Presidenti Meta merr pjesë në Forumin “Transatlantic Leadership Network”

Presidenti Meta merr pjesë në Forumin “Transatlantic Leadership Network”

Uashington D.C., SHBA

Në vijim të vizitës së tij në Uashington D.C., Presidenti i Republikës Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë sot në Forumin “Transatlantic Leadership Network” të organizuar në Kongresin Amerikan me temë: “Ballkani Perëndimor: Si të kapërcehen pengesat në rrugën drejt Bashkimit Europian”.

Presidenti Meta gjatë fjalës së Tij, theksoi ndër të tjera se: “Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor!”.

“Shpresoj që investitorë më seriozë europianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona”, – u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.

Në vijim, fjala e plotë e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:

Të nderuar anëtarët e Senatit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj!

Jemi mbledhur këtu si njerëz që ndajnë me njëri-tjetrin besimin e tyre në Zot, si miq që shkëmbejnë besimin reciprok, si partnerë strategjikë që kanë një vizion të përbashkët për një të ardhme të qëndrueshme transatlantike.

Fundi i Luftës së Ftohtë, i ndjekur nga ndërhyrjet ushtarake të NATO-s në Ballkan, të udhëhequra nga SHBA, shërbyen si katalizator për dominimin mbizotërues të SHBA-ve dhe BE-së në rajon, duke shmangur çdo përpjekje tjetër për të paraqitur e pozicionuar ndonjë një alternativë tjetër rivale.

Hartimi i proceseve europiane dhe euroatlantike për Evropën Juglindore ishte investimi më i madh strategjik i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Si SHBA-ja, ashtu edhe BE-ja nuk na lejuan që të shndërroheshim në Lindjen e Mesme të Europës.

Konfliktet ndëretnike, politikat shkatërruese si dhe historia e lyer me gjak u zëvendësuan nga bashkëpunimi rajonal, udhëheqja e besueshme si dhe nga vlerat europiane e transatlantike, duke vendosur themelet për të ardhmen e paqtë, të sigurt e të begatë të rajonit tonë.

Ndërkohë që shumë gjëra po merren si të mirëqena, na duhet të risjellim në mendje përparimin e madh që është shënuar në këtë drejtim.

Kufiri europian është zgjeruar edhe më tej me anëtarë të rinj të Bashkimit Europian.

Mali i Zi dhe Serbia po përparojnë në negociatat e tyre të anëtarësimit, të ndjekura nga Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë Veriore që gjenden në prag të hapjes së bisedimeve të anëtarësimit.

Kosova dhe Bosnja e Hercegovina janë në rrugë të mbarë, edhe pse po përparojnë me një ritëm më të ngadaltë.

Integrimi në Bashkimin Europian është edhe një proces paqeje, edhe një proces demokracie gjithashtu.

Ngritja e institucioneve funksionale, e ekonomive të tregut dhe shoqërive moderne që respektojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut, të bazuara në vlerat dhe standardet e përbashkëta europiane, përbëjnë thelbin e proceseve anëtarësues të secilit prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë pikë do të dëshiroja të shtoja dy politika të tjera shumë të rëndësishme që, sipas mendimit tim, duhet t’i japin formë së ardhmes europiane të Ballkanit Perëndimor.

Së pari, mbajtja e njërit sy hapur përkundrej sfidave të sigurisë, dhe së dyti, tërheqja dhe sjellja e investimeve më të mëdha europiane në rajon.

Politikat e hartuar europiane për Ballkanin Perëndimor duhet të forcojnë sigurinë, institucionet dhe ekonomitë tona; duhet të jenë të zbatueshme, transparente dhe të synojnë rritjen e besimit të qytetarëve; plotësisht të përafruara me vlerat dhe standardet europiane.

Bashkimi Europian nuk duhet të gabojë që të bëjë kompromise në këtë orientim; përkundrazi duhet të ruajë përqendrimin e vet te çështjet thelbësore të proceseve tona përkatëse.

Brezi i ri jeton në botën virtuale të “Facebook-ut” dhe “Instagram-it” e që ushqehet përditë me ëndrrat e një të ardhmeje të begatë europiane dhe të çliruar nga fantazmat e konflikteve të kaluara.

Ky është një fakt dhe një pasuri që ne duhet ta përdorim më së miri.

Dua të theksoj se përparimi në mënyrë paralele i trajektores së anëtarësimit në NATO ka qenë çelësi, jo vetëm i forcimit të mëtejshëm të sigurisë në rajonin tonë, por edhe i tejkalimit e kapërcimit të hendeqeve të krijuara ndonjëherë nga vakumi europian.

Në vitet e fundit, kemi qenë dëshmitarë se si pranimi i Malit të Zi në NATO dhe Marrëveshja më e fundit e Prespës, e nënshkruar dhe e vulosur tashmë, midis Republikës së Maqedonisë Veriore dhe Greqisë, kanë prodhuar në mënyrë sinergjike një optimizëm të ri në rajonin tonë.

Ndryshimi i vetëm i kufijve, për të cilin duhet të punojmë ditë e natë në rajonin tonë është zgjerimi i plotë i kufirit europian në Ballkanin Perëndimor!

Me këtë gjë në në mendje, aspiratat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e anëtarësimit dhe për të arritur ata që ndodhen në krye të garës, janë aq intensive sa edhe më parë.

Do të doja gjithashtu të ndaleshim e të përqendroheshim të vendimi i mençur dhe i guximshëm i BE-së për ta zbatuar regjimin e lëvizjes pa viza për qytetarët e Kosovës sa më shpejt që të jetë e mundur, dhe në përgjithësi, procesin e shpejtë të anëtarësimit për mbarë rajonin.

Këto shpresa nuk përkthehen në një anëtarësim vetvetiu.

Jemi të vetëdijshëm se procesi i këtij transformimi të thellë është ende në vazhdim si dhe që ne nuk duhet ta humbasim besimin.

Ne i kuptojmë vështirësitë që po kalon Bashkimi Europian.

Megjithatë, jemi në solidaritet me partnerët tanë, si dhe kundër çdo lloj loje që mund të verë në rrezik të ardhmen tonë të përbashkët europiane.

Dua të theksoj rolin kyç që ka luajtur Gjermania deri më tani për të mbuluar “lodhjen europiane”, me një qasje më të fokusuar drejt Ballkanit Perëndimor përmes Procesit të Berlinit.

Procesi i Berlinit asnjëherë nuk u hartua me synimin për të zëvendësuar zgjerimin europian, por u ideua si një mekanizëm nxitës për investime më thelbësore europiane si dhe bashkëpunim në rajonin tonë.

Shpresoj që investitorë më seriozë europianë të sjellin kapitalet e tyre në sektorët strategjikë në ekonomitë tona, me garancinë se do të gëzojnë përparësi dhe mbështetje të plotë, ndërkohë që do të na ndihmojnë të ndalojmë largimin e popullsisë së vendeve tona.

Historia e Bashkimit Europian ka treguar se ngrehina perëndimore u ka mbijetuar me sukses të gjitha sprovave dhe sfidave të ndryshme që dolën në fund të Luftës së Ftohtë.

Thellimi dhe zgjerimi europian kanë ndodhur krah për krah, pa marrë parasysh dyshimet apo hezitimet, të cilat kanë qenë gjithmonë të pranishme.

Ju faleminderit!