Presidenti Meta dorëzon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar

Presidenti Meta dorëzon në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar

Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta dorëzoi personalisht në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shpalljen antikushtetues të ligjit për shembjen e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar.

Pasi përfundoi procedurat ligjore përkatëse të depozitimit të kërkesës, Presidenti Meta u shpreh ndër të tjera para përfaqësuesve të mediave të pranishme:

“Dua të theksoj rëndësinë e madhe që ka akti i im sot, që është në koherencë të plotë me përpjekjet e mia të vazhdueshme, të qëndrueshme dhe sistematike në raport me Kuvendin, me Qeverinë, me institucionet vendore të përfshira në këtë proces kriminal të kapjes më flagrante të shtetit, në dhunim të rendit kushtetues, të akteve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, dhe njëkohësisht në kundërshtim të plotë edhe me interesin publik e kombëtar.

Ligji për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar është një simbol i kapjes së shtetit dhe të gjitha institucioneve, një kryevepër e një krimi kushtetues, kombëtar dhe kulturor, jo në interes të “rule of law / shtet i së drejtës”, por të “rule of oligarchs / sundimi i oligarkëve”.

Garantoj se Republika e Shqipërisë do të jetë një vend i sundimit të ligjit dhe i sundimit të popullit.

Boll më me sundimin e oligarkëve!

Dua t’i siguroj të gjithë se drejtësia kombëtare, por edhe drejtësia ndërkombëtare, do të veprojë ndaj rilindasve lokalë dhe ndërkombëtarë, të cilët e kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe të cilët janë përfshirë në përpjekjen për të instaluar me dhunë ‘rule of oligarchs” në Shqipëri”.