Presidenti Meta i dërgon mesazh urimi Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi

Presidenti Meta i dërgon mesazh urimi Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, z. Talat Xhaferi

I nderuar Zoti Kryetar,
I dashur Talat,

Ju përgëzoj përzemërsisht për përmbylljen me sukses të procesit të miratimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ku dhe gjuha shqipe zë zyrtarisht vendin e saj të merituar në Maqedoni.

Kjo është një ngjarje historike dhe kuptimplote për shqiptarët, një arritje e madhe dhe e rëndësishme që i kontribuon demokracisë dhe garantimit të të drejtave të barabarta për qytetarët e të gjitha kombësive që jetojnë në Maqedoni.

Kjo arritje përbën gjithashtu një hap shumë te rëndësishëm në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit. Shqiptarët kanë qenë gjithmonë të orientuar drejt vlerave euroatlantike dhe në rastin konkret demonstruan një maturi të admirueshme dhe qëndrim konstruktiv.

E vlerësoj jashtëzakonisht shumë rolin që Ju personalisht keni luajtur në këtë drejtim, duke i bërë krenarë jo vetëm shqiptarët e Maqedonisë, por të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.

Së bashku me urimet për suksese të mëtejshme në zbatimin sa më të mirë të ligjit, ju dërgoj dhe përshëndetjet e mia më të mira e vëllazërore.

I juaji,

Ilir Meta