Presidenti Meta i dërgon mesazh urimi Presidentit Mattarella

Presidenti Meta i dërgon mesazh urimi Presidentit Mattarella

I nderuar Zoti President,

Më lejoni që me rastin e Festës së Republikës Italiane, të shpreh në emrin tim dhe të popullit shqiptar, urimet më të ngrohta e miqësore, për Ju personalisht dhe për popullin mik italian.

Ende i kam të gjalla kujtimet nga vizita ime e parë në Romë, në cilësinë e Presidentit të Republikës, si dhe takimin e bashkëbisedimin e ngrohtë e miqësor me Ju dhe autoritetet e tjera italiane, që reflektonin marrëdhëniet e shkëlqyera historike e tradicionalisht miqësore.

Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të privilegjuara e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen qartë në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh apo në kuadër të NATO-s dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale apo ndërkombëtare. Sot, më shumë se kurrë këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intesive.

Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, sot po ndërveprojnë si kurrë më parë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë janë një urë lidhëse e vjetër dhe shumë e qëndrueshme që i ka rezistuar shekujve dhe që e ka forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Por edhe ata qindra-mijëra shqiptarë, që pas viteve ’90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali, e bëjnë më të fortë këtë miqësi. Gëzohem gjithashtu kur informohem se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes e punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet vit pas viti, duke i bërë të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy vendeve tona.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht por dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i jepni Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Ky është projekti më madhor i Shqipërisë dhe ndjehemi me fat që për realizimin e tij me sukses kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia.

Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju agjendën e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy popujve, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.

Ilir Meta

]]>