Presidenti Meta: E domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore, por edhe në ato politike

Presidenti Meta: E domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore, por edhe në ato politike

Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta vlerësoi sot paradite me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” pedagogë dhe shkencëtarë të spikatur në mësimdhënie dhe kërkime shkencore të Universitetit “Mesdhetar” të Shqipërisë.

Gjatë mbledhjes jubilare me rastin e 10-vjetorit të Universitetit “Mesdhetar” të zhvilluar në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, Presidenti i Republikës çmoi zotin Aristotel Pano për vlerat e spikatura mësimdhënëse dhe shkencore në fushën e financave dhe ekonomisë; zotin Gudar Beqiraj për kontributet shkencore dhe veprimtarinë akademike e pedagogjike, si dhe zotin Ksenofon Kristafi për veprimtarinë diplomatike dhe shkencore në fushën e të drejtës ndërkombëtare dhe roli në çështje me rëndësi të veçantë në politikën tonë të jashtme.

Në fjalën e rastit, Presidenti Meta theksoi:

“Ju falënderoj shumë për ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për ju, por jo vetëm. Njëkohësisht për faktin që ndjehem shumë mirë dhe shumë ngrohtë këtu, jo vetëm për shkak të emrit të Universitetit, por edhe të shumë miqve dhe personaliteteve. Jam shumë i lumtur që shoh edhe zotin Andreas Gross, një personalitet i shquar në kontinentin tonë që ka ndihmuar mjaft për demokratizimin e Shqipërisë.

Jam i lumtur të shoh në këtë sallë, jo vetëm studentë mjaft të qeshur e të gëzuar, por në mënyrë të veçantë pedagogë e profesorë me një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit, mësimdhënies dhe të shkencës, të cilët e bëjnë Universitetin Mesdhetar një zë mjaft të rëndësishëm të arsimit tonë të lartë.

Ky universitet, që përfaqëson një institucion tashmë të afirmuar të arsimit tonë të lartë, do të duhet, dhe do t’ju lutesha, që ta kthenit në një qendër edhe më aktive shkencore e debati të studimeve mesdhetare, duke promovuar të gjitha organizatat mesdhetare ku Shqipëria bën pjesë, por njëkohësisht duke u bërë pjesë edhe e gjithë debateve për temat më të mëdha të këtij makro-rajoni ku ne bëjmë pjesë, pasi është në interesin tonë të afirmojmë edhe më tej dimensionin tonë mesdhetar. Jo vetëm kaq, por edhe të jemi më aktiv në përballimin e problemeve dhe sfidave që ka ky makro-rajon.

Nuk është e lehtë të jesh sot profesor, pedagog apo edukator i brezit të ri, ashtu sikurse nuk është edhe e thjeshtë të jesh student.

Sfidat e vështirësitë me të cilat përballeni janë të shumta, por unë besoj se, kur në themel të punës dhe të studimit, vendoset dashuria për dijen, por edhe dashuria për vendin dhe për të ardhmen e tij, sfida bëhet më e lehtë dhe suksesi më i arritshëm.

Edukimi dhe arsimimi janë një e mirë publike, ashtu sikurse përfaqësojnë edhe një të drejtë njerëzore.

Ai është thelbësor për t’u realizuar individualisht e njëkohësisht edhe për të kontribuar e ndërtuar një shoqëri më demokratike, më të hapur, më tolerante e bashkëpunuese, më paqësore për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt të vendit.

Por ka shumë faktorë që ndikojnë që sistemi arsimor të jetë i shëndetshëm, cilësor, i qëndrueshëm dhe sfidues.

Bota ka ndryshuar dhe ndryshon me shpejtësi të madhe dhe sistemi arsimor, veçanërisht arsimi i lartë duhet t’i përshtatet e të ndryshojë me të njëjtën shpejtësi.

Globalizimi dhe hapja e shoqërive e ka ndryshuar tregun e punës, duke rritur konkurrueshmërinë si në nivelin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.

Sfida e përgatitjes së të rinjve tanë me aftësitë e duhura shkencore dhe njohuritë e duhura për t’u përfshirë sa më lehtësisht në tregun e ri të punës, brenda dhe jashtë vendit, në institucionet publike dhe sipërmarrjet private, mbetet prioritet i universiteteve tona dhe arsimit të lartë.

Është e nevojshme që universitetet tona, publike ose private, të përdorin metodat më bashkëkohore për t’u mundësuar studentëve një mendim më kritik dhe më krijues dhe njëkohësisht aftësinë që ata të përvetësojnë më shpejt dijet dhe të orientohen më lehtë drejt tregut të punës.

