Presidenti Meta dekreton shpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e Vakancës së parakohshme të krijuar, për vendin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

Presidenti Meta dekreton shpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e Vakancës së parakohshme të krijuar, për vendin gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese

 

D E K R E T

PËR
SHPALLJEN E PROCEDURËS SË APLIKIMIT PËR PLOTËSIMIN E VAKANCËS SË PARAKOHSHME TË KRIJUAR, PËR VENDIN VAKANT GJYQTAR NË GJYKATËN KUSHTETUESE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 93, 125, 127 pika 3 dhe nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, neni 7 pika 2, 7/a, 7/b, 7/dh pika 2, si dhe Vendimit nr. 32, datë 21.11.2019 të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, njoftuar nga Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 387 prot, datë 22.11.2019, me cilësinë e organit të emërtesës,

D E K R E T O J:

Neni 1

Shpalljen e procedurës së aplikimit për emërim gjyqtari në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” të krijuar nga përfundimi përpara kohe të mandatit, të ish-gjyqtarit Z. Besnik Muçi.

Neni 2

Shpallja e kësaj procedure dhe publikimi i saj sipas tekstit bashkëlidhur, të bëhet menjëherë në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit të institucionit të Presidentit të Republikës.

Neni 3

Ky dekret hyn në fuqi menjëherë.

Nr. Dekretit 11364
Tiranë, më 22.11.2019

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

ILIR META