacionaliste dhe ekstremiste në disa vende, të cilat jo vetëm shfaqen kundër projektit evropian të paqes dhe solidaritetit të pas Luftës së Dytë Botërore, por mbështesin me nostalgji ringjalljen e koncepteve të shtetit-komb dhe hegjemonizmit nacionalist, etnik apo dhe fetar, të cilat ishin burimi i lindjes së konflikteve botërore.

Përballë kësaj situatë, qeveritë, shoqëria civile, intelektualët, figura të shquara të historisë, artistë e krijues e përfaqësues të të gjitha kombeve duhet të bëhen bashkë e të flasin me gjuhën e paqes dhe të veprojnë të gjithë me një mision të përbashkët.

Kjo është një sfidë dhe një apel për të kuptuar se çmimi për të ruajtur paqen është shumë herë më i vogël se sa pasojat e çdo konflikti dhe lufte.

Nuk mjafton vetëm të flitet mbi paqen. Duhet të besojmë te paqja për të pasi ajo nuk është e përjetshme dhe siç e tregoi edhe indeksi kjo bëhet në mënyrë mjaft komplekse. Ajo nuk është një dhuratë që gëzon imunitet e paprekshmëri. Ajo fitohet me gjak, mund e sakrifica e ndoshta, po kaq vështirësi kërkohen për ta ruajtur atë.

Ndaj edhe njëherë dua të shpreh kënaqësinë që mora pjesë në një prezantim të tillë dhe të shpresoj që të kemi një bashkëpunim edhe si vende, edhe si rajon – një rajon i veçantë si ky i yni, Ballkani! Shpresojmë që ky të jetë një vit i mbarë jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin!

Kemi një moment mjaft pozitiv sikurse është marrëveshja mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe do të ketë një impakt të madh për të gjithë rajonin, për Maqedoninë dhe vendet tona. Shpresojmë që dialogu Serbi-Kosovë të japë një impakt pozitiv për të gjithë rajonin tonë dhe të rritet besueshmëria e tij. Që paqja të jetë edhe më e qëndrueshme se sa deri më tani, edhe që të jetë edhe më pozitive se sa deri tani!”