Kemi nevojë për një arsim të lartë, roli thelbësor i të cilit është, jo vetëm edukimi shkencor me cilësi, etikë e përgjegjësi, ashtu sikurse kemi shumë nevojë të forcojmë autoritetin dhe të respektojmë autonominë e universitetit, duke e mbajtur sa më larg politikës dhe ndikimeve të saj.

Protestat e drejta të studentëve gjatë dhjetorit të kaluar treguan se zbatimi i ligjit aktual të Arsimit të Lartë ka probleme dhe vështirësi për të siguruar autonominë dhe pavarësinë financiare të duhur për një funksionim më të mirë dhe më cilësor e më të aksesueshëm të universiteteve publike. Njëkohësisht edhe përsa i takon përfshirjes së duhur edhe të studentëve në organet përfaqësuese dhe administrative.

Reforma në arsimin e lartë dhe kërkimi shkencor duhet të ketë një frymë më gjithëpërfshirëse dhe duhet të synojë krijimin e kushteve të duhura për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies dhe njëkohësisht të përdorimit dhe menaxhimit të burimeve të brendshme njerëzore dhe financiare të universiteteve në mënyrë të pavarur dhe të pakushtëzuar nga politika.

Infrastruktura dhe hapësirat universitare janë shumë të rëndësishme.

Ato duhet të jenë pjesë integruese e universiteteve dhe kampuseve dhe të kthehen në qendra të gjalla në shërbim të studentëve e në mjedise gjithëpërfshirëse edukuese, shkencore, kulturore e sportive.

Si pasuri shumë e rëndësishme të universiteteve publike ato nuk duhet të ngushtohen, por të zgjerohen më tej e të modernizohen në dobi të studentëve, pedagogëve dhe të aktivitetit të tyre shkencor.

Vonesa e pajisjes së studentëve me “Kartën e Studentit” është e pajustifikuar dhe mbetet një detyrim imediat për t’u garantuar studentëve të drejtave që burojnë prej saj ashtu si të studentëve të tjerë në vendet e rajonit dhe të Europës.

Është shumë e rëndësishme që mes stafit akademik, pedagogëve dhe studentëve në universitetet tona të vendoset një dialog i vazhdueshëm dhe i qëndrueshëm i bazuar në respektin e ndërsjelltë në dobi të cilësisë së mësimdhënies.

E kemi të domosdoshme të krijojmë një klimë të re të dëgjimit të njëri-tjetrit, jo vetëm në mjediset universitare e shoqërore, por edhe në ato politike, duke qenë gjithnjë të hapur ndaj mendimit kritik dhe përmirësues në mënyrë që shoqëria jonë të reflektojë dhe të reformohet vazhdimisht.

Jam shumë i shqetësuar nga fakti që pjesa dërrmuese e të rinjve tanë, e po kështu edhe të studentëve, ende dëshirojnë të largohen nga vendi.

Kjo sjell jo vetëm probleme demografike, por në radhë të parë sociale e familjare, madje edhe kombëtare.

Ne duhet ta dekurajojmë si shoqëri largimin e trurit dhe të forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë, duke u ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune, që plotësojnë pritshmëritë e tyre dhe që zhvillojnë në mënyrë të qëndrueshme ekonominë e vendit.

Universiteti është institucion shumë i rëndësishëm shkencor dhe mësimdhënës për shoqërinë dhe për vendin.

Elitat intelektuale të cilat do të drejtojnë vendin në të ardhmen pikërisht krijohen dhe dalin nga bankat e këtyre mjediseve.

Suksesi i këtij misioni fisnik varet nga angazhimi juaj, serioziteti, përkushtimi, por mbi të gjitha nga dashuria për arsimin, për dijen, për shkencën dhe mbi të gjitha për vendin.

Uroj me gjithë zemër që Universiteti juaj të përmbushë me sukses këtë mision fisnik por edhe të vështirë, edhe në vitet dhe në dekadat që do të vijnë!

Në këtë ditë të shënuar të Universitetit Mesdhetar kam kënaqësinë të vlerësoj disa nga figurat më të spikatura të profesorëve tuaj, të cilët me jetën dhe veprën e tyre i bëjnë nder jo vetëm këtij Universiteti, por i bëjnë nder arsimit të lartë, shkencës në vendin tonë dhe mbarë shoqërisë sonë.

Gëzuar 10-vjetorin e ditëlindjes suaj dhe suksese të mëtejshme!”